
Skenderaj/1.5 milionë euro në dy projekte!
Komuna e Skenderajt, nëpërmjet njoftimit publik, bëri të ditur se kanë nisur dy projekte të mëdha infrastrukturore, të cilat kanë për qëllim zhvillimin e komunës nëpërmjet asfaltimit të rrugëve të reja si dhe zhvillimin e turizmit malor.
Kryetari i kësaj komune, Fadil Nura, në paraqitjet e tij publike, ka përmendur si premtim turizmin malor, dhe asfaltimin e rrugëve në fshatrat që shtrihen në bjeshkët e territorit të Skenderajt.
Të premten e javës së kaluar u bë e ditur fillimi i realizimit të projektit infrastrukturor Kozhicë – Qyqavicë, që sipas njoftimit publik, në kuadër të këtij projekti do të asfaltohen edhe rrugë tjera në fshatrat që gravitojnë rrëzë Qyqavicës.
Sipas informatave që ka siguruar Rajoni, vlera e këtij projekti është 836 mijë euro.
Ndërkohë që puna po zhvillohet në Qyqavicë, një projekt tjetër filloi në kahun tjetër të Qyqavicës. Në fshatin Syriganë, këtë të mërkurë, makineria e kompanisë së kontraktuar nisi punimet për të realizuar projektin e asfaltimit të rrugës Syriganë – Bjeshkët e Syriganës. Edhe në këtë njoftim, kryetari Nura bëri të ditur se po kontribuohet që përveç asfaltimit, të zhvillohet edhe turizmi malor.
Rajoni edhe për këtë projekt ka siguruar vlerën e tij, që arrin 880 mijë euro.
Marrë së bashku këto dy projekte, i bie që brenda një jave komuna po investon mbi 1.5 milionë euro.
Ndërkohë që i pari i kësaj komune, ka njoftuar se kanë qenë premtime elektorale këto dy projekte, mbetet të shihet përfundimi i tyre, me çka do të përmbushej zotimi i bërë para qytetarëve në kohën e fushatës parazgjedhore.