Shtohen paratë false në tregun e Kosovës

11 nëntor 2023 | 10:11

Shtim masiv i parave false në tregun e Kosovës. Kështu e përshkruajnë ekspertë të Agjencisë së Forenzikës praninë e monedhave dhe kartëmonedhave të falsifikuara në vend.

Vlera e tyre, thonë ata, është në rritje krahasuar me vitin e kaluar – aktualisht dhjetëra mijëra euro.

Nga janari deri në shtator të vitit 2023, në laboratorin e Agjencisë së Forenzikës u ekzaminuan mbi 35.000 monedha të falsifikuara dhe 2.209 kartëmonedha të falsifikuara.

Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ekspertët e forenzikës ekzaminuan 9.309 monedha të falsifikuara dhe 645 kartëmonedha.

Më të falsifikuarat, sipas tyre, janë monedha prej 2 eurosh dhe kartëmonedha prej 50 eurosh.

Feriz Selimaj, ekspert në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, thotë për Radion Evropa e Lirë se cilësia e falsifikimeve varion nga më e dobët deri në shumë e mirë.

“Për ne si ekspertë nuk është vështirë të identifikohen [paratë false]. Është e thjeshtë. Në laborator kemi aparaturë të avancuar dhe identifikohen lehtë, por për një qytetar nuk është e lehtë të dallohet origjinali me falsin”, thotë Selimaj.

Kosova nuk është pjesë e Eurozonës, por përdor euron. Nga shtetet e tjera të rajonit, ashtu vepron edhe Mali i Zi.

Në korrik të këtij viti, REL-i raportoi për së paku dy raste të konfiskimit të mijëra eurove të falsifikuara në Kosovë, që vinin nga Maqedonia e Veriut dhe Turqia.

Për raportimin e atëhershëm, REL-i bisedoi edhe me disa profile në aplikacionin TikTok, që konfirmuan se mund të sjellin para false në Kosovë, në çfarëdo shume që kërkohet, por nuk porositi për të mos kryer vepër penale.

Policia e Kosovës, atëkohë, nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse i ka hetuar profilet e tilla ose personat që pretendojnë se i menaxhojnë ato.

Me Kodin Penal të Kosovës, kushdo që prodhon, vë në qarkullim, transporton, pranon, përdor ose posedon para të falsifikuara, me qëllim që t’i vendosë në qarkullim si të vërteta, dënohet prej 1 deri në dhjetë vjet burgim.

Sipas të dhënave që Radio Evropa e Lirë siguroi nga Policia e Kosovës, në gjashtë muajt e parë të këtij viti u iniciuan 486 raste të falsifikimit të parave, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar 804.

Policia nuk ofroi detaje të tjera për to, por në raportimet 24-orëshe të saj publikohen shpesh raste të konfiskimit të parave të falsifikuara.

Në një nga raportimet e fundit për këtë çështje, më 17 tetor, policia tha se një menaxher i një banke në Kosovë ka raportuar se klientë të ndryshëm kanë deponuar në atë institucion “një sasi të parave” që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Vlera e tyre ka qenë afër 2.000 euro.

Në të njëjtën ditë, policia njoftoi se ka arrestuar një person, pasi që gjatë kontrollit në veturën e tij ka gjetur dhe konfiskuar afër 1.000 euro – në monedha prej 2 eurosh – që janë dyshuar si të falsifikuara.

Në një deklaratë me shkrim dhënë REL-it, Banka Qendrore e Kosovës thotë se është duke u koordinuar me organet përgjegjëse “për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin” e dukurisë së parave false.

Pa dhënë më shumë detaje, në BQK thonë se paratë false e dëmtojnë ekonominë e Kosovës dhe i inkurajojnë sidomos bizneset që ta ndalojnë praktikën e furnizimit me monedha nga “operatorë të dyshimtë” dhe për çdo kërkesë, t’u drejtohen bankave komerciale.

Ata nuk specifikojnë se kujt i referohen me “operatorë të dyshimtë”, por thonë se praktika e tillë do të kontribuonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në parandalimin e qarkullimit të parave false.

Më 7 nëntor, BQK-ja i njoftoi mediat për mbajtjen e një takim ndërinstitucional, lidhur me luftimin e kësaj dukurie.

Në komunikatë u tha se “Banka Qendrore e Kosovës, Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Doganat e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, Njësia e Inteligjencës Financiare, Inspektorati i Tregut dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë janë pajtuar që t’i intensifikojnë aktivitetet në zbatim të ligjit, të shtohen kontrollet dhe aktivitetet inspektuese brenda dhe në kufi, si dhe të ndiqen ligjërisht dhe me efikasitet aktivitetet e tilla joligjore”.

REL-i bisedoi me përfaqësues të disa bizneseve të vogla në Prishtinë dhe disa prej tyre pranuan se janë përballur me monedha false – kryesisht 2 euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për sot në Kosovë parashikohet të mbajë mot kryesisht i…