Siljanovska-Davkova uron shqiptarët për Ditën e Alfabetit: Gjuha është themeli i identitetit kombëtar dhe i kujtesës kolektive

22 nëntor 2026 | 13:42

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova u ka përcjellë urime pjesëtarëve të komunitetit shqiptar me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip, duke theksuar se gjuha është themeli i identitetit kombëtar dhe i kujtesës kolektive të një populli.

“Të dashur bashkëqytetarë shqiptarë, 22 Nëntori është një datë, rëndësia e së cilës tejkalon simbolikën e një përvjetori historik. Ai është dëshmi e një vizioni kombëtar dhe e vetëdijes për një identitet të veçantë, themeli i të cilit është alfabeti i standardizuar shqip”, ka theksuar presidentja.

Në urimin e saj, ajo ka nënvizuar se gjuha është tipari themelor i veçantisë kombëtare dhe instrumenti më i fuqishëm për ndërtimin dhe shprehjen e kujtesës kolektive, trashëgimisë shpirtërore dhe përvojës së një populli.

“Gjuha shqipe ju ka mundësuar juve, shqiptarëve, të shprehni respektin ndaj paraardhësve, por edhe përgjegjësinë ndaj pasardhësve. Në shoqërinë multikulturore maqedonase dhe sistemin demokratik politik, shqiptarët dhe gjuha shqipe kanë një traditë të gjatë të pranisë në jetën kushtetuese, politike, ekonomike, arsimore, shkencore, kulturore, sportive, mediatike, argëtuese dhe të përditshme”, ka theksuar Siljanovska-Davkova.

Ajo ka theksuar se detyrë e përbashkët është ndërtimi i një shoqërie në të cilën uniteti nuk do t’i mohojë dallimet, por do t’i respektojë dhe do t’i trajtojë ato si vlera të përhershme shoqërore.

Presidentja ka uruar që 22 Nëntori të mos jetë vetëm ditë kujtimi, festimi dhe krenarie, por edhe nxitje për arritje të reja arsimore, shkencore dhe kulturore në gjuhën shqipe.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Gjykata Speciale ka bërë me dje  se dje pas orës…