Shkëmbimi i territoreve të mos jetë pjesë e dialogut

24 korrik 16:19

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), njëherësh kryetar i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka bërë me dije se nga takimi i hënës me përfaqësuesit e partive politike, shoqërisë civile dhe organizatave të ndryshme, është nxjerrë një deklaratë e përbashkët e cila përmban tri kërkesa lidhur me dialogun Kosovë – Serbi.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se kërkesa e parë është që shkëmbimi i territoreve dhe çështja e kufijve administrativë nuk duhet të jenë pjesë e agjendës së dialogut të Brukselit.

Po ashtu, ai u ka bërë thirrje që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë në kuadër të kompetencave të Kushtetutës së Kosovës.

“I kam ftuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike, shoqatave të ndryshme, shoqërisë civile si dhe intelektualët për të biseduar për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi i këtij takim ka qenë ndarja e Kosovës apo shkëmbimi i territoreve të mos jetë pjesë e dialogut. Kërkesa ime ka qenë që të debatohet rreth kësaj çështje dhe të merret një vendim nëpërmjet të cilit kërkohet nga ata që dialogojnë me Serbinë, që ndarja e Kosovës të mos jetë në rend të ditës në tavolinën e bisedimeve. Prandaj i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës, sidomos grupit punues që do të jetë në Bruksel, të bëjë përpjekje maksimale që kjo çështje të mos jetë në agjendën e dialogut”, është shprehur Bahtiri.

Ai i ka bërë thirrje spektrit politik t’i anashkalojnë partitë dhe të arrijnë pajtim në mënyrë që Kosova të përfaqësohet me njerëz të devotshëm dhe të aftë në bisedimet me Serbinë. Bahtiri ka thënë se në këtë proces duhet të shkohet me një platformë të përbashkët të studiuar mirë dhe se Kuvendi duhet ta ketë rolin kryesor.

“Politikanët duhet të ulen dhe të mendojnë pak më gjatë për arsye se askush nuk e ka të drejtën të marrë vendime personale e partiake, por është Kuvendi i Kosovës i cili mund të marrë vendim për delegacionin që do t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë. Ky delegacion duhet të jetë gjithëpërfshirës si dhe duhet të zgjedhen njerëz me dinjitet për ta mbrojtur shtetin e Republikës së Kosovës. Unë po shpresoj se kjo do të ndodhë deri në shtator, kur edhe do të përcaktohen pikat e rendit të ditës”, ka deklaruar ai.

“Epoka e re”: Z. Bahtiri, të hënën keni mbajtur një takim me përfaqësues të partive politike, shoqërisë civile si dhe organizatave të ndryshme. Mund të na tregoni se cili ka qenë qëllimi i këtij takimi?
Bahtiri: I kam ftuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike, shoqatave të ndryshme, shoqërisë civile si dhe intelektualët për të biseduar për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi i këtij takimi ka qenë ndarja e Kosovës apo shkëmbimi i territoreve të mos jetë pjesë e dialogut. Sepse Mitrovicës i dhemb fort ndarja meqë qyteti është i ndarë në të dyja anët e lumit Ibër. Kërkesa ime ka qenë që të debatohet rreth kësaj çështje dhe të merret një vendim përmes të cilit kërkohet nga ata që dialogojnë me Serbinë, që ndarja e Kosovës të mos jetë në rend të ditës në tavolinën e bisedimeve. Për këtë kam marrë përkrahjen e të gjitha partive politike, me përjashtim të disa personave që thonë se e përfaqësojnë PDK-në. Prandaj i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës, sidomos grupit punues që do të jetë në Bruksel, që të bëjë përpjekje maksimale që kjo çështje të mos jetë në agjendën e dialogut.

 “Epoka e re”: Përveç kësaj, ka pasur ndonjë kërkesë tjetër nga ky takim?
Bahtiri: Në fund të takimit kemi nxjerrë një deklaratë të përbashkët me tri kërkesa. Kërkesa e parë është që çështja e kufijve mos të jetë pjesë e negocimit, kërkesa e dytë është që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe mos t’i kalojë kompetencat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe kërkesa e tretë ishte që të mos diskutohet rreth çështjes së kufijve administrativë. Këto kanë qenë kërkesat tona të cilat ia kemi drejtuar Qeverisë së Kosovës.

 “Epoka e re”: Besoni se këto kërkesa do të merren parasysh nga Qeveria dhe nga presidenti si udhëheqësi kryesor i dialogut?
Bahtiri: Kërkesat tona janë të drejta dhe në të mirë të qytetarëve si dhe pa pretendime partiake. Shpresoj se ata që do të shkojnë në Bruksel për të negociuar do ta kenë parasysh këtë deklaratë dhe këto kërkesa. Delegacioni i bisedimeve me Serbinë duhet ta marrë miratimin e Kuvendit të Kosovës meqë delegacioni që ka shkuar deri më tani në Bruksel nuk është i unitetit dhe nuk mund ta përfaqësojë shtetin e Kosovës. Kosovën në këtë dialog mund ta përfaqësojnë vetëm ata që i ka zgjedhur Kuvendi, të cilët duhet të raportojnë para deputetëve për çdo bisedë që zhvillohet në Bruksel.

“Epoka e re”: Si e shihni vazhdimin e këtij procesi dhe sa ka gjasa të arrihet uniteti politik për këtë çështje?
Bahtiri: Politikanët duhet të ulen dhe të mendojnë pak më gjatë për arsye se askush nuk e ka të drejtën të marrë vendime personale e partiake, por është Kuvendi i Kosovës i cili mund të marrë vendim për delegacionin që do t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë. Ky delegacion duhet të jetë gjithëpërfshirës si dhe duhet të zgjedhen njerëz me dinjitet për ta mbrojtur shtetin e Republikës së Kosovës. Unë po shpresoj se kjo do të ndodhë deri në shtator, kur edhe do të përcaktohen pikat e rendit të ditës. Prandaj u treguam atyre se populli nuk dëshiron të futet në rend të ditës çështja e territoreve dhe nëse këta veprojnë kundër popullit, atëherë populli sigurisht do ta japë përgjigjen e vet si sovran i këtij vendi.

“Epoka e re”: Ju po kërkoni që ekipi negociator të jetë gjithëpërfshirës, por si mund të ndodhë një gjë e tillë kur opozita refuzon të bëhet pjesë e këtij procesi?
Bahtiri: Edhe pozita edhe opozita duhet të kthehen në Kuvend, në mënyrë që ky institucion ta zgjedhë grupin punues për të negociuar. Mendoj se edhe opozita është duke kërkuar një gjë të tillë. Kur është në pyetje ndonjë çështje madhore e shtetit të Kosovës unë jam mbipartiak dhe kërkoj nga secili të jetë mbipartiak, sepse populli dhe shteti i Kosovës është mbipartiak. Kur të bisedohet për shtetin e Kosovës askush nuk bën të thirret në emër të partisë apo të grupit, por duhet të thirret në emër të qytetarëve dhe të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Prandaj kërkesa ime për spektrin politik është t’i anashkalojnë të gjitha partitë politike dhe të ulen të bisedojnë në mënyrë të mirëfilltë duke bashkëpunuar dhe duke ofruar njerëz të devotshëm dhe të aftë për të biseduar me Serbinë. Po në këtë proces duhet të shkohet me një platformë të përbashkët të studiuar mirë dhe jo të shkohet me një letër të pastër dhe me një kimik në dorë. Pra, duhet të shkohet me një platformë e cila paraprakisht duhet të debatohet në Kuvend dhe në pjesën e inteligjencës së Kosovës, pastaj të ofrohet ajo që është më e mira për vendin. Kjo duhet të ndodhë dhe i ftoj të gjithë krerët e partive politike të bashkëpunojnë në këtë rrafsh për arsye se është në interes të popullit dhe të vendit.

“Epoka e re”: Ka kohë që deri në shtator të hartohet kjo platformë dhe Kuvendi ta ketë rolin kryesor në fazën finale të dialogut?
Bahtiri: Nëse mendohet për shtetin dhe qytetarët dhe jo për partinë dhe bajraktarizmin, mendoj se kjo do të arrihet shumë shpejt. Unë i ftoj të gjithë liderët të ulen dhe të bisedojnë në mënyrë që të arrijnë një unitet politik në të mirë të shtetit dhe të këtij populli të vuajtur, i cili ka derdhur shumë gjak për këtë vend sepse nuk duhet të shkelet mbi gjakun e dëshmorëve.

“Epoka e re”: Z. Bahtiri, çfarë është duke ndodhur me urën e Ibrit e cila është dashur të lëshohet për qarkullim së shpejti?
Bahtiri: Personalisht kam qenë pjesë e bisedimeve me Serbinë kur është bërë marrëveshja për revitalizimin e urës së Ibrit. Kjo është çështje e zgjidhur, sepse tani punimet janë në fazën përfundimtare. Para dhjetë ditësh kemi qenë në takim me shefen e BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, së bashku me kryerin Goran Rakiq dhe jemi marrë vesh që punët të kryhen gjatë këtij muaji. Shpresoj se kjo do të ndodhë. Hapja e urës do të bëhet me një ceremoni solemne, ku do të jenë të ftuar edhe zyrtarët e Brukselit.

“Epoka e re”: Javën e kaluar është raportuar se atje po ndërtohet edhe një mur ndarës?
Bahtiri: Ai mur nuk është pjesë e ndarjes, por pjesë e ndarjes së rrethrrotullimit në pjesën e shëtitores. Pjesa e parë është 40 centimetra, kurse pjesa e dytë dhe e tretë janë nga 70 centimetra, ku do të mbillen lule dhe ajo është për mbrojtjen e fëmijëve që mund të bien viktimë e komunikacionit të rrethrrotullimit në pjesën e veriut sikur që janë në të gjitha vendet evropiane. Kjo mendoj se është puna më e mirë që është bërë deri më tani. Shpresoj se së shpejti do të bëhet përurimi i urës në mënyrë që të ketë lëvizje të lirë në atë pjesë. Unë jam duke punuar ngushtë me qytetarët për të mirën e tyre. Falënderoj popullin e Mitrovicës për mbështetjen e vazhdueshme!

Shqipe HETEMI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
AC Milan po riformatohet pas ndryshimit të pronësisë. Kuqezinjtë janë…