Shyqyri Haxha: Telekomi ende nuk është gati për privatizim

26 maj 2019 | 15:47

Dikur ishte ndërmarrja më profitabile në vend e sot thuhet se punon me humbje. E për këtë po këmbëngulët që sa më shpejtë të përfundojë procesi i privatizimit të ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës.

Por sipas ish-kryeshefit ekzekutiv të Postës dhe Telekomit të Kosovës, Shyqyri Haxha, kjo ndërmarrje ende nuk është e gatshme për privatizim.

Sipas tij, ky proces duhet të bëhet pas një plani të detajuar i cili do të tërhiqte kompani me brend botëror.

Haxha në një intervistë dhënë për “arbresh.info” ka thënë se nëse privatizimi ndodhë tani nuk do të sillte kurrfarë leverdie ekonomike. “Privatizimi i Telekomit në këto rrethana nuk ka leverdi ekonomike edhe nuk do të duhej të ndodhë! Reputacioni i Telekomit të Kosovës është dëmtuar tejmase prandaj kjo ka direkt impakt edhe në ofertuesit potencial me renome dhe lider botëror në sektorin e Telekomit”, ka thënë Hoxha.

I pyetur se kujt po i konvenon kjo ngutje për ta privatizuar Telekomin, Haxha ka thënë se Kosovës dhe qytetarëve të saj jo. “Unë nuk kam ndonjë informatë se kujt i konvenon, por ajo që dihet saktë është që Kosovës dhe qytetarëve të saj një privatizim në këto rrethana nuk iu konvenon. Privatizimi i Telekomit nuk duhet bëhet për ‘apetite’ të bizneseve private, sepse kjo dëmton interesin nacional. Qeveria dhe ministritë përkatëse duhet të kenë shumë kujdes me privatizimin e resurseve shtetërore, sepse këtu qëndron edhe ‘thelbi’ i zhvillimit dhe qëndrueshmërisë ekonomike dhe politike të mëtutjeshmet të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.

Haxha ka shtuar se institucionet duhet të kenë shënjestër kompanitë nga Britania e Madhe, ShBA e Gjermania. “Institucionet e Kosovës duhet të përpilojnë një strategji të privatizimit të detajizuar. Të debatohet dhe analizohet mirë nga ekspertë me background kombëtar, në mënyrë që të merren parasysh interesat kombëtare dhe posaçërisht prioritet duhet të jetë tërheqja e kompanive të Telekomit nga shtetet perëndimore që kanë ndihmuar Kosovën në ditët më të vështira të çlirohet nga okupimi serbë. Posaçërisht kompanitë nga Britania e Madhe, ShBA, dhe Gjermania duhet të jenë me prioritet nacional. Natyrisht nuk duhet përjashtuar as kompanitë nga vendet tjera mike, por këto tri shtete duhet të jenë në top listë të prioritetit nacional”, ka thënë Haxha. Ndërsa ka shtuar se Telekomi nuk guxon të bëhet barrë e shtetit të Kosovës.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mirëpritur këshillat e liderit…