Si do të bëhet dorëzimi i valixhes bërthamore nga Trumpi tek Bideni?

19 janar 2021 | 15:49

Presidenti Donald Trump nuk do të marrë pjesë të mërkurën në ceremoninë e inaugurimit të pasuesit të tij, Joe Biden, por mungesa e tij do të ketë pak impakt në atë që mund të konsiderohet si momenti më i rëndësishëm i ditës: dorëzimi i valixhes bërthamore.

Valixhja, e cila përmban pajisjet që i duhen presidentit për të certifikuar urdhrat e tij dhe për të nisur një sulm bërthamor, mbahet nga një ndihmës, personel ushtarak, i cili shoqëron presidentin në çdo kohë, deri në sekondën e fundit para se ai të largohet zyrtarisht nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar.

Në një ceremoni të zakonshme, valixhja do t’i dorëzohej një tjetër ushtaraku, këtë herë i caktuar pranë Bidenit, gjatë kohës që ky i fundit bën betimin dhe merr detyrën. Por të mërkurën, ky dorëzim do të ndodhë paksa më ndryshe, pasi Trumpi pritet të largohet për në Florida para se të nisë ceremonia e Bidenit.

Ekspertët kanë thënë se valixhja, më shumë mundësi, do të udhëtojë me Trumpin, çka do të thotë se në një moment, do të ketë dy valixhe të ndryshme në dy vende të ndryshme. Do të jetë një sfidë e veçantë që kalimi i pushtetit të bëhet në mënyrë sa më të rrjedhshme.

Ndryshe nga sa mendohet gjerësisht, valixhja nuk ka një buton, apo kode, që mund të nisin automatikisht një armë bërthamore. Aty gjenden pajisje dhe autorizime që Trumpi mund t’i përdorë për të urdhëruar nisjen e një sulmi.

“Ekzistojnë të paktën tre-katër valixhe identike. Një ndjek presidentin, një ndjek zëvendëspresidentin dhe një qëndron e ruajtur, për t’iu dorëzuar pushtetarit më të lartë në evente si inaugurime apo fjalime në Kongres”.

“Më 20 janar, Biden do të marrë ose valixhen e Pence, ose ndonjë tjetër, të përgatitur nga Zyra Ushtarake e Shtëpisë së Bardhë enkas për të”, ka thënë për “CNN”, Stephen Schwartz, nga “Buletini i Shkencave Atomike”.

Gjithashtu, presidenti duhet të ketë gjithmonë me vete një kartë plastike, të quajtur “biskota”, e cila përmban një kod me germa dhe numra për ta identifikuar presidentin, i cili ka autoritetin e vetëm ligjor për të urdhëruar një sulm bërthamor. Në Kushtetutën amerikane thuhet specifikisht se Trumpi ka autoritet të plotë ndaj arsenalit bërthamor deri në sekondën e fundit para betimit të Biden.

“Sipas Amendamentit të 20-të, dhe në mungesë të evokimit të Amendamentit të 25-të që do të bënte Pence president në detyrë, Donald Trump është president i Shteteve të Bashkuara deri në orën ekzakte 11:59:59 të 20 janarit”, ka thënë Schwartz.

“Nëse ndihmësi ushtarak do të udhëtojë me Trump në Florida, saktësisht në orën 12:00 të datës 20 ai do të largohet nga Trump dhe do të rikthehet në Uashington me valixhen me vete”.

Pas këtij momenti, Trumpi nuk do të ketë më autoritet dhe kodet e tij do të çaktivizohen. Kjo fuqi, do t’i kalojë presidentit të ri, Joe Bidenit./A2CNN/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka shkuar në ngushëllime…