Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve reagon për bastisjen e banesës në familjen e heronjve të kombit, Fahri e Bahri Fazliu

12 shtator 2023 | 19:53

Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Kombit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetar i së cilës është Xhavit Jashari, ka reaguar në lidhje me bastisjen në banesën e familjes së heronjve dhe dëshmorëve të kombit, Fahri e Bahri Fazliu.

Në reagim thuhet se Gjykatë Speciale po prek atje ku nuk duron më asnjë popull, duke prekur mbi gjakun e derdhur për çlirim dhe liri kombëtare.

“Lajmi më i papritur sot ishte bastisja në familjen e Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit, Fahri e Bahri Fazliu! Lajm që nuk mund ta marrë me mend askush në një shtet normal, në jetën historike të një populli që ka luftuar bashkë me vendet demokratike ndërkombëtare për çlirim dhe liri”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së.

Reagimi i plotë i kësaj shoqate:

Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Kombit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Xhavit Jashari, kryetar

Bastisen heronjtë dhe Dëshmorët e lirisë së Kosovës

Lajmi më i papritur sot ishte bastisja në familjen e Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit, Fahri e Bahri Fazliu!
Lajm që nuk mund ta marrë me mend askush në një shtet normal, në jetën historike të një populli që ka luftuar bashkë me vendet demokratike ndërkombëtare për çlirim dhe liri.
Lajm që tronditi të gjithë ata qytetarë të Kosovës, sidomos familjet e Dëshmorëve të Kombit të Luftës së UÇK-së. I ka tronditur të gjithë qytetarët e Kosovës dhe Familjet e Dëshmorëve, për faktin se po shkelet mbi idealet e brezave të tërë të veprimtarëve të lirisë dhe të çlirimit nga pushtimi sllav. I ka tronditur të gjithë njerëzit normal të këtij vendi, për faktin se kjo Gjykatë Speciale që i thonë e Kosovës, ka prekur atje ku nuk duron më asnjë popull. Ka prekur mbi gjakun e derdhur për çlirim dhe liri kombëtare. Sot kanë bastisur familjen e heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit, Fahri dhe Bahri Fazliu, kurse nesër mund t’ia mësyjnë edhe Familjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari. Ngase, kjo Gjykatë Speciale jo vetëm po e nëpërkëmbë Luftën e Ushtrisë Çlirimtare, duke burgosur të gjithë aa që ishin në vijën e parë të frontit për çlirim dhe liri, por ka zënë e po e nëpërkëmbë edhe gjakun e Dëshmorëve të Kombit. Nuk ka njeri normal që mund ta logjikojë këtë veprim të kësaj Gjykate përveç faktit se ka qëllim që ta njollos luftën për liri të një populli të robëruar për më shumë se një shekull. Në një shtet si Kosova, sa duket ehe mund të ndodhin bastisje të këtilla, kurdo që i teket dhe kurdo që i bie ndërmend një Gjykatë të këtillë, që i thonë e Kosovës, por që selinë e ka në Hagë dhe ku asnjë shenjë të Kosovës si shtet nuk e ka në strukturën e punës së saj. Kurse qeveritarët tanë, që nuk pushojnë duke marrë nëpër gojë të gjitha nivelet e drejtësie në Kosovë, deri edhe Gjykatën Kushtetuese, nuk e thonë një fjalë, qoftë si propagandë për veshët e popullit, që është mësuar me logjikën e nëpërkëmbjes së vlerave të Luftës së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo bastisje jep për të kuptuar se këtu nuk ka më shtet, nuk ka organe shtetërore, nuk pyetet askush, andaj tashti bastisen edhe familjet e Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit, sepse të vetmin faj që e kanë bërë, është se ka luftuar kundër pushtuesit dhe kanë rënë për lirinë e atdheut tonë.
Prishtinë, më 12 shtator 2023

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një hetim i gjerë nisi menjëherë pas raportimit, ku u…