Sigurohet strehim i përkohshëm për familjet e kthyera të romëve, ashkalive dhe egjiptianëve

07 shtator 2020 | 15:56

Përmes UNHCR-së, në vitin 2017, 75 familje rome, ashkali dhe egjiptiane u kthyen në Kosovë nga Maqedonia Veriore dhe Mali i Zi.

Fatkeqësisht, shumica e këtyre familjeve nuk e kanë zgjidhur ende përgjithmonë çështjen e tyre të strehimit dhe jetojnë në kushte shumë të vështira dhe çnjerëzore.

Arsyet për këtë janë më së shpeshti mungesa e tokës në pronësi të këtyre familjeve, gjendja e keqe ekonomike, papunësia, pengesat procedurale në lidhje me ndërtimin e shtëpive dhe të tjera.

Për shkak të borxheve të prapambetura të qirasë dhe faturave të papaguara të shërbimeve, ekzistonte rreziku që 49 familje të romëve, ashkalive dhe egjiptianëve të mbeteshin pa çatinë e tyre të përkohshme mbi kokë. “Fatkeqësisht, komunat në të cilat familjet e përmendura me gjithsej 194 anëtarë kanë gjetur strehim të përkohshëm nuk kanë qenë në gjendje të ndihmojnë në mënyrë të konsiderueshme me zgjidhje të përhershme. Pandemia e virusit korona ka përkeqësuar më tej situatën tashmë të dobët ekonomike dhe mundësinë e punësimit sezonal për shumë anëtarë të këtyre familjeve. Hedhja e tyre në rrugë do të shkaktonte një katastrofë të vërtetë humanitare në kohën e krizave të një pandemie”, thuhet në njoftimin e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Bëhet me dije se me iniciativën e ministrit Dalibor Jevtiq, përkundër shkurtimeve të mëdha të buxhetit, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka mbuluar shpenzimet e qirasë dhe shërbimeve në vitin 2020 për 49 familje të kthyera të romëve, ashkalive dhe egjiptianëve, të cilët gjetën strehim të përkohshëm në komunat e Prizrenit, Ferizaj, Obiliq, Graçanicë, Dragash, Pejë dhe Gjilan.

Ministria për Komunitete dhe Kthim ka informuar autoritetet e përmendura komunale për këtë dhe në të njëjtën kohë u bëri apel atyre që t’i përfshijnë këto familje të rrezikuara në skemat e kujdesit shoqëror në përputhje me ligjet në fuqi në vitet e ardhshme.

Pagesa e qirasë për familjet e kthyera të rrezikuara të romëve, ashkalive dhe egjiptianëve u realizua përmes Këshillit danez për Refugjatë.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, ka kritikuar institucionet shtetërore dhe partitë…