Sot zhvillohet derbi Prishtina – Ballkani

29 shkurt 2020 | 09:58

Trajneri Armend Dallku ka deklaruar, para ndeshjes derbi kundër Ballkanit, se Prishtina në çdo ndeshje hyn për fitore, kurse trajneri Ismet Munishi është i bindur se skuadra e tij është më e fortë se ajo kryeqytetase. Përballja në mes të këtyre skuadra zhvillohet sot, me fillim nga ora 17:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Skuadra më e madhe në Kosovë, Prishtina, është e përgatitur maksimalisht për derbin ndaj skuadrës lidere, Ballkanit. Përballja në mes të këtyre dy skuadrave, që pretendojnë të shpallen kampione në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, zhvillohet sot (e shtunë) në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 17:00.

Trajneri Armend Dallku ka thënë se Prishtina do të luajë ashtu sikurse në çdo ndeshje për fitore. “Ballkani nuk bën përjashtim nga kundërshtarët e tjerë. Ne jemi duke analizuar kundërshtarin dhe lojën tonë, por nuk është diçka e jashtëzakonshme dhe ndeshje që vendos gjithçka. Ne jemi Prishtina dhe në çdo ndeshje hyjmë fitore”, ka deklaruar trajneri “bardhekaltër”. Ndërsa kapiteni Armend Thaqi ka deklaruar se skuadra kampione e vjeshtës, Ballkani, nuk është skuadër e pamposhtur. “Jemi në formë të mirë dhe mendoj se do të fitojmë kundër Ballkanit, pasi nuk është skuadër e pamposhtur. Fusha është e përshtatshme për lojë dhe mbetet të shihet se a do t’i arkëtojmë tri pikët”, ka deklaruar ai.

Skuadra nga Suhareka, që është mobilizuar për ndeshjen që e zhvillon në kryeqytet, ka mbajtur edhe një konferencë për media. Trajneri Ismet Munishi është i bindur se skuadra e tij është me e fortë se Prishtina. “Për lojën brenda fushës pa modesti them se jemi skuadër e fortë, por kemi respektin ndaj Prishtinës, sepse është skuadra më e trofeshme në vend dhe këtë edicion po tregon lojë cilësore, duke treguar edhe ngritje pas ardhjes së Dallkut, ku vërehet përmirësim tek ta. Ne nuk do të frikësohemi dhe jemi optimistë për këtë sfidë”, ka thënë Munishi.

Në konferencë për medie është paraqitur edhe kapiteni Visar Berisha, i cili në të kaluarën ka qenë edhe kapiten i Prishtinës. “Prishtina është një ekip që lufton për trofe, kurse ne jemi ekip i ri në elitë, kemi synimet e tona për të dalë në Evropë. Unë besoj në cilësinë tonë që do t’ia arrijmë t’ia dalim”, ka deklaruar Berisha.

Ndeshjen që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” e ka analizuar edhe trajneri Musa Selimi, i cili për gazetën “Epoka e re” ka deklaruar se kjo përballje do të jetë ndër më interesantet në vitet e fundit për faktin se të dyja këto skuadra janë duke luftuar për titull. “Do të jetë një ndeshje e jashtëzakonshme. Përballen dy klubet që e synojnë titullin në këtë edicion. Ballkani ka treguar formë të mirë dhe nëse e fiton këtë ndeshje do të jetë edhe më afër qëllimit. Prishtina ka përparësinë e terrenit dhe traditës. E mira e gjithë kësaj është se tifozët do ta kenë rastin të shohin një ndeshje të jashtëzakonshme”, ka thënë Selimi.

Skuadra “bardhekaltër” ka njoftuar edhe për çmimin e biletave, i cili sillet nga 2 deri në 5 euro. Biletat do të dalin në shitje sot (e shtunë) nga ora 11:00 rreth stadiumit “Fadil Vokrri”.

IPKO Superliga

Drita-Drenica 4-1

Të shtunën takohen:
13:00 Ferizaj – Llapi
13:00 Feronikeli – Trepça ’89
13:00 Dukagjini – Gjilani
17:00 Prishtina – Ballkani

Të dielën takohen:
13:00 Flamurtari – Vushtrria

LIGA E PARË

Të shtunën takohen:
Istogu – Drenasi
Vitia – Malisheva

Të dielën takohen:
Vllaznia – KEK-u
Trepça – Onix
Arbëria – 2 Korriku
Liria – Ulpiana
Vëllaznimi – Ramiz Sadiku
Dardana – Besa

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në orën 15:00 do të varroset ish-luftëtari i UÇK-së,…