Shkoi të ndiqte ndeshjen në San Siro por humbi/ Historia e zvicerianit që kaloi 10 vite duke jetuar rrugëve të Milanos

04 korrik 2022 | 19:41

Një tifoz futbolli përfundoi duke fjetur i vetëm në rrugët e qytetit për 10 vjet pasi humbi në fund të një ndeshjeje në stadiumin ikonik San Siro.

Pensionisti zviceran Rolf Bantle udhëtoi në Itali për të parë Baselin të përballet me Interin në një ndeshje kualifikuese të Champions League në 2004. Gjatë ndeshjes, e cila përfundoi në një fitore 4-1 për skuadrën vendase, Bantle shkoi në tualet, por u çorientua dhe nuk mundi të gjente miqtë e tij pas përfundimit të ndeshjes pasi nuk kishte as telefon me vete për të komunikuar me ta.

Ai vendosi të qëndronte në Milano pasi “nuk kishte asnjë angazhim” dhe përfundoi duke qëndruar për një dekadë, duke fjetur i vetëm në rrugët e qytetit. Duke folur për gazetën zvicerane Schweiz am Sonntag në vitin 2015, Bantle tha se ai “gëzonte lirinë” e stilit të tij të pazakontë të jetesës në Itali.

“Isha papritmas në një sektor tjetër të stadiumit. Kisha rreth 20 euro në xhep dhe pa telefon, kështu që u futa në Milano,” tha Bantle. “Njerëzit më dhanë ushqim dhe cigare, dhe një student më ofroi një çantë gjumi.”

Bantle u raportua i zhdukur pas ndeshjes, por nuk kishte të afërm dhe kishte jetuar në një qendër rehabilitimi për shkak të konsumit të tepërt të alkolit para udhëtimit të tij në Itali. Pasi vendosi të qëndronte në Milano, Bantle bënte dush një herë në javë në një banjë publike dhe vizitonte shpesh bibliotekën lokale, tha ai për gazetën zvicerane.

“Nuk kisha më asnjë arsye për të shkuar në shtëpi. E shijova lirinë e Milanos”, shtoi ai.

Bantle më në fund u kthye në Zvicër pasi ra dhe theu këmbën e tij. Punonjësit e spitalit italian e kuptuan se ai nuk kishte sigurim shëndetësor dhe kontaktuan konsullatën Zvicerane, e cila rregulloi ta dërgonte atë në shtëpi. Në kohën e publikimit të lajmit në vitin 2015, Bantle jetonte në një shtëpi të moshuarish në Zvicër dhe me sa duket i kënaqur që nuk ishte në rrugë.

“Më pëlqen këtu”, shtoi ai. “Dhjetë vite janë të mjaftueshme dhe këtu ndihem shumë mirë tani”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka shpallur të papranueshme kërkesat…