Situata në veri, të burgosurit politikë kërkojnë nga qeveria të koordinohet me ShBA-në dhe BE-në

06 qershor 2023 | 12:32

Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës nëpërmjet kryetarit të saj, ish-të burgosurit politik, Shefik Sadiku, ka theksuar se është duke e përcjell me shqetësim situatën aktuale në veri të vendit.

Për ta zgjidhur problemin e krijuar në veri të Kosovës, kryetari Sadiku në emër të shoqatës që e përfaqëson, ka kërkuar nga qeveria të këshillohet edhe me vendet partnere, ShBA-në, vendet e BE-së, Shqipërinë dhe me opozitën parlamentare.

“Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës me shqetësim po e përcjellë situatën e sigurisë dhe zhvillimet e fundit politike në Republikën e Kosovës. Presidenti i Serbisë dhe Qeveria e Serbisë rregullisht i kërcënohet Kosovës me luftë, duke e dërguar ushtrinë e vet deri në kufi. Nga ana tjetër, në veriun e Kosovës veprojnë papengueshëm bandat e krimit, të komanduara nga Beogradi.

Lojërat e rrezikshme të Beogradit në Kosovë, sidomos përmes partisë Lista Serbe, vazhdimisht e kërcënojnë paqen, jo vetëm në Kosovë. Lista Serbe, në regji të Beogradit, i detyroi policët serbë, prokurorët, gjykatësit dhe kryetarët e katër komunave të veriut të Kosovës t’i braktisin institucionet e Republikës së Kosovës, duke krijuar kështu një vakuum institucional. Kosova është shtet demokratik dhe shumetnik, ku pakicat kombëtare i kanë të gjitha të drejtat, madje janë të privilegjuara në krahasim me popullsinë shumicë”.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka obligim kushtetues ta mbrojë kushtetutshmërinë, integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Për ta zgjidhur problemin e krijuar në veri të Kosovës duhet të këshillohet e t’i bashkërendojë veprimet edhe me vendet partnere, ShBA-në, vendet e BE-së, si dhe me Shqipërinë dhe me opozitën kuvendore.

Fryma fashiste – shoviniste dhe veprimet kriminale të protestuesve në veri të Kosovës, e shfaqur me dhunë të shfrenuar dhe me përdorimin e armëve të zjarrit ndaj Policisë së Kosovës, ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve nuk duhet të tolerohet nga askush!  Konsiderojmë se Kosova nuk mund të shpallet fajtore përballë politikës shoviniste dhe luftënxitëse të Qeverisë së Serbisë.

Qeveria e Kosovës duhet t’i bashkërendojë veprimet me subjektet politike në vend, për të krijuar një politikë kombëtare për t’iu përgjigjur politikës serbe me një zë të bashkuar, duke mos i anashkaluar as pakicat kombëtare në Kosovë”, është thënë në deklaratën e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Italisë e ka publikuar listën me 23 lojtarët…