Sot një vit nga vendosja e taksës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja

21 nëntor 2019 | 11:19

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se taksa 100 për qind ndaj Serbisë duhet të hiqet vetëm pasi të ndërpritet çdo agresivitet i Beogradit.

Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ai ka shkruar se kushdo nga shqiptarët, kudo që jetojnë a gjallërojnë ata, nëse nuk e dinë pse ka ardhur deri te taksa 100 për qind, ai apo ata nuk e dinë as kah kanë ardhur e as në ç’drejtim duhet të shkojnë.

“Kushdo që kërkon heqjen e taksës sot, duhet ta dijë se kërkesa duhet t’i drejtohet Beogradit zyrtar, që ai të distancohet qartazi nga politikat e gjenocidit e të agresioneve diplomatike të Beogradit ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj”, ka shkruar Krasniqi. Ai ka shtuar se as rruga e luftës që zgjodhëm dje e as taksa e re që u vendos para një viti nuk ishin zgjedhje të dëshirueshme, por çështje të domosdoshme që na i pati imponuar Serbia e politikës së gjenocidit.

Krasniqi ka thënë se faji i politikës shqiptare nuk është vendosja e taksës, por vonesa e politikës sonë lakmitare për grabitje e jo për ndërtim të shtetit të së drejtës. “Taksa duhet të hiqet vetëm pasi të ndërpritet çdo agresivitet i Beogradit”, ka deklaruar ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Me rastin e njëvjetorit të vendosjes së taksës, këtë vendim e ka mbrojtur kryeministri në largim, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se një vit më parë Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë një prej vendimeve më të guximshme që nga shpallja e pavarësisë, me vendosjen e tarifës prej 100-përqindësh në mallrat e Serbisë, si masë ndaj fushatës agresive të shtetit serb. “Me këtë hap të rëndësishëm Kosova ka treguar se Serbia nuk mund t’i japë detyra, kurse miqve ndërkombëtarë se nuk i nënshtrohemi shtetit serb. Vendosja e tarifës ndaj mallrave serbe, prej nëntorit të vitit të kaluar, ka ndikuar tej mase në fuqizimin e prodhuesve vendorë. Në thelb, ky veprim e ka delegjitimuar projektin e ndarjes së Kosovës që fshihej nën idenë e korrigjimit të kufijve. Kjo masë është dëshmuar strategjike dhe duhet të mbetet deri në njohje të shtetit të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Më 6 nëntor të vitit të kaluar Qeveria në largim e Kosovës vendosi taksën prej 10 përqindësh për prodhimet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, kurse më 21 nëntor kjo taksë u rrit në 100 për qind për të gjitha produktet dhe mallrat e importuara nga këto dy shtete. Që nga 21 nëntori i vitit të kaluar vlera e produkteve të importuara nga Serbia në Kosovë është 4 milionë euro, kurse nga Bosnjë e Hercegovina, 2 milionë euro.

Ndërkaq, eksporti i produkteve “Made in Kosova” gjatë kësaj periudhe në Serbi ka qenë 13 milionë euro, kurse në Bosnjë Hercegovinë 5 milionë euro. Përderisa në Kosovë nuk vërehet ndonjë mungesë e produkteve dhe as ndonjë ndikim në të hyrat doganore, humbjet e prodhuesve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina arrijnë në qindra miliona euro që kur Qeveria e Kosovës vendosi taksë 100 për qind.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas pezullimit nga Olimpiada e Rios tri vjet më parë…