Skandali i “Uber”, ky është personi që zbuloi dokumentet e kompanisë

12 korrik 2022 | 15:12

Lobisti Mark MacGann ka dalë të hënën si sinjalizuesi që ka zbuluar mijëra dokumente komprometuese për kompaninë amerikane të udhëtimit, “Uber”, për gazetën britanike “The Guardian”.

MacGann ka udhëhequr përpjekjet lobuese të “Uber”-it në Evropë, Afrikë dhe Lindjen e Mesme mes viteve 2014 dhe 2016.

Ai i ka thënë të përditshmes britanike se ka vendosur të flasë sepse besonte se “Uber” ka shkelur ligjin në dhjetëra vende dhe ka mashtruar njerëzit në lidhje me modelin e biznesit të kompanisë.

“Isha unë që fola me qeveritë, isha unë ai që e shtyja këtë me mediet, isha ai që u thashë njerëzve se duhet t’i ndryshonin rregullat sepse shoferët do të përfitonin dhe njerëzit do të kishin kaq shumë mundësi ekonomike”.

“Kur rezultoi se nuk ishte kështu – ne në fakt ua kishim shitur njerëzve një gënjeshtër – si mund të keni një ndërgjegje të pastër nëse nuk ngriheni dhe nuk zotëroni kontributin tuaj në mënyrën se si po trajtohen njerëzit sot?”, ka thënë 52-vjeçari në një intervistë për “The Guardian”.

Gazetarët e pajisur me informacione të ndjeshme kanë akuzuar kompaninë se ka “thyer ligjin” dhe se ka përdorur taktika agresive për t’u vendosur përballë kundërshtimit të politikanëve dhe kompanive të taksive.

“Uber”-i ka thënë se MacGann “nuk mund të flasë në mënyrë të besueshme” për kompaninë tani.

Firma ka shtuar se ishte “për t’u shënuar” që MacGann ka folur vetëm ka marrë 585 mijë  euro (588 mijë dollarë) pas një padie për një bonus që ai ka thënë se firma “Uber” ia kishte borxh.

“The Guardian” ka ndarë me Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Hulumtues (ICIJ) rreth 124 mijë dokumente, që datojnë nga viti 2013 deri më 2017, duke përfshirë emaile dhe mesazhe nga drejtuesit e “Uber”-it në atë kohë, si dhe prezantime, shënime dhe fatura.

Të dielën, disa agjenci lajmesh, duke përfshirë “Washington Post”, “Le Monde” dhe “BBC”, publikuan artikujt e tyre të parë nga “Uber Files”.

“Uber”-i ka mohuar të gjitha akuzat, duke përfshirë pengimin e drejtësisë, duke thënë se kishte ndryshuar që nga largimi i ish-shefit Travis Kalanick, i cili u akuzua për krijimin e një kulture toksike në vendin e punës.

Firma është përfshirë në skandale që përfshijnë ngacmime, pirateri, spiunazh industrial dhe beteja ligjore që nga krijimi i saj më 2010.

“Le Monde” është përqendruar veçanërisht në lidhjet midis kompanisë “Uber” dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili akuzohet se kishte negociuar me firmën një “marrëveshje sekrete” mbi rregulloren kur ishte ministër i Ekonomisë mes viteve 2014 dhe 2016.

Macroni dyshohet se ka mbajtur takime të padeklaruara me drejtuesit e Uber-it dhe e ka ndihmuar atë të konsolidojë pozicionin e kompanisë në Francë, në një kohë kur ajo po përmbyste tregun tradicional të taksive.

MacGann me origjinë irlandeze ka thënë për “The Guardian” se lehtësia me të cilën “Uber”-i ka fituar qasje te të fuqishmit në vende si Britania, Franca dhe Rusia ishte “dehëse”, por gjithashtu “thellësisht e padrejtë” dhe “antidemokratike”.

MacGann, gjithashtu, ka akuzuar “Uber”-in për miratimin e një strategjie konfrontuese ndaj industrisë së taksive nën Kalanick që e ekspozoi personalisht atë në Francë dhe Spanjë.

Ai ka thënë se ka marrë kërcënime me vdekje dhe “Uber” i ka siguruar atij një truproje, duke shtuar se përvoja kishte pasoja në shëndetin e tij mendor dhe kontribuoi në një diagnozë të çrregullimit të stresit post-traumatik./REL/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Dancing With the Stars” këtë sezon do të vijë në…