Siguria në Kosovë, Agim Veliu do të ftohet në interpelancë

24 nëntor 2020 | 13:18

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu do të ftohet në interpelancë në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët do të kërkojnë përgjigje nga ai rreth raportit të Komisionit Evropian, për fushën e sigurisë në Kosovë.

Kjo është bërë me dije në mbledhjen e Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, në të cilën gjithashtu është vendosur që të ftohet për raportim në komision edhe ministri i Mbrojtjes dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës.

Kryetarja e këtij komisioni, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, ka thënë se përmes interpelancës do të kërkojnë përgjigje nga ministri Veliu lidhur me vërejtjet e adresuara në Raportin e Komisionit Evropian për fushën e sigurisë.

“Ne kemi pasur probleme që ta kemi ministrin këtu dhe pikërisht kjo ishte arsyeja, meqenëse nuk jemi komision i përhershëm, jemi komisioni funksional, që ne ta ftojmë ministrin në interpelancë, megjithatë ne kemi arritur t’i mbledhim gjashtë nënshkrime të deputetëve të këtij komisioni për ta ftuar ministrin e Punëve të Brendshme në interpelancë. Meqenëse kërkojmë përgjigje, sot nuk po e diskutojmë por ne kërkojmë përgjigje konkrete rreth vërejtjeve të raportit për vendin”, ka thënë ajo.

Ndërsa deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kërkuar që në takimin e radhës, i ftuar të jetë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës.

“Ne kemi bërë disa herë përpjekje për të ftuar ministrin e rendit, Agim Veliu, dhe e kemi të pamundur ta kemi në komision. Konsideroj se tashmë janë pjekur të gjitha kushtet që ne ta kemi në komision ushtruesin e detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës. Kemi raportime gjithandej Kosovës për shumë gjetje, për shumë shkelje të Policisë së Kosovës, dhe është mirë të vijë të na raportojë direkt, ne të informohemi prej dorës së parë dhe jo prej medieve për çdo gjë që po ndodh me Policinë e Kosovës”, ka thënë Musliu.

Me propozim të deputetit Bekë Berisha, komisioni është pajtuar që të shkojë për vizitë në Akademinë e Kosovës për Siguri në Vushtrri.

Në këtë mbledhje është vendosur edhe që ministri i Mbrojtjes, Anton Quni të ftohet për raportim në komisionin për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një konference me gazetarët…