Shqipëria do të pranojë mbi 15 mijë doza të vaksinës anti-Covid nga ‘Pfizer’-i

01 mars 2021 | 13:44

Autoritetet në Shqipëri kanë njoftuar se të hënën në mbrëmje do të pranojnë 15 mijë e 210 doza të vaksinës kundër koronavirusit nga kompania amerikane “Pfizer”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Orgeta Manastirliu, ka bërë me dije se me këtë kontingjent të ri do të përfundojë vaksinimi i stafit mjekësor dhe do të vazhdojë vaksinimi i personave mbi 80 vjeç.

“Brenda dy javëve të para të marsit pritet të mbërrijnë edhe 14 mijë e 400 vaksina të ‘AstraZenecas’, me të cilat do të vijojmë vaksinimin, duke pasur prioritet mësuesit”, ka thënë Manastirliu.

Shqipëria, pothuajse në baza javore, po pranon kontingjente të dozave të vaksinës së Pfizer-it.

Deri më tani, Tirana zyrtare ka pranuar 17 mijë 355 doza të vaksinës së “Pfizer”-it.

Fushata e vaksinimit në Shqipëri ka nisur më 11 janar.

Në bazë të kontratës së nënshkruar me kompaninë “Pfizer”, Shqipëria pritet të marrë mbi 500 mijë doza të vaksinës.

Gjatë muajit shkurt, kryeministri i Shqipërisë kishte njoftuar se nga kompania farmaceutike britanike, “AstraZeneca” pritet të marrin në total 360 mijë doza të vaksinës, të dhuruara “nga një shtet mik”, por pa treguar se nga cili shtet do të merren këto doza.

Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk ka nisur vaksinimin e popullatës kundër koronavirusit, pasi ende nuk ka siguruar asnjë dozë të vaksinës.

Autoritetet në Prishtinë kanë thënë se në fillim të marsit, pritet të vijë kontingjenti i parë i vaksinave të AstraZenecas, të cilat Kosova i ka siguruar përmes programit “COVAX”.

Programi “COVAX”, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vendet e varfra.

Nga ky program, Kosova është thënë se do të përfitojë falas doza për vaksinimin e 20 për qind të popullsisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurori i Shtetit ka njoftuar se me urdhër të prokurorit…