“Sistemi arsimor i Kosovës dhe sfidat në dhjetëvjeçarin e kaluar”

25 shkurt 2018 | 12:14

Fidan N. Shaqiri

Transformimi i sistemit arsimor në Kosovë filloi vetëm pasi përfundoi lufta. Ky ndryshim erdhi si pasojë e krizës dekadëshe që ishte instaluar nga sistemi komunist jugosllav në fillim, pastaj duke e vazhduar sistemin paralel gjatë viteve të nëntëdhjeta. Pikërisht ky hendek dhjetëvjeçar shkaktoi pasoja të mëdha në tërë ecurinë e shkollave të pas luftës.

Por, çfarë e shkaktoi këtë hendek, që sot fëmijët tanë po e trashëgojnë në mësimnxënien nëpër shkolla?
Sistemi paralel i arsimit gjatë viteve 1989-1999 ishte sistem i mbështetur kryekëput në vlerat patriotike dhe kombëtare. Pak mësimdhënës mendonin se çfarë kërkonin fëmijët. Ana shkencore dhe logjike nuk kishte hapësirë në kushtet në të cilat mësonin fëmijët. Të të njëjtit brumë ishin edhe profesorët e Universitetit të Prishtinës. Studentët merrnin dije nga shtëpitë e lëshuara për qëllime studimi. Profesorët ligjëronin sa për të treguar se e kundërshtojnë sistemin e Beogradit.

Kjo i shkaktoi “kokëdhembje” të madhe sistemit arsimor të pasluftës. Filluan të vijnë sisteme arsimore, plane e programe arsimore, trajnime e donacione që i merrnim pa një analizë të thellë. Kishim më tepër nevojë për financa se sa për dije. Kjo pastaj e shkatërroi qysh në fillim sistemin arsimor.

Pra, përderisa nuk ka një sistem të mirëfilltë për edukim dhe arsimim të brezave që vijnë, kemi dështuar. E për këtë duhet transformim.
Mos të harrojmë se transformimi i sistemit arsimor të finlandezëve filloi rreth 40 vjet më parë si shtytës kryesor i planit të rimëkëmbjes ekonomike të vendit. Mësimdhënësit dhe politikanët ishin shumë pak optimistë se ky ndryshim do të jetë aq i suksesshëm deri në vitin 2000.

Në këtë vit dolën edhe rezultatet e para nga Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA), një test i standardizuar për 15-vjeçar në më shumë se 40 vende globale. Ky test ndërkombëtar zbuloi rininë finlandeze e cila doli më e mira në botë. Deri në vitin 2006, Finlanda ishte e para nga 57 vende në shkencë.

Çfarë bënë finlandezët që ndryshuan kaq shumë? E shitën kompaninë “Nokia”, me të hollat e së cilës investuan në arsim. Jo në paga, por në avancim dhe profesionalizëm. “Ne përpiqemi të kapim studentët e dobët. Është thellë në të menduarit tonë” thonë mësimdhënësit finlandez. Nëse një metodë dështon, mësuesit këshillohen me kolegët për të provuar diçka tjetër. Ata duket se i shijojnë sfidat. Rreth 30 për qind e fëmijëve të Finlandës marrin një ndihmë të veçantë gjatë nëntë viteve të para të shkollës. Barazia është fjala më e rëndësishme në arsimin finlandez. Të gjitha partitë politike qofshin të djathtë apo të majtë janë dakord për këtë.

Ndërsa në sistemin e arsimit në Kosovë ne i matim të arriturat e secilin nxënës/student individualisht. Këtu kemi dështuar, sepse statistikat për neve janë alfa dhe omega e gjithë sistemit. Nëse matim vetëm statistikat, do të na mungojë aspekti i njeriut. Ne mendojmë se çdo ndryshim në qeverisje tek ne do të sjellë risi. Shumë gabim po bëjmë! Sistemi arsimor në Kosovë ka dështuar duke menduar se çdo katër vite duhet ndryshuar një pjesë të saj. Sistemi arsimor fillon me një projekt e cili duhet të ketë fillimin, proceset që do të kalojë, dhe përfundimin. Kosova vuan nga sëmundja e testeve të standardizuara.

Kosova vuan nga dëshira e sëmurë e individit se kush del i pari në provim. Kosova ka test në fund të klasës së nëntë, në fund të shkollimit të mesëm, pastaj provim pranues në fakultet. Dhe sikur të mos mjaftoni këto provime, studenti duhet të bëjë një provim përfundimtar në fund të studimeve. Pra, tek ne ka vetëm renditje, ka krahasime, ka konkurrencë të sëmurë ndërmjet nxënësve/studentëve, ndërmjet shkollave apo ndërmjet rajoneve. Tek ne Ministrinë e Arsimit e udhëheqin gjithë të tjerët përveç mësimdhënësve.
Shkollat e Kosovës nuk kanë synime kombëtare, pra dallimi është shumë i thellë ndërmjet shkollave të qytetit dhe atyre të fshatit. Finlanda, si e para në botë për nga arsimi dhe shkenca, nuk i ka këto dallime. Tek ne dallimi ndërmjet nxënësve/studentëve të fortë dhe të dobët është aq i madh sa rrallë mund të gjesh të tillë që kanë njohuri mesatare.

Shkollat e mesme profesionale tek ne i ndjekin nxënësit që nuk mund të regjistrohen në gjimnaze. Këto shkolla duhet ndjekur nxënësit më të mirë, nxënësit që kanë prirje për dhe që tregojnë aftësi të jashtëzakonshme në profesione të caktuara. Një nxënës i dobët nuk mund të bëhet një mekanik i mirë. Harrojeni! Nxënësi duhet përgatitur si të mësojë e jo si të kalojë në provim.

Mësimdhënësi i ardhshëm i Kosovës duhet të përgatitet për ndryshimet që po vijnë çdo ditë. Të menduarit kreativ të nxënësve shpie deri tek talenti .
Mësimdhënësit e Kosovës duhet të shpenzojë kohë më tepër se sa vetëm në shkollë, për të kuptuar kurrikulat, për të ndryshuar qasjen e vlerësimit të nxënësve të tyre. Studimi në shtëpi për mësimdhënie është çelësi i suksesit. Përderisa deri tani kemi kërkuar nga nxënësit që t’i përfundojnë detyrat e shtëpisë, tani është koha që ne t’i kryejmë ato detyra.

Fëmijët deri në klasën e pestë kanë nevojë për lojë, prandaj ata mësojnë vetëm kur janë gati e jo kur duam ne.
Sistemi politik në Kosovë është i tillë që na pamundëson t’i duam fëmijët. Pushimi i lehonisë është i pamjaftueshëm për nënat. Nuk i mjaftojnë fëmijës të ngopet me dashurinë e nënës vetëm për gjashtë muaj, ose nëntë.
Studimet tregojnë që në Kosovë, në nivelin individual, niveli i shkollimit është një faktor vendimtar në rritjen e probabilitetit për të gjetur punë si dhe siguron nivel më të lartë të të ardhurave në Kosovë.

Andaj duhet ndryshuar qasjen. Roli i shkollave nuk kuptohet si përgatitje e personave për punë. Shkathtësitë e përgjithshme që janë të nevojshme në një ekonomi të bazuar në dije nuk duket se janë mjaft prezentë në kurrikulë të arsimit të mesëm. Shkollimi i mesëm profesional është shtylla e zhvillimit ekonomik të vendit. Në këto shkolla profesionale duhet caktuar kurrikulë të moduleve që do ofronin shërbime për karrierë dhe që do pranonin rëndësinë e lidhjeve të shkollave me punëdhënës. Një sistem i dizajnuar për të ofruar këshilla për karrierë ndihmon në definimin e kualifikimeve dhe aftësive të nxënësve dhe studentëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partitë opozitare kanë shprehur qëndrime të kundërta sa i përket…