Si mund ta “ribëjë” botën Covid-19

31 maj 18:52

Kriza e koronavirusit, po e riformëson botën tonë. Por a do të jetë ky një transformim afatgjatë? Si janë ridizenjuar restorantet, palestrat, baret dhe parqet, dhe si po i përdorim ato

Nga Lou Del Bello

Teksa shumë vende po lehtësojnë masat kufizuese, banorët po rikthehen në hapësirat e vjetra, që tani duket si të panjohura për ta. Vetë vendet nuk ndryshuan, por vënia e maskave për të shmangur turmat, dhe mënyra se si na lejohet të qëndrojmë në to, do të jetë rrënjësisht e ndryshme.

Dhe shumë nga këto ndryshime mund të ekzistojnë edhe për ca kohë. Edhe pasi të frenohet përhapja e koronavirusit, rreziku i një valë të re do të mbetet, për sa kohë që nuk do të jetë zbuluar ende një vaksinë efektive kundër Covid-19, proces që mund të zgjasë nga 9 muaj deri

në 2 vjet.

Për më tepër, thonë shkencëtarët, sëmundje të reja po aq shkatërruese, mund të paralizojnë në të ardhmen njerëzimin, ashtu siç bëri koronavirusi këtë vit. Për ata që merren me planifikimin e qyteteve tona të së ardhmes dhe hapësirave publike, pandemia përbën një kërcënim marramendës që kërkon masa emergjente, por përfaqëson edhe një mundësi për ta rimenduar mënyrën se si jetojmë, lëvizim dhe grupohemi.

Njerëzit nuk përballen dhe aq mirë me izolimin. Shumë studime që kanë analizuar pasojat e karantinës gjatë epidemive të kaluara, kanë zbuluar se izolimi ndikon fort mbi shëndetin mendor të njerëzve, ndonjëherë duke shkaktuar edhe çrregullime të stresit post-traumatik.

Ekspertët thonë se rivënia e hapësirave sociale në dispozicion të njerëzve në një mënyrë të sigurë sa më shpejt që të jetë e mundur, është më shumë sesa një prioritet ekonopmik. Ajo është një mënyrë për t’u kujdesur për mirëqenien e njerëzve, dhe për t’i ndihmuar ata ta rimarrin veten pas një krize shëndetësore globale.

Si vendi i parë evropian që hyri në karantinë, dhe një nga të parët që doli prej saj, Italia po analizohet me kujdes si rast, në mënyrë që ekspertët të mund të vlerësojnë se çfarë funksionon në një periudhë afatshkurtër, dhe çfarë është e qëndrueshme në planin afatgjatë.

Simone d’Antonio, ekspert i politikave me qendër në Romë në Shoqatën Italiane të Qyteteve dhe Komunave (ANCI), shkruajti së fundi për ‘cheFare’, se Italia duhet të rivendosë frymën e komunitetit kundër kulturës së dyshimit dhe frikës. Ai argumenton se frika nga “tjetri”, ishte një problem shumë serioz edhe përpara pandemisë, dhe u përkeqësua akoma më tepër nga rreziku konkret i prekjes nga Covid-19.

“Rimëkëmbja nga kjo krizë, është një mundësi për t’ja filluar sërish, duke trajtuar rreziqe të reja të shëndetit publik, si dhe duke e rindërtuar ndjenjën e humbur të komunitetit”- thotë d’Antonio për “BBC Future”. Dhe kjo do të thotë një ristrukturim i hapësirave publike.

“Praktikat tona bindëse duhet të ndryshojnë, por kjo krizë mund të shndërrohet edhe në një mundësi. Për shembull, njerëzit më në fund mund të nisin t’i përdorin hapësira publike e lëna pas dore, siç kanë qenë lulishtet e gjelbërta të degraduara në Romë, si dhe shumë qytete të tjera italiane”- thekson ai.

Ai përmend kopshtet tradicionale të birrës në Mynih, ku njerëzit pinë dhe hanë në tavolina të gjata në natyrë. Në qytetet e tjera, kjo praktikë mund të sigurojë mundësinë ideale për të praktikuar distancimin shoqëror në grupe të mëdha njerëzish

Daniele Terzariol, nënkryetar i bashkisë së qytezës San Donà di Piave, pranë Venecias, thotë se ndërsa qyteti po rihapet, administrata dëshiron të shfrytëzojë rastin për t’i bërë hapësirat publike më funksionale dhe më të bukura, sesa ishin para karantinës.

Në Indi, vend që apo ka filluar të rihapë gradualisht dyqanet dhe transportin e brendshëm, pronarja e restorantit Shefali Gandhi në Goa, beson gjithashtu se hapësirat në natyrë do të jenë thelbësore. “Në qytete si Mumbai, njerëzit kanë qëndrur mbyllur për 2 muaj me radhë në apartamentet e tyre si kuti shkrepseje”- thotë ajo.

Ajo beson se kujtesa e karantinës do të mbetet e gjallë për një kohë të gjatë, dhe njerëzit do t’i lidhin kënaqësitë e jetës sociale me hapësirat në natyrë. Pavarësisht nëse restorantet dhe baret kanë qasje në natyrë apo jo, njerëzit do të duhet të ruajnë distancimin e sigurtë. Por kur hapësirat janë shumë të vogla për të siguruar distancimin e duhur, kjo bëhet më e vështirë.

Për shembull, në Itali disa e kanë kritikuar vendosjen e mjeteve mbrojtëse, sikurse është përdorimi i ndarjeve plastike, që ndajnë më dysh tavolinat e restoranteve, duke e bërë të pamundur që klientët të afrohen shumë pranë njëri-tjetrit. Disa thonë se ndarje të tilla janë jopraktike, ta heqin kënaqësinë e ngrënies së një vakti të përbashkët ushqimor. Madje një përvojë e tillë, ngjan me një vizitë në një burg komentoi dikush në Facebook.

Rëndësia e besimit

Studimet e fundit, e kanë identifikuar besimin si shtyllën kurrizore të rimëkëmbjes sociale dhe ekonomike. Që t’i rikthehen “jetës normale” dhe të përdorin hapësirat publike ose të përbashkëta, njerëzit duhet të ndjehen të sigurt fizikisht, dhe të kenë besim se të tjerët po kujdesen për sigurinë e tyre.

“Besimi është thelbësor për rindërtimin e besimit midis njerëzve kur mblidhen në hapësira publike ose private”- thotë Aditi Ratho nga Fondacioni i Kërkimeve Vëzhguese në Indi, që nuk ishte i përfshirë në hulumtim. “Kur është fjala për restorantet, palestrat dhe teatrot, njerëzit janë të shqetësuar për standardet dhe protokollet e higjienës. Ata duan që të ndjehen të sigurtë”-thekson ajo.

Pas traumës kolektive dhe nevojës për t’i mbijetuar një pandemie, ajo thotë se autoritetet duhet të marrin parasysh psikologjinë e njerëzve që atë po bëjnë për rikthimin e normalitetit. Një nga sfidat tradicionale të dizajnit urban në Indi, shpjegon ajo, është se qytetet janë me popullsi shumë të dendur, dhe kjo përbën një seri rreziqesh përtej infeksionit të koronavirusit.

Projektuesit e qytetit, po mendojnë tashmë si të përballen me hapësira zakonisht të mbushura me njerëz si stacionet e metrosë, apo teatrot. “Unë mendoj se koncepti i teatrove do të ndryshojë plotësisht, pasi njerëzit do të përdorin gjithnjë e më shumë platforma online transmetimi; ata do të qëndrojnë më shumë në shtëpi”-thotë ajo.

Ndërkohë në restorante, rikthimi i besimit tek klientët do të thotë kuzhina të hapura, për t’u treguar atyre se ushqimi i tyre gatuhet sipas standardet më të larta të higjienës. Edhe masat e tjera të sigurisë ka të ngjarë që të jenë dixhitale. Xhiuliano Vita, bashkëthemelues i kompanisë “Dishcovery”, po ndihmon disa sipërmarrës, që po përpiqen të rinovojnë shërbimet e tyre në epokën post Covid-19.

Ai parashikon një bum në menutë dixhitale, të cilat nuk do të përdoret vetëm për të bërë porosinë nga shtëpia, por edhe kur hahet në restorant. “Pronari do të shtypë një kod QR në tryezë, dhe klientët mund ta vizualizojnë menunë thjesht duke e skanuar atë me telefonat e tyre, duke shmangur kësisoj kontaktin fizik me menutë tradicionale”-thotë ai.

Ndërkaq në palestra, thotë Neha Motvani, themeluese e platformës në internet të palestrave “Fitternity”, pronarët mund të eleminojnë dushet dhe ambientet e dollapëve për të mundësuar distancimin social. Gjatë pandemisë, shumë njerëz morën orë mësimi në internet mbi ushtrimet fizike.

Ndërsa palestra përmes internetit, mund të mbetet tërheqës për shumë njerëz, thotë Motvani, ajo nuk do të zëvendësojë hapësirën tradicionale ku mblidhen njerëzit. “Ne kemi anketuar klientët tanë, dhe e kemi kuptuar se mbi 95 për qind e tyre mezi presin që të rikthehen të ushtrohen si zakonisht. Ata duan që të shtërngojnë dorën me trajnerin e tyre. E duan ndjenjën e bashkësisë”- thekson ai.

Ndërsa pandemia na detyroi të riorganizonim hapësirat tona të përbashkëta, karantina na ka dhënë kohën të rimendojmë se si duam që të duket jeta jonë shoqërore. Dhe megjithëse mund të na duket se i kemi dhënë lamtumirën bareve, teatrove dhe palestrave të tejmbushura me njerëz, që i kemi dashur aq shumë, të paktën për ca kohë, ne kemi gjithashtu mundësinë unike që të rizbulojmë se çfarë do të thotë bashkësi në hapësira të reja, dhe t’i riimagjinojmë nga e para ato hapësira. / “BBC Future” – Bota.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Unë kurrë nuk e kam pranuar humbjen. Në një sezon…