Sot dihet klubi im i ri, është nga mesi i tabelës

17 gusht 2020 | 08:15

Futbollisti i njohur Albutrint Morina ka bërë me dije se sot (e hënë) do të prezantohet në klubin e ri, por ka refuzuar ta bëjë publik emrin e tij.

Mesfushori Albutrint Morina do të prezantohet sot (e hënë) në klubin e ri. I kontaktuar nga redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re”, futbollisti Morina nuk pranoi ta tregojë skuadrën me të cilën ka arritur marrëveshje për shkak të korrektësisë ndaj klubit të ri. “Kam vendosur për të ardhmen. Të hënën do të bëhet publike skuadra ime e re. Jam i kënaqur me kushtet e ofruara, por emrin e klubit nuk mund ta zbuloj për hir të korrektësisë. Krejt çfarë mund të them tash është se është klub i mesit të tabelës”, ka thënë Morina.

Në gjashtë muajit e fundit Morina ishte pjesë e Llapit, por në këtë klub nuk pati shumë hapësirë. I pyetur se pse nuk do të jetë edhe më tutje pjesë e klubit nga Podujeva, Morina është përgjigjur: “Kontrata më ka përfunduar dhe vendosa për të ndryshuar. Jam i kënaqur me klubin e ri dhe besoj se do ta jap më të mirën për t’i arritur objektivat që kemi”.

Albutrint Morina ishte kapiten i Vëllaznimit në të kaluarën dhe kishte formë të jashtëzakonshme me klubin kuqezi nga Gjakova, mirëpo është shprehur se nuk është momenti për t’u rikthyer në këtë klub. “Jo, nuk kishte asnjë mundësi që të rikthehem tash në skuadrën e Vëllaznimit. Ambiciet e mia nuk përputhem me ato të këtij klubi, por të ardhmes nuk i dihet dhe një ditë sërish mund të djersij fanellën kuqezi”, ka deklaruar Morina, i cili për një kohë të gjatë ishte pjesë e rëndësishme e skuadrës së Feronikelit.

(Veton ZYMBERI)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të gjithë nxënësit që kanë përfunduar klasën e nëntë nga…