Shpallet fituesi për projektin dhe studimin e fizibilitetit për hekurudhën Durrës-Prishtinë!

15 nëntor 2023 | 11:56

Dy kompani janë shpallur fituese për të bërë studimin e fizibilitetit dhe projektin për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë. Kompanitë brenda 14 muajsh duhet të identifikojnë gjatësinë e hekurudhës, vendet ku do të shtrihet si dhe të nxjerrin një analizë të kostove dhe përfitimeve. Projekti hekurudhor që lidh Shqipërinë me Kosovën përllogaritet të kushtojë 700 milionë euro.

Në vitin 2025, do të jetë gati projekti për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë, e cila parashikohet të ketë një kosto 700 milionë euro, dhe do të financohet nga buxhetet e dy shteteve Shqipëri-Kosovë.

Këtë të mërkurë është shpallur fituesi i tenderit të hapur në korrik të këtij viti për bërjen e studimit të fizibilitetit dhe projekt-idenë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë. Mes 5 ofertave fituese është shpallur ajo e bashkimit të dy operatorëve “ILF Consulting Engineers Austria GmbH” – ABKONS SH.P.K. të cilët kanë ofruar 168.9 milionë lekë për të realizuar këtë projekt. Kompanitë do të kenë afat 14 muaj për të bërë studimin e fizibilitetit dhe për të ndërtuar projekt idenë e hekurudhës Durrës-Prishtinë.

Qëllimi i tenderit është kryerja e një studimi fizibiliteti të lidhjes së re hekurudhore Durrës-Prishtinë, ku kompanitë do të identifikojnë gjatësinë e hekurudhës, gjurmën ku do të kalojë përgjatë qyteteve, duke përfshirë planet për ndërtimin e urave, tuneleve, nën kalimeve apo mbikalimeve si dhe stacionet për pasagjerët përgjatë linjës së hekurudhës. Si dhe të bëjë të gjitha analizat mbi kostot e investimit, shpenzimet e funksionimit dhe mirëmbajtjes.

Pjesë e studimit të fizibilitetit do të jetë edhe situata gjeologjike e terrenit ku do të shtrihet hekurudha raporti topografik dhe ndikimi mjedisor. Në relacionin e tenderit thuhet se projekti ka si prioritet krijimin e një infrastrukture moderne hekurudhore për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të sigurta drejt krijimit të tregut të përbashkët hekurudhor.

Në buxhetin e vitit 2024 janë vënë në dispozicion të projektit të fizibilitetit për këtë hekurudhë 50 milionë lekë, ndërsa në buxhetin aktual shpenzimet e parashikuara janë 73 milionë lekë.

Ky projekt ambicioz është mbështetur nga të dyja qeveritë gjatë mbledhjeve të përbashkëta, dhe kanë shprehur domosdoshmërinë e lidhjes hekurudhore mes dy shteteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipëria, por mbi të gjitha trajneri Sylvinho, ajo që po…