Solidarizohem me kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së

17 shkurt 2022 | 15:40

Shkruan: Hisen Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës

Si deputet që takoj edhe në komunitetin e kategorive të dala nga lufta, solidarizohem me qëndrimin  e tyre dhe përkundër vlerësimit të lartë deri në hyjnizim të kësaj dite, nuk do të jem pjesë e kësaj ceremonie, që sa i përket organizimit përfaqëson vobektësi dhe mungesë shpirti.

Sakrifica e kategorive të dala nga lufta qëndron në themelet e lirisë sonë. Kjo liri i ka rrënjët në gjakun e dëshmorëve, invalidëve, viktimave të luftës dhe sakrificat e popullit për liri.

Ndaj i ftoj të gjithë ata që festojnë sot, shtetas të Republikës së Kosovës, ju që sot përvjetorin e shpalljes së shtetit sovran e të pavarur, festë që për herë të parë nuk po organizohet nga ata që pavarësinë e shkruan me plumba, ju lutem, mblidhuni dhe bëni një urim dhe dërgojeni në Dhomat Speciale në Hagë, atje ku pavarësia po mbahet e burgosur! Atje ku po provohet të na gjykohet qëllimi i luftë sonë dhe vet liria.

Edhe në pikëvështrimin tim, situata të cilën po e kalon ketë përvjetor Republika e Kosovës, përputhet në plotni me situatën që ka kaluar Shqipëria pas rrëzimit të Nolit nga qeverisja, vajtuar në elegjinë kushtuar Luigj Gurakuqit.

Por unë nisur nga kultura ime familjare e intelektuale, nuk do t’iu lëndoj aq ashpër, të dashur bashkështetas të Republikë së Kosovës.

Mirëpo efektet e kësaj qeverisje njëvjeçare (pa asnjë njohje ndërkombëtare, rrënim i plotë i ekonomisë, mos arrestim i asnjë prej “hajnave” që e “vodhën” shtetin 20 vjet) ma bëjnë tepër të qartë se fitorja e LV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, tërësisht e ka vra pavarësinë e Kosovës.

Prandaj, ju që do të festoni këtë përvjetor ngrihuni në përgjegjësitë politike dhe ta mbrojmë pavarësinë e Kosovës si vlerë sublime e kombit shqiptar përgjatë përpjekjeve historike për t’u çliruar nga okupimi serb.

Lavdi dëshmorëve të lirisë!

Nderim dhe respekt përherë atyre që ndërtuan vizionin e lirisë, barazisë, demokracisë, pavarësisë dhe shtetit,  atyre që luftuan në radhët e UÇK-së,  për këtë vizion të prirë nga korifenjtë e mëdhenj të luftës dhe atyre që e bënë fakt të kryer me 17 shkurt 2008!

GËZUAR!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 14-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës,…