Sonja Biserko: Banjska tregoi se potenciali për konflikt është i madh – Perëndimi s’do të tolerojë Serbinë

26 nëntor 2023 | 13:17

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Sonja Biserko, në një intervistë për “The Geopost” të dielën, ka thënë se bashkësia e organizuar perëndimore nuk do të tolerojë asnjë aktivitet të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë, posaçërisht pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në pjesën veriore të Kosovës dhe rrezikut të destabilizimit të Ballkanit Perëndimor.

“Kosova është pika përmes së cilës Perëndimi nuk do të tolerojë asnjë aktivitet të Serbisë apo Rusisë. Nuk është vetëm çështja e Serbisë dhe e ‘botës serbe’, por është çështje e ndërthurjes të së paku dy interesave – ruse dhe serbe – përkatësisht amerikane dhe evropiane, por edhe interesave të tjera turke dhe kineze”, ka theksuar Biserko.

Ajo ka nënvizuar se sulmi terrorist në fshatin Banjë të Zveçanit të banuar me shumicë serbe ka treguar potencialin e Serbisë për destabilizimin e Kosovës, ndërsa ka shtuar se tani edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, është shumë i vetëdijshëm se nuk mund t’i kalojë “vijat e kuqe” sepse nuk do të tolerohet nga Bashkimit Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Perëndimi e ka ndjekur me shumë vëmendje atë që po ndodh në terren, sepse kjo është vija e kuqe që ata nuk do ta kalojnë, nuk do të tolerojnë as Vuçiçin e as Serbinë, sepse ajo kërcënon drejtpërdrejt sigurinë e vetë Evropës […] Vuçiçi është shumë i vetëdijshëm se nuk mund ta kalojë më atë kufi, sepse nuk do t’i tolerohet”, ka nënvizuar Biserko.

Gruaja që ka dokumentuar krimet e kryefashistëve serbë – Sllobodan Millosheviç dhe Vojisllav Sheshel – në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1990-1999, ka thënë ndër të tjera se vizita e fundit e Sekretarit së Përgjithshme të NATO-s, Jens Stoltenberg, në vendet e Ballkanit Perëndimor ishte shumë domethënëse, posaçërisht nën dritën e kërcënimeve ruse ndaj rajonit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I dyshuari i tretë është arrestuar për rastin e grabitjes…