Shqipëria arrin fitore minimale ndaj Andorrës

25 mars 2021 | 22:41

Shqipëria e ka nisur me këmbën e mbarë fushatë eliminatore të Kupës së Botës. Kuqezinjtë morën një fitore minimale në transfertën ndaj Andorras, edhe pse në fakt nuk shfaqen një lojë shumë bindëse. Reja i besoi formacionit të tij të zakonshëm 3-5-2. Në sulm i besoi Cikalleshit dhe Manaj, duke lënë në stol Uzunin. Sfida nisi e qetë me aksione më të mira nga Kombëtarja jonë, teksa Hysaj dhe Lenjani nga krahët shfaqen shpesh herë në fazën e avancuar. Në minutën e 26-të, Manaj fiton një faull, të cilën e ekzekuton vetë por do të ndalej nga një pritje e portierit vendas. Pak sekonda më pas Cikalleshi provoi me një goditje të fortë, që u ndal që në nisje nga mbrojtësit.

Në minutën e 35-të, Gjimshiti ka shansin e artë për të shënuar pasi ishte i lirë në zonë pas një goditje nga këndi, por tentativa e tij me sup përfundoi shumë jashtë kuadratit. Gjithsesi goli nuk do të vononte. Në minutën e 40-të, Keidi Bare shërbeu një asist fantastik për Lenjanin, që e finalizon në perfeksion duke e dërguar topin në trekëndësh. Tri minuta më pas Marash Kumbulla ishte thuajse me portën e boshatisur, por goditja e tij me kokë përfundoi ngjitur me shtyllën e portës së Gomes.

Fraksioni i dytë nuk nisi aspak mirë për Kombëtaren tonë që i la më shumë hapësira kundërshtarit, ndërkohë që mori dhe shumë kartonë të verdhë me një lehtësi të frikshme nga gjyqtari bullgar. Manaj, Gjimshiti dhe Gjasula u ndëshkuan për faulla të lehtë. Duke parë momentin e vështirë, Reja ndërhyn duke hedhur në fushë Uzunin dhe Lacin në vend të Memushaj dhe Manajn.

Kuqezinjtë vuajnë deri në minutën e 70-të, teksa më pas bëhen sërish të rrezikshëm. Duke parë vështirësitë në ritmin e lojës në minutat e fundit Shqipëria aktivizon në minutat e fundit Brojën dhe Roshin. Një minutë nga fundi i kohës së rregullt, Broja bën një veprim fantastik në zonë dhe më pas godet me të majtën, por që do të ndalej nga Gomes. Anglia ndërkohë fitoi me lehtësi 5-0 kundër San Marinos, me dy gola të Calvert-Lewin, një të Ward-Prowse, një nga Sterling dhe Watkins.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i ri i Komitetit Olimpik të Kosovës është shpallur,…