Sot gjysmëfinalet Rahoveci-Bashkimi dhe Ylli-Prishtina

02 mars 2018 | 11:45

Të enjten në palestrën “13 Qershori” në Suharekë janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit çerekfinale, ku edhe janë përcaktuar dy skuadrat e tjera gjysmëfinaliste të Kupës së Kosovës në basketboll.

Sigal Prishtina ishte më e mirë se Kalaja, ndaj të cilës triumfoi me rezultat 102:67 në Final 8 të Kupës së Kosovës.

Më të dalluarit në radhët e bardhekaltërve ishin kapiteni Edmond Azemi me 21 pikë, Muhamedali Janjeva me 16, Rinor Peci me 15, Valon Bunjaku me 14, Alban Latifi me 11 dhe Alban Veseli 10 pikë. Në anën tjetër te Kalaja më efikasit ishin Xavier Newson me 20 pikë, Ujkan Karanezi me 16 dhe Qëndrim Ajazaj me 12 pikë.

Ndërkohë në çerekfinalen e dytë të mbrëmjes së të enjtes u zhvillua rivalitet shumë i madh dhe për këtë u përkujdesën basketbollistët e Bashkimit dhe ata të Trepçës, ndërsa fitores në fund iu gëzua skuadra nga Prizreni me shifrat 90:77.

Ishin dy çerekët e parë ata në të cilët ekipet zhvilluan lojë të barabartë, e këtë e dëshmon edhe rezultati pas pjesës së parë, 44:39 në favor të mitrovicasve. Megjithatë në çerekun e tretë portokallinjtë ia dolën së pari të barazojnë rezultatin dhe më pas të kalojnë në epërsi të lehtë, derisa në çerekun e katërt dominuan në parket dhe kështu e fituan takimin me 13 pikë dallim.

Aaron Moss me 23 pikë, Mikaile Tmusic me 17 dhe Altin Morina me 14 ishin më të merituarit për fitoren e Bashkimit, derisa te Trepça më të dalluarit ishin Jonathan Hudsson me 35 pikë dhe Besnik Azemi me 18 sosh. Të premten në gjysmëfinalen e parë do të ballafaqohen Rahoveci – Bashkimi (17:30) dhe në të dytën Golden Eagle Ylli – Sigal Prishtina (19:00).

Duhet theksuar se të enjten pas përfundimit të ndeshjes së parë dhe para fillimit të takimit të dytë, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku i ndau mirënjohje Davorin Nakiç, drejtorit të Departamentit të Gjyqtarëve në FIBA Evropë, derisa Faton Kurshumlija, instruktori i FIBA-s nga FBK i ndau mirënjohje Gjorgji Piperkovit, instruktorit të FIBA-s nga Maqedonia.

FBK-ja i nderoi me mirënjohje të lartpërmendurit për kontributin e dhënë në Klinikën për Gjyqtarët Kandidatë Potencial (Nacional) për thirrje të FIBA-s, e cila është organizuar nga FBK dhe FIBA, ndërsa ka filluar më 28 shkurt dhe do të përfundoj më 2 mars në hotel “Solid” në Suharekë. Pikërisht gjyqtarët e kësaj Klinike janë ata që do të ndajnë drejtësinë në ndeshjet e Final 8 të Kupës së Kosovës, duke përjashtuar finalet e së dielës në të dyja konkurrencat, të cilat do të drejtohen nga gjyqtarët vendor.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njëzetedy njerëz kanë vdekur nga zjarri në një qendër të…