‘Shpërblehen’ të padisiplinuarit në ndeshjet e barazhit

18 qershor 2019 | 19:04

Komisioni Disiplinor i Shkallës së Parë i Federatës së Futbollit të Kosovës shqyrtoi procedurat e hapura nga mbledhja e kaluar e komisionit lidhur me të padisiplinuarit nga ndeshjet përcaktuese të barazhit.

Ky komision e ka dënuar me katër ndeshje moslojë futbollistin e Trepçës ’89, Ylber Maloku, i cili në ndeshjen e barazhit e ka grushtuar lojtarin kundërshtar. Me katër ndeshje moslojë për arsye të njëjtë është dënuar edhe mesfushori i Vëllaznimit, Kushtrim Gashi. Dënim më të rëndë komisioni në fjalë i ka dhënë futbollistit të Vëllaznimit, Samir Sahitit.

Ky i fundit është dënuar me gjashtë ndeshje moslojë për shkak se e ka fyer dhe i ka sharë drejtuesit e FFK-së si dhe ka tentuar ta sulmojë gjyqtarin kryesor të takimit, Mervan Bejtullahun. Lojtari tjetër i Vëllaznimit, Jeton Dushi, është dënuar me tri ndeshje për manifestim të sjelljeve josportive – të gabuara (fyerje, sharje ndaj gjyqtarëve të takimit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës). Në procedurë të hapur mbetet kryetari i KF Vëllaznimi, Agim Cana, kurse drejtori i kësaj skuadre, Ahmet Morina, është pezulluar deri në vendimin përfundimtar, raporton “Epoka e re”.

Ndërsa Komisioni Disiplinor ka hapur procedurë disiplinore ndaj KF Vëllaznimi dhe ndaj zyrtarit të këtij klubi, Blerim Mula. Procedurë disiplinore është hapur edhe ndaj skuadrës së Gjilanit. Ndërsa futbollistit të Besës së Pejës, Egzon Gashit, i është tërhequr vërejtja e fundit për shkak se ka dhënë deklarata në portale dhe ka shkruar një status në “Facebook” me të cilin e ofendon gjyqtarin kryesor Mervan Bejtullahun.

/Epoka e re/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas përfundimit të Konventës së PDK-së, dhe pas përfundimit të…