Shqipëria në krye të OSBE-së: Shkëlqimi që duam fillon nga brenda

12 dhjetor 11:45

Prof. Lisen Bashkurti

Pak ditë më parë Qeveria e Shqipërisë u prezantua në ceremoninë e marrjes së drejtimit të OSBE për vitin 2020. Padyshim, për Shqipërinë është një moment i rëndësishëm në politikën e jashtme, diplomaci dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Për herë të parë, një vend si Shqipëria, merr përsipër një mision kaq të rëndësishëm në organizatat ndërkombëtare.

Dy fjalë për OSBE-në

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë është organizata ndërqeveritare më e madhe e orientuar drejt këtyre fushave kryesore: kontrollit të armëve, promovimit të të drejtave të njeriut, lirisë së shtypit dhe zgjedhjeve të lira. Në këtë organizatë marrin pjesë 57 shtatë vende nga Evropa, nga Azia Qendrore dhe Veriore dhe nga Amerika Veriore. OSBE-ja u krijua në periudhën e detentes së Luftës së Ftohtë si një forum midis dy blloqeve, të Lindjes dhe Perëndimit.

Shqipëria, ishte i vetmi vend në hapësirën Euro-Atlantike që ndenji jashtë procesit të Helsinkit, dhe jo vetëm kaq, por e kritikoi ashpër atë. Le të kujtojmë se pikërisht përgjatë procesit të Helsinkit, 1973-1975 udhëheqja komuniste e Shqipërisë ndërmori reprezaljet e pashembullta kundër ‘grupeve armiqësore’ në tre fusha: në kulturë, letërsi dhe arte, në ekonomi dhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Pra, udhëheqja komuniste shqiptare e kohës, jo vetëm që nuk iu bashkua procesit të Helsinkit, por mori masa, përmes ndëshkimeve deri me vdekje, kundër ‘tre shportave’ të Helsinkit. Falë ndryshimeve demokratike politike, ekonomike dhe shoqërore të mbas viteve ‘90-të, koha e solli, mbas afro 45 vjetësh, që Shqipëria të kryesojë OSBE.

Fjalimi i Ramës i paqartë, anashkalues dhe propogandistik

Zgjedhja në krye të OSBE, padyshim që është moment për t’u shënuar në historinë e politikës së jashtme, të diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë. Në ceremoninë e marrjes së misionit drejtues te OSBE, kryeministri i Shqipërisë, Rama, parashtroi objektivat kryesore të presidencës shqiptare gjatë këtij mandati.

Paraprakisht mund dhe duhet të theksojmë se, bazuar në Traktatin e Helsinkit, OSBE është fokusuar në tre fusha kryesore: a) Fusha e kontrollit të armëve dhe sigurisë; b) Fusha e të drejtave të njeriut, me theks liria e shprehjes dhe e mediave; c) Fusha e zgjedhjeve demokratike, pluraliste, të lira e të ndershme. Objektivat dhe prioritetet e OSBE janë brenda këtyre fushave, duke reflektuar zhvillimet e sfidat në periudha të ndryshme zhvillim. Përgjatë parashtrimit të objektivave të presidencës, Kryeministri Rama mbajti një fjalim të paqartë, të mangët, anashkalues e në mjaft aspekte propogandistik.

Kryeministri i iku, jam i bindur pa sukses përballë audiencës së OSBE, tre fushave kryesore të objektivave të organizatës, duke i cekur përciptazi dhe duke i anashkaluar ato. E kjo, më shumë sesa nga padija është bërë për shkak se në të tre fushat kryesore të OSBE, Shqipëria ka probleme serioze dhe përballet me sfida të mëdha brenda saj.

Le t’i hedhin një sy fjalimit. Rama theksoi…

”Ky është një moment historik dhe inspirim për Shqipërinë…Ne kemi marrë vendim për sa i përket të ardhmes së vendit tonë sesi e shohim të ardhmen në vitet e ardhshme, shpresoj te iniciativa jonë me partnerët për të vijuar bashkëpunimin”.

Artikulim ndërkombëtarisht i paqartë, konfuz dhe sofistik. Akoma më tej…

”Ka shumë vendime kyçe me të cilat ne nuk kemi marrëveshje të qëndrueshme”.

Formulim i paqartë, i përgjithshëm, madje i keqkuptueshëm për audiencë ndërkombëtare dhe për pasojë i panevojshëm. Për çfarë fushash bëhet fjalë, në çfarë nivelesh janë këto mosmarrëveshje, në çfarë formatesh shpalosen ato, si mund t’i adresojë OSBE nën udhëheqjen e Shqipërisë. Asnjë fjalë.

Më tej Rama theksoi se…

”Ka në fakt shumë çështje që kanë të bëjnë jo vetëm me termat e politikës, por edhe sigurisë”.

Cilat janë ato për të cilat do angazhohet presidenca shqiptare?! Asgjë.

Më tej, Rama thekson…

“Do të bëjmë të pamundurën për të parë përpara”.

Gjë e stërnjohur dhe përdorur në retorikën politike. Të vështruarit përpara nuk është objektiv, por detyrim principal. Vështrimi përpara është mision dhe vizion i cdo organizate ndërkombëtare, që buron nga parimet e normat universale të OKB, nën ombrellën e së cilës krijohen dhe funksionojnë gjithë subjektet ë të drejtës ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatat rajonale, siç është OSBE.

Më tutje Rama theksoi…

“Ky është një moment historik dhe inspirim për vendin tonë…Kjo lidhet me marrëdhëniet e mira me anëtarët”…dhe me “mikpritjen që karakterizon Shqipërinë”.

Fjali pa kurrfarë lidhje me rastin konkret, formulime gjuhësore proelikse, artikulime të papërshtatshme dhe të pakuptueshme ndërkombëtare, të cilave u shtohet një tjetër frazë, eklektike, jo logjike siç është…

“Edhe një tjetër element i rëndësishëm i Shqipërisë është harmonia fetare”(?!).

Çfarë lidhje ka ky konstatim me rastin në fjalë?! Jo çdo vlerë kombëtare mund të shitet në çdo treg ndërkombëtar. Përdorimi frazave jashtë çdo lloj konteksti të traktatit të Helsinkit, objektivave dhe formatit të OSBE, është i panevojshëm, i padobishëm, i padrejtë dhe për rrjedhojë ndërkombëtarisht i keqkuptueshëm.

Më tutje Kryeministri theksoi se gjatë presidencës

”Do të fokusohemi duke implementuar së bashku koordinimin e të gjitha politikave tona për të rritur kredibilitetin tonë”…

Koncept i paqartë?! Kredibilitetin e kujt, të OSBE, të shteteve të caktuara, apo të Shqipërisë?! OSBE ka kredibilitet shumë të mirë ndërkombëtarë. Natyrisht, shtete të ndryshme kanë reputacion të ndryshëm, por ky diversitet reputativ nuk cenon reputacionin e organizatës në tërësi, në nivel ndërkombëtar.

Nëse, është fjala për të ngritur kredibilitetin ndërkombëtar të Shqipërisë, i cili është mjaft i luhatshëm dhe kohët e fundit mjaft i dobët, sidomos në dy prej fushave të OSBE, të të drejtave të njeriut dhe të zgjedhjeve demokratike, ky përcaktim do ishte kryekëput i gabuar.

Presidenca e një organizate ndërkombëtare, siç është edhe OSBE nuk ka për mision dhe nuk mund të përdoret për interesa e politika nacionale, por vetëm për interesat dhe politikat e mbarë organizatës. Në raste të misioneve të tilla, vendin e flamurit nacional e zë flamuri i organizatës. Ky është një mision ndërkombëtar, është shumëpalësh, bazuar dhe brenda kuadrit të parimeve të traktatit të organizatës dhe në objektivat e saj të miratuara dhe të respektuara nga të gjithë shtetet anëtare të saj. Përdorimi i misioneve drejtuese të organizatave ndërkombëtare për interesa e qëllime të shteteve individuale, çoftë edhe për propagandë apo promocion, i bie ndesh të drejtës ndërkombëtare diplomatike për organizatat ndërkombëtare të OKB.

Duke folur për disa fusha kryesore të objektive të OSBE, siç janë zgjedhjet demokratike të lira dhe të ndershme, kryeministri përciptazi tha…

“Duke monitoruar zgjedhjet dhe mbështetur reformat, puna e OSBE-së ka qenë ngushtësisht e lidhur me njerëzit”.

Me këtë enumeracion si zgjedhjet, reformat, njerëzit, kryeministri parashtroi përciptazi, në mënyrë anashkaluese, pikërisht ato përgjegjësi dhe objektiva kryesore të OSBE/ODIHR. Rama, kështu tentoi, ndonëse pa sukses, t’i ikë objektivave të drejtpërdrejta të OSBE, pikërisht sepse ato prekin në radhë të parë e kryekëput problemet e drejtpërdrejta të Shqipërisë në këto fusha.

Më tutje, duke folur për rëndësinë e dialogut, që vijon të mbetet ‘thembra e Akilit’ e politikës shqiptarë në kohët tona, Rama tha…

“Për sa i përket vijimit të dialogut, kjo është e vetmja mënyrë për të rindërtuar besimin mes nesh”.

Kujt ia thotë këtë kryeministri i Shqipërisë?! Çfarë modeli ofrojnë politika dhe institucionet shqiptare në dialogun politik, cilët janë aktorët dhe faktorët, cilët janë shkaqet e mungesës së dialogut politik në Shqipëri?

Dhe, duke prekur çështjet e mirëqeverisjes, Rama theksoi…

“Korrupsioni dëmton prosperitetin e të gjithë rajonit (?!),…së bashku me kërcënimet e tjera. Do të luftojmë korrupsionin”(?!).

Një narrativë e tipit sllogan tejet e përgjithshme dhe propogandistike, krejtësisht e pabesueshme në gojën e një kryeministri, qeveria dhe administrata e të cilit është ndërkombëtarisht dhe europianisht e damkosur për nivel të lartë dhe në rritje të korrupsionit. Shqipëria e Kryeminstrit Rama, mjerisht, është në listën e vendeve me nivelet më shqetësuese të korrupsionit.

Më tej, dhe si për gabuar sërish, për herë të dytë…Rama konkludoi duke thënë se është…

“Nder dhe përgjegjësi e madhe drejtimi i kësaj organizate ndërkombëtare të dorës së parë, si edhe mundësi e jashtëzakonshme për ta bërë Shqipërisë të shkëlqejë në krye të punëve të mëdha e të sfidave të posaçme të OSBE”.

Fjali më e pakuptimtë, më e gabuar, më propogandistike, më mburracake, nuk mund të formulohet. Drejtimi i një organizate na qënkesh një ‘mundësi e jashtëzakonshme për ta bërë Shqipërinë të shkëlqejë në krye të organizatës”(?!) Nga buron shkëlqimi i Shqipërisë…

Shkëlqimi buron nga brenda

Presidenca Shqiptare e OSBE merret në një kohë jo të lavdishme, por shumë problematike për Shqipërinë, në të tre fushat kryesore të funksioneve të OSBE: në fushën e sigurisë, të të drejtave të njeriut dhe të lirisë së shprehjes dhe medieve si dhe në zgjedhjet demokratike pluraliste.

Shkëlqimi i Shqipërisë buron nga brenda. Historia e marrëdhënieve Shqipëri-OSBE nuk është histori suksesi, por histori problematike. Fakti që OSBE vazhdon të mbajë mision brenda Shqipërisë është tregues kokëfortë se vendi ka akoma sfida për të cilat është e domosdoshme prania, asistimi, monitorimi, evoluimi dhe raportimi i OSBE.

OSBE ka prezencë në një numër të vogël, krahasuar me 57 anëtarët e saj. Prezenca në terren e OSBE lidhet me ato vende ku organizata synon të zbatojë objektivat e saj në praktikë, të zhvillojë kapacitetet institucionale dhe njerëzore, të nxisë iniciativat për zbatimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve, reformat legjislative, sundimin e ligjit dhe lirinë e medias, të promovojë tolerancën dhe mos-diskriminimin, të realizojë zgjedhje demokratike, pluraliste të lira dhe të ndershme dhe aspekte të tjera.

Si paraqitet Shqipëria e kryministrit Rama në këto fusha?! Së pari, vetë vijimi i prezencës së OSBE në Shqipëri është tregues e ekzistencës së problemeve të shumta në fushat e objektivave të organizatës. OSBE nuk ka prezencë në vende me siguri të lartë dhe demokraci të konsoliduar.

Së dyti, referuar vetë raporteve të OSBE, Shqipëria e kryeministrit aktual ballafaqohet me probleme serioze në të drejtat e njeriut. Vendi ynë është i kritikuar gjerësisht ndërkombëtarisht për mungesë të sundimit të ligjit, pra për shtet jo ligjor. Vetë kriza e vonesave të aplikimit të reformës në drejtësi reflekton këtë gjendje. Gjithashtu, Departamenti i Shtetit, BE, Rezoluta e Bundestagut Gjerman, shumë Organizata ndërkombëtare vijojnë në kontinuitet të kritikojnë dhe t’i vënë kushte Shqipërisë në këtë fushë.

Së treti, mungesa e dialogut politik dhe institucional po gërryen bazat e shtetit dhe të demokracisë në Shqipëri. Përgjegjësitë për këtë situatë i bien kryesisht mazhorancës së Kryeministrit Rama, e cila ka detyre të krijojë klimën dhe të mbështesë me hapa konkretë dialogun institucional, bazuar në kushtetutë dhe ligje, dhe jo ta rrënojë atë, siç po ndodh me sjelljen arrogante të saj ndaj Presidenit të Republikës, ndaj krijimit të Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të tjera të drejtësisë, si të bllokimit të dialogut politik, duke synuar ta përdorë atë thjeshtë për fasadë propagandistike.

Së katërti, liria e shprehjes dhe e medies është nga objektivat themelore të OSBE. Tanimë jo vetëm opinion i brendshëm, por edhe ai ndërkombëtar ka rritur shumë zërat kritikë lidhur me lirinë e shprehjes dhe të medies në Shqipëri. Marrëdhënia cinike dhe kërcënuese e Kryeministrit Rama me medien, anatemomi si ‘kazanë’, epitetimi si ‘kadrij’, akuzimi për ‘lajme të rreme” dhe kulmi, draftimi i projekt-ligjit anti-shpifje, i kundërshtuar masivisht nga brenda dhe jashtë vendit-shprehin në tërësinë e tyre cenimet e rënda të lirisë së shprehjes dhe të medieve në Shqipëri. Madje, duket qartë se Shqipëria e Qeverisë Rama, po bën hapa prapa në këto fusha ku OSBE ka objektivat e saj themelore.

Së fundi, nga renditja jo nga rëndësia, është çështja e zgjedhjeve demokratike pluraliste të lira dhe të ndershme. Mjafton që t’i hedhin një sy të vëmendshëm raportit të fundit të OSBE/ODIHR, kushteve të BE dhe të rezolutës së Bundestagut Gjerman dhe kuptohet qartësisht gjendja tejet e rëndë e zgjedhjeve në Shqipëri, deformimet serioze parimore të pluralizmit politik si dhe cenimi i lirisë së votës, mungesa e integritetit të procesit zgjedhor, mungesa e transparencës, implikimet financiare të errëta, abuzimi i administratës e sektorit publik civil, manipulimi dhe kontrolli i mediave, krimet penale të bëra gjatë këtij procesi vitet e fundit në zgjedhje qendrore dhe vendore. Zgjedhjet politike dhe lokale nën administratën e z. Rama janë një histori e turpshme dështimi.

Në vend të konkluzioneve

Përballë një tabloje të tillë ballafaqimi midis OSBE dhe Shqipërisë së Kryeministrit Rama, marrja e presidencës së organizatës nga Shqipëria është barrë tejet e rëndë. Nuk bëhet fjalë për të shkëlqyer, por më së shumti që të mos turpërohemi më thellë. Shkëlqimi, apo mos turpërimi nisë nga brenda, pra nga Shqipëria. Fatmirësisht apo fatkeqësisht objektivat e OSBE përputhen me problematikat themelore të Shqipërisë.

Që Kryeministri Rama të shkëlqejë në krye të OSBE, lypet pikë së pari të shkëlqejë në Shqipëri, gjë që nuk po ndodh. Ai lypet të mbështesë reformën në drejtësi dhe jo ta kapë e ta deformojë atë, të respektojë të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes dhe të medias jo t’i kontrollojë e dhunojë ato, të nxisë e mbështesë dialogun institucional dhe politik në vend dhe jo ta sabotojë atë, të ndëshkojë krimin dhe korrupsionin dhe jo të fshihet prapa tyre, të bëjë reformë të plotë dhe të thellë zgjedhore në përputhje me kërkesat e standardeve të OSBE/ODIHR.

Shkëlqimi që të gjithë e duam në krye të OSBE fillon nga brenda Shqipërisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata e Grave të Shërbimit Korrektues të Kosovës, e mbështetur…