Sokol Bashota dënohet me 6 muaj burgim me kusht

29 maj 2019 | 16:33

Pak ditë pas është zgjedhur kryetar i degës së PDK-së në Klinë, ish-kryetari i kësaj komune, Sokol Bashota është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 1000 euro gjobë, pasi është shpallur fajtor për mos deklarim apo deklarim të rremë të pasurisë.

Bashota akuzohet se prej vitit 2012, deri 2015, nuk kishte deklaruar banesën 79 metra katror në Prishtinë, makinat “Jeep” dhe “BMW X5” në vlerë 65 mijë euro, si dhe qiranë për banesë në shumë prej 3000 mijë euro, në vit.

Mirëpo, dënimi me burgim ndaj tij nuk do të ekzekutohet, sipas kryetarit të trupit gjykues, Sylë Lokaj, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti, kurse dënimin me gjobë, detyrohet ta paguajë brenda 15 ditësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Edhe ish-nënkryetari i kësaj komune, Enver Berisha, është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 1000 euro gjobë.

Ndaj Bashotës dhe Berishës, është shpallur aktgjykim refuzues për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, pasi në seancën e fundit, prokurorja e rastit, Sahide Gashi kishte hequr dorë nga ndjekja penale.

Për keqpërdorim të detyrës zyrtare, përveç Bashotës e Berishës, akuzoheshin edhe Esat Rraci dhe Fadil Gashi, por edhe ndaj tyre prokurorja kishte hequr dorë nga ndjekja penale.

Prokurorja Gashi kishte deklaruar se nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkoheshin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas publikimit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, në të cilin…