Sot një vit u paraqitën rastet e para të infektimit me Covid në Kosovë

13 mars 2021 | 08:59

13 marsi i vitit 2020 shënon fillimin e pandemisë Covid-19 në Kosovë. Po në këtë ditë, një vit më parë u konfirmuan dy rastet e para me këtë sëmundje në vend.

Mëngjesin e 13 marsit, Emergjenca në Komunën e Vitisë ishte mbyllur.

Një person i moshës rreth të 80-tave ishte trajtuar në këtë qendër dhe dyshohej se ishte prekur me koronavirus. I gjithë stafi mjekësor që kshte qenë në kontakt me ambientin ku kishte qëndruar i moshuari, ishte futur në karantinë.

Rasti tjetër pozitiv ishte një vajzë e moshës 20-vjeçare, shtetase e Italisë.

Mjekë, infermierë, policë, ushtarak e gazetarë ishin në vijën e parë të frontit, gjatë këtij viti të luftës me pandeminë Covid-19 që përfshiu gjithë globin.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të premten gjashtë viktima me koronavirus.

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 1 rast (76 vjeç), Prishtinë 2 raste (80, 87 vjeç), Gjakovë 1 rast (79 vjeç), Viti 2 raste (74, 16 vjeç)”, është thënë në njoftim.

Në 24 orët e fundit janë identifikuar 730 raste të infektimit me këtë virus, pas testimit të 3.317 mostrave në institucionet publike dhe ato private.

Më 12 mars, sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, e kanë mposhtur 512 persona, derisa aktive janë 10.530 raste.

Prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë, më 13 mars të vitit të kaluar, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 76.110 raste të infektimit.

Prej tyre 1.688 kanë vdekur.

Pavarësisht rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë të enjten se do të vazhdojnë të zbatohen masat e njëjta për luftim të pandemisë së koronavirusit, shkruan “Epoka e re”.

Por më e keqja është se Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që nuk ka marrë asnjë dozë vaksine.

Në nivel vendi janë të shtrirë 632 të sëmurë me Covid.

“Në QKUK dhe në spitalet regjionale 90% e shtretërve janë shfrytëzim”, ka thënë drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Basri Lenjani.

Një vit më parë, më 11 mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë e karakterizoi koronavirusin si pandemi – gati tre muaj pasi rastet e para të të infektuarve u identifikuan në Kinë, në Vuhan.

Pandemia shkatërroi ekonominë dhe u ndryshoi jetën e miliarda njerëzve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në fundjavë do të zhvillohet xhiroja e 23-të në FIVE…