Shteti duhet ta trajtojë me seriozitet sektorin privat

18 nëntor 2019 | 15:28

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se qeverisjet e Kosovës nuk e kanë trajtuar asnjëherë me seriozitet sektorin privat.

Ai në këtë intervistë për “Epokën e re” ka thënë se mostrajtimi me seriozitet i këtij sektori ka bërë që punëtorëve t’u shkelen të drejtat dhe të diskriminohen në paga.

Azemi ka theksuar se mostrajtimi me seriozitetit i shtetit karshi sektorit privat ka ndikuar që të rinjtë e Kosovës të orientohen kah Perëndimi.

“Punëtorët e sektorit privat nuk e kanë asnjë shenjë të marrjes nën mbikëqyrje të institucioneve shtetërore dhe se gjendja e tyre vetëm po përkeqësohet. Prandaj, me këtë ritëm po zvogëlohet edhe numri i punëtorëve që punojnë në sektorin privat, pasi një pjesë e tyre bukur e madhe janë të orientuar që të dalin në përmendim, kurse pjesa tjetër i marrin pagat 170-200 euro dhe kështu që s’kanë leverdi të punojnë për këto paga”, ka thënë Azemi, duke shtuar se rreth 70  për qind e të rinjve në sektorin privat qëllim e kanë ikjen nga Kosova.

“Është normale që në numrin e ikjeve të të rinjve kanë ndikuar edhe kushtet jo të mira në sektorin privat, pasi kjo kategori nuk është trajtuar në mënyrë serioze dhe ato pak përfitime që i kanë punëtorët e sektorit privat nuk janë zbatuar fare. Dhe kjo është arsyeja për të cilën ne nuk kemi  krijuar kushtet elementare për qëndrim të punëtorëve në Kosovë dhe për një jetë stabile sociale të tyre. Për këtë jemi të bindur se mbi 70  për qind e punëtorëve në sektorin privat qëllim përfundimtar e kanë ikjen nga Kosova, pasi s’kanë kushte minimale që të qëndrojnë këtu”, ka deklaruar Azemi.

“Epoka e re”: Z. Azemi, në çfarë gjendje janë punëtorët e sektorit privat, meqë kemi reagime të shumta për paga dhe orare të papërshtatshme?
Azemi: Punëtorët e sektorit privat nuk e kanë asnjë shenjë të marrjes nën mbikëqyrje të institucioneve shtetërore dhe se gjendja e tyre vetëm po përkeqësohet. Prandaj, me këtë ritëm po zvogëlohet edhe numri i punëtorëve që punojnë në sektorin privat, pasi një pjesë e tyre bukur e madhe janë të orientuar që të dalin në Perëndim, kurse pjesa tjetër vazhdojnë të punojnë dhe marrin paga 170-200 euro në muaj dhe s’kanë leverdi të punojnë për këto paga.

 “Epoka e re”: E përmendet orientimin e të rinjve në Perëndim. A është kjo si pasojë e kushteve jo të mira të punës në sektorin privat?
Azemi: Është më se normale që në numrin e ikjeve të të rinjve kanë ndikuar edhe kushtet jo të mira në sektorin privat, pasi kjo kategori nuk është trajtuar në mënyrë serioze dhe ato pak përfitime që i kanë punëtorët e sektorit privat nuk janë zbatuar fare. Kjo është arsyeja për të cilën ne nuk kemi  krijuar kushtet elementare për qëndrim të punëtorëve në Kosovë dhe për një jetë stabile sociale të  tyre. Për këtë jemi të bindur se mbi 70  për qind e punëtorëve në sektorin privat qëllim përfundimtar e kanë ikjen nga Kosova, pasi s’ka kushte minimale që të qëndrojnë këtu.

“Epoka e re”: Megjithëkëtë, për thirrjet tuaja ka këndvështrime të ndryshme. Nuk mund t’u rritet paga minimale punëtorëve siç kërkoni ju, pasi nuk mund të interferohet në politika të bizneseve private.
Azemi: Në fakt, politika është ajo që ka ndërhyrë në sektorin privat, pasi që nga viti 2011 e  deri më tani nuk ka ngritje edhe pse është e obliguar që deri në fund të vitit të llogaritet kosto jetësore dhe paga minimale të rritet. Por, përkundër kësaj, që nga viti 2011  nuk kemi ngritje dhe për këtë dikush duhet të japë llogari. Tani mund të them se kemi kaluar nga një fazë për të cilën dihet se ne si BSPK jemi marrë vesh që paga minimale të jetë 250 euro. Tani e pranojmë këtë pagë prej 250 eurosh, por duhet të jetë 350 euro, përndryshe pronarët e kompanive nuk do ta kenë shërbimin tonë siç e kanë pasur më herët.

“Epoka e re”: Z. Azemi, për pushimin e lehonisë, çfarë pritjesh keni, meqë kjo çështje ka mbetur në procedurë për shkak të shpërndarjes së Kuvendit?
Azemi: Ligji i Lehonisë, siç është i miratuar, parasheh që punëtorët për pushim të lehonisë tre muaj t’i paguajë shteti dhe gjashtë muaj të paguhen nga pronarët e kompanive. Por, me kërkesën tonë, e që ligji nuk ka mundur ende të amendamentohet, kemi kërkuar që gjashtëmujorin e parë ta paguajë shteti dhe tremujorin tjetër pronari i kompanisë.

“Epoka e re”: Për mospërfillje të të drejtave të punëtorëve, a është shkaktar edhe numri i vogël i inspektorëve?
Azemi: Ne nuk konsiderojmë se numri i vogël i inspektorëve është shkaku kyç që e kemi këtë gjendje, por mendojmë se kjo çështje është për shkak të moskujdesit të veçantë nga qeveria ndaj sektori privat.

“Epoka e re”: Keni paralajmëruar protesta dhe greva nëse nuk do të ketë rritje të pagës minimale prej 350 eurosh. Mund të na thoni se në çfarë formati keni planifikuar t’i organizoni këto forma të reagimit?
Azemi: Ne kemi paraparë që të martën dhe të mërkurën të kemi nga një orë protestë. Mandej të enjten do të mblidhemi me sindikata dhe të shohim se a ka ndonjë lëvizje pozitive. Në rast se nuk do të ketë ndonjë lëvizje, atëherë do të futemi në grevë pas javës që vjen.

 “Epoka e re”: Sa punëtorë do t’i bashkëngjiten protestës dhe grevës që jeni duke i paralajmëruar?
Azemi: Ne vetëm në tri institucione që parashohim protesta dhe greva kemi rreth 400 anëtarë. Pra, janë punëtorët që kryejnë shërbime për Komunën e Prishtinës përmes kompanisë private, në Rektorat dhe në Qendrën e Studentëve.

 “Epoka e re”: Me Komunën e Prishtinës është arritur një marrëveshje për rritje të pagave  prej katër përlindësh. A do ta pranoni këtë ofertë?
Azemi: Ne kemi e pranuar atë rritje, por kërkesa ka datuar nga viti 2011 dhe Komuna e Prishtinës ka nxjerrë vendim dhe këto janë çështje të ndara. Komuna e ka kryer vetëm një kërkesë tonën. Kërkesa tjetër është që në minimum paga të jetë 350 euro, kurse  rritja është bërë  vetëm 4 për qind e që do të paguhet në mënyrë retroaktive nga 1 janari 2020, pra një pjesë e kërkesës sonë është kryer, kurse pjesa tjetër ende.

 “Epoka e re”: Ju, po ashtu, jeni duke kërkuar që këta punëtorë të kthehen në shërbyes civilë. A mendoni se do t’ia dilni?
Azemi: Po të ishte një qeveri dhe udhëheqje serioze jo që do të ishte e mundur, por tani do të kryhej. Besoj se këta njerëz që i kanë bërë këto veprime do t’i ndjekin penalisht, pasi janë të privatizuar në mënyrë të jashtëligjshme dhe ne do t’i ndjekim të gjithë hapat.

Albulena S. MAVRAJ

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka përkujtuar babën e…