“Skaz”-i i adoleshentëve

09 mars 2023 | 08:26

David Lodge

Plaka Sally nuk fliste shumë përveç kur shfrynte lidhur me Luntsët, sepse ishte e zënë duke përgjuar e duke u lazdruar. Pastaj, krejt papritur, në anën tjetër të hollit, e pa një idiot që e njihte. Një djalë me një palë aso kostume stofi gri të errët e me jelekë me kat­rorë. Tamam Ivy League. Punë e madhe. Ai rrinte afër murit, pinte duhan si i trentë dhe dukej i mërzitur për dreq. Plaka Sally tha: “E njoh atë djalë prej diku”. Kudo që shkonte ajo gjithmonë njihte dikë ose men­donte se e njihte. E përsëriste këtë pa pushim derisa u mërzita për dreq dhe ia ktheva: “Nëse e njeh, pse nuk afrohesh t’ia japësh një puthje të madhe. Ish kënaq”. U prek kur i thashë kështu. Megjithatë, ai dikur e vuri re, u afrua dhe e përshëndeti. Ish dashtë ta shihje si u përshën­detën. Kishe menduar se nuk janë parë me njëri-tjetrin që njëzet vjet. Do të kujtoje se janë larë në të njëjtën vaskë ose diçka ngjashëm kur kanë qenë fëmijë. Miq të vjetër. E mundimshme. Pjesa më qesha­rake ishte se ata me siguri janë takuar vetëm një herë në ndonjë festë të shtirur. Në fund, kur mbaruan së jargavituni, plaka Sally na prezantoi. Emri i tij ishte George diçka – as që më kujtohet – dhe ndiqte Ando­verin. Fort punë e madhe. Vetëm ta kishe parë kur plaka Sally e pyeti se a i pëlqeu shfaqja. Ishte tip shti­njaku që, kinse, duhej t’i jepte vetes hapësirë kur i përgjigjet pyetjes së dikujt. U tërhoq prapa dhe shkeli këmbën e zonjës pas tij. Me gjasë, ia theu çdo gisht në këmbë. Tha se shfaqja, në vetvete, s’ishte kryevepër, por që Luntsët ishin abso­lutisht engjëj. Engjëj. Pashë Zotin. Engjëj. Kjo më kalli. Pastaj bashkë me plakën Sally filluan të flasin për njerëzit që i njihnin. Ishte biseda më e shtirur që e ke dëgjuar ndonjëherë në jetë.[1] J. D. SALINGER, Rojë në thekërishte (1951)

Skazi është fjalë tërheqëse ruse (sugjeron “xhazin” dhe “skatin”, si “skat-këndim”, për veshin anglez) që përdoret për të përcaktuar një lloj rrëfimi në vetën e parë dhe përmban karakteristikat e fjalës së folur e jo fjalës së shkruar. Në këtë lloj romani apo storje, narra­tori është personazh që i referohet vetes me “unë” dhe lexuesit i drejtohet me “ti”. Ai ose ajo përdor fjalor dhe sintaksë karakteristike të të folurit bisedor dhe duket sikur storjen e rrëfen në mënyrë spontane e jo si diçka të shkruar, të ndërtuar dhe të lëmuar me kujdes. Më shumë dëgjojmë sesa lexojmë, sikur e hasim ndonjë person të huaj llafazan në pub apo tren. Është e pane­vojshme të thuhet se ky është iluzion, produkt i një përpjekjeje të kalkuluar dhe rishkruar kujdesshëm nga autori “i vërtetë”. Stili narrativ që imiton besnikërisht të folurit real do të ishte praktikisht i pakuptueshëm, siç janë transkriptet e bisedave të regjistruara. Por është iluzion që krijon efekt të fuqishëm autenticiteti dhe sinqeriteti, të rrëfimit të së vërtetës.

Për romancierët amerikanë skaz-i ishte një metodë e kapshme për t’u çliruar nga tradita e trashëguar letrare angleze dhe evropiane. Shtysa kryesore u dha nga Mark Twain. “E gjithë letërsia moderne amerikane rrjedh nga një libër i Mark Twainit i quajtur Huckleberry Finn”, tha Ernest Hemingway – një mbivlerësim por, iluminues. Goditja mjeshtërore e Twainit ishte në shkrirjen e stilit të gjuhës popullore bisedore me një narrator të papjekur, një djalë adoleshent të mençur, vizioni i të cilit, për botën e të rriturve, përmbante freski dhe sinqeritet rrëmbyes. Për shembull, ky është reagimi i Huckut për llojet e ndryshme të besimit të krishterë:

Nganjëherë vejusha më vinte me një anë dhe më fliste për Providencën ashtu sa më shkonte lëng prej goje por, mbase, të nesërmen zonjusha Watson me mëny­­rën e saj m’i rrëzonte prapë të gjitha. Kujtova se ekzistojnë dy Providenca dhe se një djali të shkretë mund t’i dilte mirë me Providencën e vejushës, por nëse zonjusha Watson e fshinte për­para, s’kishte më shpresë për të.

Holden Caulfieldi i J. D. Salingerit është pasardhës letrar i Huck Finnit: më i arsimuar dhe më i sofisti­kuar, bir i njujorkezëve të pasur por, ashtu si Hucku, është një i ri që ikën nga bota e hipokrizisë së të rriturve, korrupsioni dhe, nëse e përdorim fjalën e tij të pëlqyer, shtirja. Ajo që e tronditë Holdenin është gatishmëria e bashkëmoshatarëve të tij ta adoptojnë sjelljen korrup­tive të të rriturve. Në rrjedhën e storjes, Holdenie merr të dashurën në matinen e një shfaqjeje në Broadway ku luan çifti i famshëm i aktorëve, Alfred dhe Lynn Lunti. “Plaka Sally” dhe i njohuri që, ndërkohë, i takon në hollë, përshkruhen në këtë fragment si aktrim krej­tësisht joau­tentik i sjelljes shoqërore të të rriturve.

Elementet e stilit narrativ të Holdenit, që e bëjnë të tingëllojë si të folur e jo si shkrim dhe të folurit e ado­leshenti, janë mjaft lehtë të identifikueshme. Aty kemi shumë përsëritje (sepse variacionet elegante të fjalorit kërkojnë mendim më të kujdesshëm) sidomos të shpre­hjeve zhargon si “trullan”, “u mërzit për dreq”, “shtirur”, “punë e madhe”, “më kalli” dhe “plakë” (epitet që për­doret për gjithkënd të afërt pavarësisht prej moshës). Ashtu si shumë të rinj, Holdeni shpreh fuqinë e ndje­njave të tij me ekzagjerim, me anë të mjetit që retorët e quajnë hiperbolë: “pinte duhan si i trentë”, “do të kishte menduar se s’janë parë me njëri-tjetrin që njëzet vjet”, “jargavitej”. Sintaksa është e thjeshtë. Fjalitë zakonisht janë të shkurtra dhe të pakomplikuara. Shumë prej tyre nuk janë të formuara siç duhet, mun­gon folja e fundme (“Tamam Ivy League. Punë e madhe”.) Ka gabime gramatikore, siç bëjnë shpesh folësit (“Ishte tip shtinjaku që, kinse, duhej t’i jepte vetes hapësirë.”..). Në fjalitë më të gjata klauzolat lidhen bashkë, siç i ndodh folësit, e nuk varen nga njëra-tjetra në struktura të ndër­likuara.

Informaliteti i diskursit të Holdenit është garanci e spontanitetit dhe autenticitetit të tij. Ajo ndihmohet nga biseda e mirëformuar, por pretencioze e Georgeit: “Tha se shfaqja, në vetvete, nuk ishte kryevepër, por që Luntsët ishin absolutisht engjëj”. Shprehja shkur­tohet edhe më tej dhe duket e stisur, jepet si ligjëratë e zhdrejtë ose e zhdrejtë e lirë në krahasim me shpër­thimin e aca­ruar të Holdenit ndaj Sallyit, që citohet drejtpërsëdrejti: “Pse nuk afrohesh me ia dhanë një puthje të madhe.”..

Them se stili i rrëfimit të Holdenit përshkruhet mjaft lehtë, por vështirë shpjegohet se si na e mban vëmen­djen dhe na jep kënaqësi gjatë gjithë romanit. Sepse, mos të gabohemi, është stili ai që e bën interesant lib­rin. Storja që tregohet është episodike, jopërfundim­tare dhe kryesisht përbëhet nga ngjarje të parëndë­sishme. Megjithatë, sipas kritereve normale letrare, gjuha është shumë e varfër. Salingeri, ventrilokuist i padukshëm që na flet përmes Holdenit, duhet të thotë gjithçka për jetën, vdekjen dhe vlerat themelore brenda kufijve të zhargonit të një njujorkezi shtatëmbëdhjetë­vjeçar, duke iu shmangur metaforave poetike, ritmit të periudhave, shkrimit të bukur.

Një pjesë e përgjigjes ka të bëjë, padyshim, me humo­rin përqeshës të krijuar nga aplikimi i gjuhës “së ulët” të Holdenit ndaj shtirjeve të sjellshme të jetës shoqë­rore dhe kulturore, të shfaqura nga Sallyi dhe Georgei. Pasa­ktësia formale e anglishtes së tij është, gjithashtu, burim humori – rreshti më qesharak në fragment është: “Me gjasë, ia theu çdo gisht në këmbë”, shtrembërim i shprehjes “çdo kockë në trup” që është edhe shprehje hiperbolike. Një arsye tjetër është se gjuha e Holdenit është edhe më nënkuptuese sesa që shprehet. Për shem­bull, në këtë fragment kemi, haptazi, temën e xhelo­zisë të Holdenit ndaj figurës mashkullore rivale të Georgeit, aq sa pretendohet se Holdeni përbuz rrobat e Ivy-Leagueit që i japin Georgeit status dhe sjellje të sofi­stikuar. Patosi i situatës së Holden Caulfieldit këtu, por edhe në tërë librin, është me efektiv meqë nuk shprehet me fjalë. Megjithatë, në analizën e fundit ka diçka çudi­tërisht poetike në këtë prozë, një manipulim delikat i ritmit të të folurit bisedor që e bën veprën të këndshme për t’u lexuar dhe rilexuar. Siç thonë muzi­kantët e xhazit, ajo vibron.

Përktheu nga anglishtja: Meliza Krasniqi. Të drejtat e botimit, “Armagedoni”.

[1] Përdorimi dialektor është i qëllimshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
George Orwell Ndërsa përparimi në Gjermani vazhdon dhe del në…