Sipas BIK-ut dhe avokatit, kështu ndodhi përleshja e Osmanit me Bajraktarin

26 nëntor 2020 | 08:45

Bashkësia Islame e Kosovës ka dhënë deklaratë në lidhje me rastin e përleshjes fizike mes hoxhës, Osman Musliu e sekretarit të BIK-ut në Drenas, Eset Bajraktari.

Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, ka thënë se sekretari i tyre, Eset Bajraktari, është sulmuar në vendin e punës nga hoxha, Osman Musliu.

Osmani dhe Bajraktari janë arrestuar nga Policia e Kosovës derisa të njëjtët janë liruar dje.

“Jemi në dijeni në lidhje me rastin. Janë arrestuar Osman Musliu dhe sekretari i BIK-ut në Drenas, Eset Bajraktari. Osmani ka shku e ka sulmu sekretarin e BIK-ut, Eset Bajraktarin, në vendin e punës. Kuptohet që pas sulmit edhe ai ka reaguar dhe rasti është lajmëru në polici. Policia ka intervenuar dhe janë arrestuar, por sot janë liruar”, ka thënë Sadriu për Insajderin.

I pyetur se çfarë masash do të ndërmarrë BIK-u në lidhje më këtë rast, Sadriu është shprehur se po presin një raport zyrtar nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Drenas, e më pas të merret ndonjë masë.

“Ne tani do t’i ndjekim procedurat. Po presim një raport zyrtar nga këshilli ynë në Drenas, pastaj do të procedojmë”, tha ai.

Në anën tjetër, avokati i hoxhës, Osman Musliu, Gazmend Halilaj, është shprehur se klienti i tij vetëm është vetëmbrojtur.

“Hoxha e ka pasur një ftesë dje. Është ndalu rreth orës 18:00 për veprën penale sulm, mirëpo pas verifikimit të informatave dhe gjendjes faktike, me bërjen e një analize më të mirëfilltë nga ana e prokurorit dhe me kontributin e mbrojtjes, është konstatuar se nuk ka asnjë bazë ligjore për të qëndruar hoxha në ndalim. Dhe prokuroria e ka liruar menjëherë”, ka thënë Halilaj.

Sipas avokatit Halilaj, hoxha ka qenë në mes të një sulmi të paprovokueshëm nga ana e tij dhe ka vepruar në vetëmbrojtje duke mos tejkaluar kufijtë për asnjë moment.

Rasti i rrahjes ka ndodhur një ditë më parë brenda objektit të BIK-ut në Drenas.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vetëm pak ditë pasi Gjykata vendosi që ta kthejë në…