Deliu: Ekzistenca politike e Kurtit është ndërtuar mbi urrejtjen ndaj luftës çlirimtare dhe ndaj themeluesve të shtetit të Kosovës
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas deklaratës së Albin Kurtit, kundër Hashim Thaçit e Kadri Veselit dhe PDK-së.
Deliu-Kodra ka thënë se Albin Kurti e ka frikë vetëm Partinë Demokratike të Kosovës, dhe themeluesit e shtetit të Kosovës.
“Albin Kurti e ka frikë vetëm Partinë Demokratike të Kosovës. E di se me PDK-në nuk mund të bashkëpunojë, sepse vetë ekzistenca e tij politike është ndërtuar mbi urrejtjen ndaj luftës çlirimtare, ndaj UÇK-së dhe ndaj themeluesve të shtetit të Kosovës.
Një bashkëpunim me PDK-në do ta rrëzonte tërësisht mitin e rremë mbi të cilin ka ngritur karrierën e tij, një rrëfim i ndërtuar mbi baltosjen e çlirimtarëve dhe mohimin e sakrificës për liri. Kurti nuk mund të rrijë pranë PDK-së sepse nuk i duron vlerat që ne përfaqësojmë: lirinë, dinjitetin dhe shtetin.
Ai është ndërtuar si anti-UÇK, si anti-shtet, dhe si anti-Kosovë.”, ka shkruar Deliu-Kodra në reagimin e saj.



