S’ka prova, lirohet roja i pyllit i akuzuar për korrupsion

22 mars 2024 | 08:05

Gjykata Themelore në Mitrovicë, e ka liruar nga aktakuza rojen e pyllit pranë Agjencionit Pyjor të Kosovës në Komunën e Vushtrrisë, Abedin Haradini, i akuzuar për keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar.

Aktgjykimi ndaj Haradinit është shpallur të enjten nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Hajraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Haradini akuzohej se në cilësinë e rojës së pyllit ka keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i shkaktuar Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK) dëm në vlerë prej 30 mijë e 559 euro e 8 centë.

Sipas aktgjykimit, Haradini lirohet nga aktakuza në mungesë të provave, dhe se shpenzimet procedurale i bartë gjykata.

Ndërsa pala e dëmtuar u udhëzua në kontest civil.

Paraprakisht, në këtë seancë të shqyrtimit gjyqësor në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua Ergin Sungur.

I pyetur nga prokuroja Fetije Bajrami, dëshmitari tha se nuk ka njohuri si bëhet ndarja e rojtareve pyjor në territore pyjore, pasi shefi i pylltarisë e bënë këtë ndarje, ndërsa përgjegjës për terrenin Vesekovcë-Bukogllavë, dhe terrenin e Sllakovcit gjatë përiudhës së vitit 2022 ka qenë Abedin Haradini.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Haradini, avokati Rifat Bllata e ka pyetur dëshmitarin se a ka shkuar i akuzuari Haradini që të ankohet te ai pasi nuk po mundet t’i mbulojë dy terrene.

Dëshmitari tha po, Haradini ka bërë 3-4 herë kërkesa me shkrim dhe disa herë gojarisht , së pari ju ka drejtuar shefit të sektorit të pylltarisë, pastaj edhe atij si drejtor.

Ai tha se të akuzuarit Haradin nuk i kanë kthyer përgjigje me shkrim por vetëm gojarisht i kanë treguar se Drejtoria nuk ka mundësi buxhetore që të angazhojë dikë tjetër.

Ndërsa i akuzuari i tha dëshmitarit se gjithmonë me shkrim dhe gojarisht i ka kërkuar qe t’ia bëjë një zgjidhje sepse nuk është në gjendje që t’i ruaj dy terene të mëdha, se nuk i ka 30 vjet por 63, dhe se në prej njërit teren në tjetrin bën 6 orë në këmbë.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, Mentor Hajraj, dëshmitari tha se i pandehuri Haradini e ka treguar dëmin që është shkaktuar në terrenet të cilat i ka mbuluar, ai theksoi se të njëjtin dëm e ka paraqitur, ndërsa masa e dëmit është saktësuar pasi është formuar komisioni.

Më pas, kjo seancë ka vazhduar me leximin e provave materiale të propozuara në aktakuzë.

Tutje, i akuzuari deklaroi se dëshiron që të deklarohet.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Bllata, i akuzuari tha se brenda ditës ka qenë e pamundur që të kontrollohen hapësirat e njërit terren për të cilin ka qenë përgjegjës.

I akuzuari tha se lidhur me kërkesat e tij me shkrim nuk ka marr asnjëherë përgjigje me shkrim, ndërsa gojarisht shefi i sektorit dhe drejtori i kanë thënë se shohim do të bëjmë diçka mirëpo përseri ka vazhduar e njejta situatë.

Ai tha se nuk ka njohuri nëse është bërë ndonjë ekspertizë për dëmet e shkaktuara në pyll, dhe tha se e kundërshton punën e komisionit që e ka bërë vlerësimin e dëmeve.

Në fjalën përfundimtare, prokurorja Fetije Bajrami tha se mbetet në terësi pranë aktakuzës kundër të pandehurit Haradini, pasi provat materiale dhe deklaratat e dëshmitarëve vërtetojnë se i akuzuari ka kryer veprën penale.

Ajo i propozoi gjykatës që me rastin e marrjes së vendimit mbi dënimin, për të akuzuarin Haradini të ketë parasysh rrethanat rënduese, si prerja ilegale e pyjeve shoqërore, shkaktimi i dëmit material, dhe shkaktimi i dëmit ndaj vetë natyrës pasi drunjët e prera për një kohë të gjatë nuk mund të arrijnë gjatësinë për mbrojtjen e natyrës.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Haradini, avokati Rifat Bllata në fjalën përfundimtare tha se teza e aktakuzës nuk ka mundur të vërtetojë fakte, prova dhe dëshmi qoftë ndonjë ekspertizë e pavarur ose fotodokumentacion se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale pët të cilën po ngarkohet.

Ai i propozoi gjykatës që ta refuzojë aktakuzën dhe ta obligoj prokurorinë që të zhvillojë hetime të plota dhe me anë të një ekspertize të pavarur të konstatoi gjendjen faktike ashtu siç shkruan në procesverbal të komisionit, dhe i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza në mungesë të provave.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 6 korrik 2023, Abedin Haradini akuzohet se prej datës së pacaktuar deri më 21 shkurt 2023, në Drejtorinë për Ekonomi, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural- Sektori i Pylltarisë, Komuna e Vushtrrisë, në terrenin Vesekovc-Bukogllavë, në cilësinë e rojës së pyllit, ka keqpërdorë detyrën zyrtare, duke mos i pambushur detyrat e tij, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie pasurore për vete apo personin tjetër, ashtu që nuk ka arritur t’i arsyetojë prerjet ilegale dhe dëmet pyjore.

Sipas aktakuzës, prerja e dorinjve në mënyrë ilegale kishte arritur sasinë prej 52.77m3, duke i shkaktuar Agjencisë Pyjore të Kosovës dëm material në vlerë prej 7 mijë e 831 euro e 34 centë.

Aktakuza thotë se Hajdari prej datës së pacaktuar deri më 21 shkurt 2023, në Drejtorinë për Ekonomi, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural- Sektori i Pylltarisë, Komuna e Vushtrrisë, në terrenin pyjor Sllakovc, i ngarkuar për mbrojtje të pyllit, në cilësinë e rojës së pyllit ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat e tij zyrtare.

Aktakuza thotë se nuk kishte arritur t’i arsyetojë prerjet ilegale dhe dëmet pyjore, me ç’rast prerja e drunjve në menyrë ilegale kishte arritur sasinë prej 150.56m3, duke i shkaktuar Agjencisë Pyjore të Kosovës dëm material në vlerë prej 22 mijë e 728 euro e 46 centë, e në vlerë të përgjithshme, dëmi është 30 mijë e 559 euro e 8 centë.

Me këto veprime, sipas aktakuzës i akuzuari Haradini ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një tërmet rreth 4.7 ballë, me qendër në ishullin e…