Sot, çlirimtarët do të duhej të ishin pranë nesh dhe udhëheqës të dialogut

09 korrik 2021 | 11:27

Shkruan: Besa Ismaili

Nuk ka dyshim se rezistenca e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka krijuar natyrën e pakapshme të idealeve tona më të dashura, përkundër asaj që vlerat e saj që dy dekada janë duke u kapur, për t’u humbur, por pa sukses.

Për historinë që e kemi shkruar së fundmi, si përpjekje shekullore për çlirimin dhe lirinë, nuk kemi nevojë ta bindim askënd, sepse veprat sublime nuk interpretohen, ato jetohen dhe assesi të rishkruhen ndonjëherë.

Çlirimtarët e Kosovës që dy dekada kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përballë dy rreziqeve të mëdha, në kohën para njëzet viteve, në frontet e luftës kundër Serbisë agresore, duke sakrifikuar jetët, gjymtyrët, familjet dhe pasurinë, për një ideal të pakrahasueshëm, lirinë, e që pas saj, janë duke u përballur me ideologët e transformimeve shoqërore, puthadore të sistemeve shtypëse dhe rahatllëkut institucional, që kanë mprehur lapsin tërë këto vite për të përbaltur, njollosur dhe përbuzur veprën e tyre. Këta nuk e çajnë kokën për dehumanizimin e çlirimtarëve, gjendjen e rëndë ekonomike, statusin social dhe vendimmarrjen e tyre në proceset shtetformuese. E po të ishte ndryshe mbase edhe do të mbështesnin Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës, të cilin kurrë nuk e bënë!

Kësaj i kontribuon edhe dehja e një establishmenti të ri ndaj pushteti, që përdhosjen e kanë jetike përkundër çuarjes së ujit në mullirin e Serbisë, si sponsorizuesi kryesor. Nuk mund të themi se nuk kanë pasur sukses. Por ky është sukses mjeranësh!

Ndërtimi i diskurseve politike të mbështjella me shpifje, akuza të pabaza për çlirimtarët ka krijuar dhe vazhdon të krijojnë kushte për një tentim rishkrimi të historisë, së gjoja luftëtarët e lirisë paskan bërë krime kundër njerëzimit.

A mund të pyesim me të drejtë, se pse kjo Gjykatë pretendon të hetojë krime ndaj njerëzimit në kohëra dhe periudha Ushtria Çlirimtare të Kosovës nuk ka qenë ekzistente, siç është koha pas përfundimit të luftës, dhe mu në kohën e marrëveshjeve ndërkombëtare me forcat e aleancës veri-atlantike? Kjo është shumë e rëndësishme, sepse në rastin konkret, ka shërbyer si bazë për mveshje të krimeve ndaj historisë së lavdishme të Kosovës në rrugën e saj për liri, e cila në asnjë mënyrë, apo rrethanë nuk është ndërtuar mbi krime dhe vrasje të civilëve. Është ndërtuar për vetëmbrojtje dhe mbrojtjen e civilëve.

Përballja kundër kësaj situatë të rëndë politikë për kombin, nuk njeh diferencim partiak, as politik, madje as ideologjik, sepse rrezikon shtetësinë e Kosovës dhe imazhin ndërtues të saj. Kurrë më shumë sesa sot nuk na duhet uniteti, për të plasuar të vërtetën para vetës dhe para faktorit ndërkombëtar.

Sot çlirimtarët duhet të jenë pranë nesh, dhe të jenë pjesë e dialogut me ata që kryen krime kundër njerëzimit dy dekada më parë, e jo Hagë dhe as në udhëtime për t’u intervistuar, as si shënjim emrash për t’u akuzuar, sepse me garanci të plotë e them, si dikush që kam përvojë 20 vjeçare në ndërtimin e paqes se asnjë proces pajtimi, nuk mund dhe nuk ka sesi të rezultojë suksesshëm, pa pjesëmarrjen e çlirimtarëve, të cilët luftuan për liri, ndërtuan institucione dhe shtetformim si dhe janë të gatshëm edhe tash, krahas përballjes për drejtësi, të negociojnë sypatrembur për pajtim dhe paqe të qëndrueshme në rajon.

#MeÇlirimtarët #MeKosovën

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Muajt e fundit, Fjolla Morina ka qenë një ndër personazhet…