Shtatorja e heroit të kombit Fahri Fazliut përurohet në Obiliq

05 maj 2023 | 13:55

Heroi i kombit Fahri Fazliu është rikthyer i bronztë në qytetin e Obiliqit.

Në sheshin që do ta mbajë emrin e tij është zbuluar shtatorja e heroit, në Ditën e Dëshmorëve 5 Majin.

Të pranishëm ishin bashkëluftëtarë e figura të larta politike në vend e rajon, të cilët nderuan lartë jetën dhe veprën e heroit, Fahri Fazliu.

Kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka thënë se Fahri Fazliu ishte trim e burrë i fortë, dhe mbetet një frymëzim për të gjitha.

Ai shtoi se heroi qysh i ri në moshën 19-vjeçare u bë pjesë e Lëvizjes Popullore për çlirimin e vendit.

“Zbulimi i shtatores nuk po ndodh rastësisht sot më 5 maj, sepse kontributi i tij ishte i madh. Së bashku me të tjerët ishim rreshtuar krah tij dhe Lëvizjes Popullore. Fazliu ishte trim e burrë i fortë, dhe mbetet një frymëzim për mua, por edhe për shokët tanë”, ka thënë Gashi.

E iniciatori i kësaj shtatoreje, Arben Krasniqi, ka thënë se qytetarët tashme do ta nderojnë kolosin e tyre. “Nuk është rastësi që sot më 5 maj, qytetarët e Obiliqit ta nderojnë kolosin dhe heroin tonë, Fahri Fazliu. Përkushtimi i qytetarëve tanë dhe përkushtimi i nivelit lokal, bëri që shtatorja të vendoset sot këtu”, ka thënë ai.

No description available.

Në përurimin e kësaj shtatore ishte edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili tha se qyteti i Obiliqit po pasurohet edhe më shumë me vendosjen e shtatores së Fahri Fazliut.

Sipas Ahmetit, me këtë shtatore, po nderohet historia e pashlyeshme e shqiptarëve.

“Shkëlqimin Fahri Fazliut ia jep edhe më shumë sepse kjo shtatore po ngritët nga institucionet që dha jetën e gjakun. Andaj nuk i them faleminderit dikujt që punon në shtëpi të tij por puna e mbarë. Po e pasuroni Obiliqin me këtë shtatore”, është shprehur Ahmeti.

Përfaqësuesi i familjes Jashari, Bekim Jashari, ka thënë se me këtë shtatore nderohet jeta dhe vepra e madhështore e veprimtarit dhe luftëtarit të lirisë, Fahri Fazliut, i cili sipas tij, që nga protestat e vitit 1981 e deri në rënien e tij heroike bashkë me heroin Afrim Zhitia asnjëherë nuk u ndalen duke i shërbyer kauzës sonë për liri.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmoreve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka thënë se sot me zbulimin e kësaj shtatore nderojmë të gjithë heronjtë që në periudha të ndryshme kanë dhënë shumë për lirinë e Kosovës.

Në emrin e familjes Fazliu, fjalën e ka marrë i vëllai i Fahriut, Fadil Fazliu, i cili tha se sot është një ditë e veçantë për ta si familje dhe për Obliqin me rrethinë. Ai falënderoi kryetarin Gashi që mundësoi vendosjen e kësaj shtatore dhe skulptorin Sabri Behramaj, i cili e ka punuar shtatoren.

Në pamundësi të marrë pjesë në zbulimin e shtatores së heroit Fahri Fazliut, kryeministri Albin Kurti kishte dërguar telegram urimi.

Telegram urimi kishte dërguar edhe bashkëshortja e heroit Agim Ramdani, Shukrije Ramadani.

I pranishëm në zbulimin e shtatores ishte edhe Rifat Jashari, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përfaqësues të PDK-së, Xhavit Haliti e Bajrush Xhemaili, përfaqësues të FSK-së, Policisë së Kosovës, kryetarë komunash dhe deputetë.

No description available.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia për Informim dhe Privatësi, sot i ka shqiptuar gjobë…