Shqipëri, biznesi mes vështirësive për të tretin vit më radhë

05 janar 2023 | 13:24

Në Shqipëri sektori i biznesit ka mbyllur vitin e tretë të vështirë, pas goditjeve të njëpasnjëshme, të tërmetit të vitit 2019, pandemisë së koronavirusit, 2020-2021, dhe agresionit rus në Ukrainë, në shkurt të vitit që lamë pas, që tronditi gjithashtu gjithë ekonominë botërore.

Për pasojë çmimet e lëndëve të para, u rritën me dy deri në tre herë, duke sjellë dhe rritje të kostove të prodhimit.
Përfaqësues të sipërmarrjes private thonë se janë ndjerë në vështirësi të mëdha dhe se nuk e gjetën veten të mbështetur me paketa subvencionuese nga qeveria, sikundër ndodhi në vende të tjera.

Inflacioni mesatar për vitin 2022 ishte rreth 7 për qind, ose rreth dy herë më shumë se para fillimit të luftës në Ukrainë. Por ndonëse rënduan konsumatorët, çmimet më të larta sollën 14 për qind, ose rreth 500 milionë euro, më shumë të ardhura në buxhet, se një vit më parë.

Përfaqësues të sipërmarrjes thonë se këto të ardhura, duhet të kthehen sërish tek qytetarët dhe biznesi përmes paketave mbështetëse.

“Ka një tepricë të ndjeshme të të ardhurave për vitin 2022, dhe minimumi është që kjo tepricë duhej t’i kthehej sipërmarrjes dhe qytetarëve shqiptarë. Një gjë të tillë e kanë bërë të gjitha vendet e BE-së, dhe jo vetëm kaq, por kanë përfshirë dhe paketa subvencionuese në mbështetje të sipërmarrjes, për të mundësuar lehtësimin e kalimit të krizës”, u shpreh për “Zërin e Amerikës” Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë.

Por zyrtarët qeveritarë bëjnë llogari të tjera kur bëhet fjalë për të ardhurat e shtuara në buxhet, kryesisht nga rritja e çmimeve.

“Shumica e publikut e mendon në formën e thjeshtë, që ka më shumë të ardhura dhe këto fonde janë atje shtesë, si tepricë, por nuk është kështu. Gjatë këtyre dy viteve, për shkak të rolit shtesë që mori qeveria për pandeminë dhe procesin i rindërtimit borxhi publik është rritur. E para janë kostot shtesë që duhen mbuluar, e dyta janë dhe kostot e marrjes së huas me normat e interesit ndërkombëtar që janë rritur. Për të mbajtur procesin fiskal dhe makroekonomik të pandryshuar është e nevojshme që borxhi të mbahet nën kontroll dhe të ulet, në mënyrë që vitet e ardhshme në rast se kemi goditje negative, të jemi në kushte optimale për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë”, është shprehur Besart Kadia, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë.

Për të amortizuar krizën qeveria e Shqipërisë miratoi gjatë vitit të shkuar dy paketa të rezistencës sociale, për shtresat në nevojë.

Pensionet u indeksuan me 9.5 për qind, pagat për disa kategori u rritën me 7-15 për qind, dhe mbështetja financiare në total arriti rreth 360 milionë euro, ku pjesën kryesore e mbajti subvencionimi i çmimit të energjisë elektrike me rreth 280 milionë euro.

Çmimi i energjisë u liberalizua pjesërisht vetëm për biznesin e lidhur me tensionin e mesëm.

Zyrtarët thonë se subvencionimi i energjisë elektrike për biznesin si dhe mbajtja e taksave të pandryshuara është një mbështetje optimale për sipërmarrjen private në kushtet e krizës. Por përfaqësues të opozitës mendojnë se biznesi nuk pati mbështetje të mjaftueshme.

“Biznesi duhej të kishte sistem taksash më të lehtë, sot e kemi me 6 nivele. Përkundrejt kësaj qeveria synon të prezantojë amnistinë fiskale, që rrit informalitetin. Duhej të kishim synuar të rrisnim formalitetin, ndërkohë qeveria duke prezantuar taksa të reja dhe duke e shtrënguar më shumë, do të rrisë informalitetin. Duhej të kishim pasur një strategji afatmesme për zhvillimin, por dhe për mbledhjen e të ardhurave”, ka thënë për “Zërin e Amerikës” Jordia Tabaku, deputete e PD-së.

Duke iu referuar nismave financiare të qeverisë për rritjen e pagave për disa kategori në administratën publike, Tabaku, sjell në vëmendje se sipërmarrja private, që ka numrin më të lartë të të punësuarve rreth 90 për qind, nuk ka pasur mundësi të rrisë pagat, për shkak të krizës. Për pasojë punonjësit e sektorit privat, sipas saj janë të pambrojtur përballë rritjes së çmimeve.

Ndonëse inflacioni mesatar për vitin 2022, ishte rreth 7 për qind mjaft ekspertë kanë ngritur shqetësime, se artikuj të domosdoshëm të shportës si vajrat, drithërat apo bulmeti, patën një rritje disa herë më të lartë se ajo e pagave dhe pensioneve, dhe se kjo rëndoi së tepërmi buxhetin familjar. Madje dhe rritjen e dërgesave të emigrantëve me 10 për qind për periudhën janar – shtator 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ata e shohin të lidhur me pamundësitë e familjeve për të përballuar krizën pa ndihma nga të afërmit e tyre jashtë vendit. Zyrtarët qeveritarë thonë se është vështirë të kompensohet çdo shtresë shoqërore për të gjitha kostot e shportës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paul Parsons është një artist që punon me inteligjencën artificiale.…