Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”
Kombëtarja e Shqipërisë është mposhtur 0:1 nga Izraeli në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, në debutimin e trajnerit italian Rolando Maran në stolin kuqezi.
Golin e vetëm të takimit e realizoi Oscar Gloukh në minutën e 73-të, duke i siguruar fitoren mysafirëve pas një aksioni të mirë të skuadrës izraelite.
Shqipëria nuk arriti të zhvillojë një paraqitje bindëse dhe gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes hasi vështirësi në krijimin e rasteve të pastra për gol.
Mundësia më e mirë për kuqezinjtë erdhi që në minutën e 10-të, kur Anis Mehmeti u gjend në pozitë të favorshme, por goditja e tij nga afërsia përfundoi mbi portë, transmeton Klankosova.tv.
Pavarësisht disa tentimeve në vazhdim, skuadra e drejtuar nga Maran nuk gjeti rrugën e rrjetës dhe e mbylli ndeshjen me humbje në testin e parë të epokës së re.
Trajneri italian do të ketë ende punë për të bërë për t’i dhënë identitet dhe stabilitet Shqipërisë, ndërsa miqësorja ndaj Izraelit tregoi se kuqezinjtë kanë nevojë për përmirësime në repartin ofensiv dhe në organizimin e lojës.



