Shumë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë
Policia e Kosovës, në raportin 24-orësh, ka njoftuar për disa raste të dhunës në familjes që kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë.
Derisa në rajonin e Prishtinës janë raportuar tri raste të tilla, edhe në rajonet tjera gjendja nuk është më e mirë.
Në rast i dhunës në familje, lëndimit të lehtë trupor dhe asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë është raportuar të ketë ndodhur mbrëmë në Kaçanik.
“Kaçanik 06.11.2026 – 22:15. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka shkaktuar dhunë në familje. I njëjti është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 24 orë”, njoftoi Policia.
Ndërkaq, në Pejë është raportuar një rast i Lëndimit të lehtë trupor dhe dhunës në familje.
Kjo pasi, sipas raportit, dje në orët e pasdites, një mashkull dhe tri femra, të gjithë shtetas të Kosovës, janë arrestuar për shkak se pas një mosmarrëveshje janë përleshur ndërmjet vete.
“Si pasojë e lëndimeve të pësuara njëra nga të dyshuarat e përfshira ka pranuar trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari mashkull është dërguar në mbajtje, ndërsa të dyshuarat janë liruar në procedurë të rregullt”, ka thënë Policia.
Në Pejë është regjistruar edhe një rast i dhunës në familje, ku Policia është njoftuar se dje, rreth orës 13:00, i dyshuari mashkull kosovar, ka ushtruar dhunë psikike ndaj anëtarëve të familjes si dhe ka dëmtuar disa orendi shtëpiake.
“I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, bëri me dije Policia në raport.
Dhunë në familje është regjistruar edhe në Rahovec, ku, sipas Policisë, të premten në orën 04:00 të mëngjesit, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht dhe e ka kanosur prindin e tij, viktimën mashkull kosovar.
“Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, tha Policia në raport.
Edhe në Vushtrri është regjistruar një rast i dhunës në familje, rast ky i ndodhur të enjten më 5 nëntor rreth orës 21:40.
“Lidhur me rastin, më 06.11.2026, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, njoftoi Policia.
Kurse në Malishevë, policia ka raportuar për një rast të mospërfilljes së urdhrit të gjykatës.
“Malishevë 04.11.2026 – 21:00. Më 06.11.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se i njëjti kishte kontaktuar përmes telefonit ish-kunatën e tij duke mos e përfillur urdhrin mbrojtës aktiv që e posedonte viktima. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, tha Policia në raportin 24-orësh.



