Si e njoha Xhevdet Bajrajn

23 qershor 2022 | 11:07

Albin Mehmeti

Emrin e Xhevdet Bajrajt e kisha dëgjuar dhe njohur kaherë. E kisha takuar në libra dhe revista. Poezitë e tij, kryesisht me tematikën e luftës, ishte e vështirë të mos nguliteshin në kujtesë. Ai thyente çdo ligj të fizikës dhe të logjikës. Ai gjendej në të njëjtën kohë në dy vende. Në të njëjtin çast ai frymonte në Meksikë, por jetonte në Kosovë. Jetonte me shpirtin e tij të dëlirë në Kosovën që aq shumë e donte. Sa herë që shkruante për luftën, vargu i tij bëhej dokument historie. Sa herë që shkruante për dashurinë, vargu i tij bëhej vetë dashuri. Sa herë fliste për fenomenet e këqija të shoqërisë, vargu i tij bëhej fshikullim. I tillë ishte Xhevdeti që lexoja.

Xhevdetin, mjeshtrin e vargut, pata rastin ta kem afër disa herë dhe t’i ndërronim disa muhabete të shkurtra. E takova në Panairin e Librit në Prishtinë, ku erdhi qëndroi disa orë në stendën e shtëpisë botuese “Armagedoni”. Erdhën shumë njerëz për ta takuar. E si mos ta takonin kur ishte poet i majave. Xhevdet Bajrajn pata rastin ta takoj edhe në vendlindjen e tij në Rahovec, në promovimin e librave të tij. Së bashku me mikun e tij e timin, Berat Dakaj (të cilit do t’i jem falënderues gjithë jetën që më njohu me Xhevdetin), mora rrugë drejt Rahovecit. Në Rahovec arritëm disa orë para promovimit. Festa e promovimit ndihej në çdo rrugicë, rrugë e kafene të Rahovecit. Rahovecianët po bëheshin gati për festë. Bëheshin gati për ta takuar poetin që emrin e Rahovecit e bëri të njohur mijëra kilometra larg, atje në Meksikë. Me Xhevdet Bajrajn kemi komunikuar disa herë edhe në rrjete sociale. Thjeshtësia dhe çiltërsia e tij vërehej edhe në komunikim virutual. Planifikuam takime më të gjata. Planifikonte të vinte edhe në Skenderaj, apo siç  e quajti “Drenicën time”. Por, ja që s’u realizua. I tillë ishte Xhevdeti që njoha.

Xhevdeti iku nga kjo botë për t’u mos u harruar asnjëherë. Kur do të na marrë malli për ta takuar, Xhevdetin mund ta takojmë në çdo vend, në Prekaz e Abri, në Izbicë e Meje, në Kosovë e në Meksikë.

Lamtumirë poet i majave!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka arritur në Samitin BE-Ballkani…