SI DUHET TË REFORMOHET SHËNDETËSIA NË KOSOVË?

02 maj 2022 | 10:35

Shkruan: Habib Jakupi

Në 30 vjetët e fundit kemi një shëndetësi e cila çdo vit shenon zbritje në cilësi dhe në gamën e ofrimit të shërbimeve shëndetësore!
Në vitet 90-të të shekullit të 20-të kjo ndodhte për shkak të dhunës sistemike të organeve të dhunshme menagjeriale me perjashtimin e mjekëve shqiptarë nga puna!
Në dy dekadat e fundit është një gjendje që përkundër kthimit të personelit mjekësor në vendet e punës, përkundër investimeve të qeverisë dhe të organizatave të huaja apo shteteve mike, prapseprap, shenon rënje dhe përkeqësim në përgjithësi dhe në sektore të veqanta!
Kemi një shëndetësi primare me shtrirje të mirë nëpër qytete dhe fshatra, por ende të bazuar në sistemin e vjetër të “Shtëpive të shëndetit” apo ambulancave shëndetësore në periferi! Por kemi një sektor sekondar dhe terciar që ka shenue rënje të vazhdueshme!

Pse është kështu!
Në bazën e këtij fenomeni negativ është dështimi për krijimin e një sistemi shëndetësor normal për shoqëritë e lira dhe demokratike të modelit perendimor!
Përderisa politika psh. ka shenue një ndryshim esencial në këtë drejtim duke u nda nga sistemi socialist dhe sëpaku në dukje kemi organe dhe institucione që janë të krahasueshme me ato në shoqëritë e lira perendimore, kjo nuk ka ndodhur me shëndetësinë! Edhe sot e kësaj dite sistemi ynë shëndetësor është një vazhdim i sistemit shëndetësor të krahinës së dikurshme autonome socialiste! Aktualisht kemi një shoqëri të lirë të tipit perendimor ose sëpaku orientimin për një shoqëri të tillë, ndërsa kemi një sistem shëndetësor të tipit socialist të çoroditur me ndonjë “reformë” deklarative apo kozmetike!

Cila është rrugëdalja?
Natyrisht si shoqëri e lirë dhe me deklarime pompoze perendimore, duhet që të vendosim bazën e një sistemi shëndetësor të tipit të shoqërive të lira perendimore! Dmth. duhet më në fund të kuptojmë se ne nuk kemi një sistem shëndetësor normal për shoqërinë dhe shtetin tonë!
Rrugëdalja është në krijimin e një sistemi shëndetësor të mirëfilltë perendimor të bazuar mbi të drejtën për shëndet cilësor, mbi punën dmth performancën në punë dhe të sigurimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët! Kur përmendet këtu tipi perendimor i sistemit shëndetësor duhet të kemi parasysh sistemet shëndetësore të Europës perendimore (duke patur parasysh se çdo sistem shëndetësor i ka edhe tiparet e veta dalluese të vendit gjegjës)!
Ne duhet që më fund të vendosim pacientin dmth. qytatarin në qendër të këtij sistemi! Është obligim që qytatarit ti ofrohet një mjekësi cilësore që ai të ketë zgjidhje për problemet shëndetësore! Dhe e gjithë kjo të jet edhe nga aspekti financiar e përballueshme për pacientin dhe për sistemin (sigurimet shëndetësore)!

Si do të ngritet cilësia e shërbimeve mjekësore?
Cilësia e shërbimeve mjekësore do të ngritet me hapjen e konkurencës! Duke fillue nga niveli primar shëndetësor deri tek niveli terciar!
Duhet që sëpari sistemi publik dhe privat të jenë të barabartë (jo vetëm në letër) por edhe në praktikë! Të aplikohet një licencim real për ordinancat private që do të punonin çdo ditë me orar të plotë.
Kjo do të zvoglonte shumë ngarkesat nëpër qendrat e mjekësisë familjare dhe do të ngriste shumë cilësinë e shërbimeve.
Duke qenë të gjithë pacientët të siguruar dhe duke vendosë tarifa të njejta për sektorin publik dhe ate privat, automatikisht pacienti vendoset në qendër të vëmendjes: dmth çdo institucion do jet shumë i intetesuar të bëjë një shërbim të mirë, sepse nga cilësia e atyre shërbimeve do të varet edhe suksesi i institucionit shëndetësor, qoftë ai publik apo privat! Sepse institucioni shëndetësor në fund të muajit do të përballet me rezultatet e punës së vet! Nëse ka punue mirë, do të ketë një bilanc pozitiv dhe nëse nuk ka punue mirë do të përballet me vështësitë e krijuara vetë nga mospuna ose nga puna e keqe!
Mbi të njejtin parim do të funksiononte edhe niveli sekondar. Spitali si publik edhe ai privat do të duhej të hynin në një konkurencë reale, ku dallimi mes tyre do të ishte puna dhe cilësia e shërbimeve! Edhe për shërbime spitalore duhet të ekzistoj një çmimore që vlenë për të dy sektoret, qoftë publik apo privat!

Niveli terciar, konkretisht Qendra klinike univerzitare do të duhej të trajtohet si e veqantë! Themelues do të duhej ishte Kuvendi i republikës dhe financimi do të duhej të ishte: 1. Në bazë të punës me pacientë (sikur niveli primar dhe sekondarë) dhe 2. Në bazë të granteve publike (nga themeluesi) apo sponzorë tjerë të punës shkencore-kërkimore).
Parakusht për funksionimin e këtij sistemi do të ishte funksionimi i sistemit të sigurimeve shëndetësore! Duke u bazue në numrin e të punësuarve dhe lartësisë së pagave, do të duhej që të jet një sistem hibrid i financimit: dmth. nga të siguruarit dhe në 3-5 vitet e para nga grantet qeveritare (deri në një nivel të caktuar paraprakisht). I siguruari do të kishte mbulesë për një pjesë të çmimit të sherbimeve sekondare dhe terciare dhe mbulesë të plotë për shërbimet e nivelit primar.
Në një sistem të tillë funksional ndarja e punës në kuptimin e percaktimit të stafit mjekësor për punë në sektorin publik apo privat do të ishte i domosdoshëm!
Kjo do te stabilizonte sistemin shëndetësor ndërsa përcaktimi i çmimit të punës (të shërbimeve mjekësore) do te bënte të mundur që mjeku të ketë mundësi më lehtë të vendosë se në cilin sektor e gjenë vetveten dhe ku me punën e vet e përcakton ardhmërinë e vendit të tij të punës! Fundja dallimi për mjekun se në cilin sektor punon do të ishte shumë më i vogël se sa që është sot.
Ndërsa fituesi më i madh nga ky sistem do ti ishte pacienti vetë, sepse për te dallimi sa a trajtohet në një insitucion publik apo privat shëndetësor do të ishte shumë i vogël deri joekzistent (psh. në nivelin primar).
Në një sistem të organizuar në këtë mënyrë ku edhe instutucionet shëndetësore publike do të funksiononin si organizata vetëmenagjuese, dmth jo të dirigjuara nga Ministria, me borde mbikqyrëse dhe menagjment të zgjedhur, përcaktuese do të ishin puna e mirë dhe shërbimet cilësore shëndetësore si dhe e bazuar mbi ligjet dhe rregullat e caktuara. Mbi këtë bazë edhe për stafin mjekësor, në të dy sektoret, përcaktuese do ishte performanca e mirë në punë.

Si mund të realizohet e gjithë kjo punë?
Kjo nuk do ishte një reformë e zakonshme apo adaptim në kushte të tjera. Ky do të ishte një sistem i ri shëndetësor që do të vendosej në baza stabile aktuale dhe me një propabilitet të lartë për qëndrueshmëri afatgjate! Për këtë arsye do të duhej një ekip nën kulmin e Ministrisë së shëndetësisë i cili do të pregadiste bazën ligjore dhe organizative në plotni deri në funksionalizimin e plotë që do të kërkonte një kohë iniciale prej 1.5 deri 2.5 vite si dhe një mbështetje e parezervë e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Cilat do të ishin efektet?
Pëfituesi më i madh nga efektet pozitive të këtij sistemi do të ishin pacientët, me sherbime cilësore shëndetësore dhe brenda shtetit të vet me çmime të arsyeshme dhe të përballueshme! Përfitues do të ishin edhe sistemi shëndetësor me të gjithë Infrastrukturën e vet, që nga stafi mjekësor, të punësuarit në instutucionet shëndetsore deri te ekonomia e sigurimeve shëndetësore. Perspektiva e qartë për punë normale dhe të dinjitetshme do të stabilizonte stafin shëndetesor duke e pa ardhmërinë në vendin e vet dhe duke minimalizuar kërkesat për punësim jashtë vendit!
Dhe së fundmi një sistem shëndetësor i kësaj natyre do të ishte atraktiv edhe për shumë mjekë ekspertë me përvojë në botën perendimore që jo vetëm do të gjenin veten si pjesë të këtij sistemi por edhe si bartës të inovacioneve dhe të bartjes së dijes dhe praktikave moderne perendimore do të ktheheshin në Kosovë!

Të gjithë qytetarët dhe shteti i ri i Kosovës e meritojnë një sistem shëndetësor modern!

(Autori është mjek specialist për Radiologji. I specializuar në Gjermani. Me përvojë pune në Kosovë (1988-1992 dhe 2003-2013), Gjermani (1992-2003) dhe Zvicër (2013 deri sot)!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës është duke diskutuar lejimin e importit të…