Specialja më s’ka kredibilitet për drejtësi

24 shtator 2020 | 11:13

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Hysni Gucati, ka deklaruar se me nxjerrjen e mijëra dosjeve në publik Gjykatës Speciale i ka humbur kredibiliteti. Ai ka thënë se kjo gjykatë më nuk mund të vendosë drejtësi.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka treguar se synimi i OVLUÇK-së është ta dëmtojë Gjykatën Speciale dhe jo Kosovën. “Mendoj se Gjykatës Speciale i ka humbur kredibiliteti. Kjo gjykatë s’ka më imazh për të bërë drejtësi. Kjo mund ta vazhdojë punën, por nuk ka aspak kredibilitet. Kësaj gjykate i kanë dalë gjërat nga dora. Ky institucion më nuk mund të vendosë drejtësi. Por, këta janë evropianë, nuk e kanë fort gajle këtë gjë. Këta mund të ngrehin aktakuza, mund ta vazhdojnë punën, por kjo gjykatë më s’ka kredibilitet”, ka thënë Gucati.

Ai ka deklaruar se pas këtij skandali kjo gjykatë do të duhej të mbyllej. “Më pas pak nder kjo gjykatë do të duhej të thoshte se deri këtu e ka pasur misionin. Është munduar të gjejë prova, por nuk ia ka arritur. Pra, do të duhej që kësaj gjykate t’i vihej një dry i madh dhe të mbyllej”, është shprehur Gucati.

I pari i veteranëve u është përgjigjur kritikave të Speciales për OVLUÇK-në, duke thënë se kjo organizatë nuk është fajtore për rrjedhjen e dosjeve nga kjo gjykatë. “Organizata e Veteranëve e Luftës së UÇK-së nuk është duke tentuar ta minojë punën e Gjykatës Speciale. Kjo gjykatë e ka minuar vetveten. Së dyti, të gjithë e dinë që OVLUÇK-ja është kundër kësaj gjykate dhe këtë e kemi thënë me kohë. Pra, ne nuk po themi këtë sot e as dje, por e kemi thënë që pesë vjet vazhdimisht, prej se është formuar Gjykata Speciale”, ka thënë Gucati.

Ai ka përsëritur se kjo organizatë nuk është kundër drejtësisë. Sipas Gucatit, OVLUÇK-ja është kundër drejtësisë selektive që është duke e bërë Gjykata Speciale. “Ne nuk jemi fajtorë pse atyre u dalin në publik materialet. Çdokush duhet ta ruajë shtëpinë e vet dhe mallin që ka. Ne nuk jemi kundër drejtësisë. Nuk kemi qenë dhe as nuk do të jemi. Ne jemi për një drejtësi të mirëfilltë dhe jo për drejtësi selektive siç është duke e bërë Gjykata Speciale”, ka thënë Gucati.

 

“Epoka e re”: Z. Gucati, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka deklaruar se me publikimin e disa dosjeve Organizata e Veteranëve e Luftës së UÇK-së është përfshirë në aktivitete që kanë për qëllim minimin e administrimit të drejtësisë. Cili është komenti juaj?
Gucati: Organizata e Veteranëve e Luftës së UÇK-së nuk është duke tentuar ta minojë punën e Gjykatës Speciale, sepse ajo është duke minuar vetveten. Së dyti, të gjithë e dinë se OVLUÇK-ja është kundër kësaj gjykate dhe këtë e kemi thënë me kohë. Pra, ne nuk po themi këtë sot e as dje, por e kemi thënë që pesë vjet vazhdimisht, prej se është formuar Gjykata Speciale. Ne nuk jemi fajtorë pse atyre u dalin në publik materialet. Çdokush duhet ta ruajë shtëpinë e vet dhe mallin që ka. Ne nuk jemi kundër drejtësisë. Nuk kemi qenë dhe as nuk do të jemi. Ne jemi për një drejtësi të mirëfilltë dhe jo për drejtësi selektive siç është duke bërë Gjykata Speciale. Kështu që, neve nuk na intereson se çfarë ka thënë Gjykata Speciale për ne. Ajo mund të thotë gjithçka. Mund të na hetojë dhe të na përcjellë. Ne kemi treguar se zyrën e kemi në Prishtinë. Jetojmë këtu dhe do t’i përgjigjemi nëse ajo na thërret.

 “Epoka e re”: A keni pasur deri më tani ndonjë reagim tjetër prej Speciales apo prej ndonjë organi tjetër të drejtësisë vendore për këto aktivitete?
Gucati: Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë reagim, pra as prej Speciales, as prej Prokurorisë së Kosovës. Ajo që dihet, është se më herët zyrtarët e Speciales kanë qenë në zyrat tona dhe na kanë thënë se nuk është mirë të bëhet kjo. Ne u kemi thënë se nuk mund ta ruajmë materialin e saj. Gjithashtu, u kemi thënë se jemi kundër kësaj gjykate. OVLUÇK-ja, po të kishte mundësi, për pesë minuta do ta zhbënte Gjykatën Speciale.

“Epoka e re”: A prisni dosje të tjera?
Gucati: Nëse i sjellin natyrisht se do t’i publikojmë.

 “Epoka e re”: Keni thënë se personi që po sjell dosje ka paralajmëruar edhe sjelljen e CD-ve. Do t’i publikoni edhe ato?
Gucati: Të gjitha. Çfarëdo që vjen në zyrat tona do të publikojmë.

“Epoka e re”: Jeni në dijeni se kush po i sjell këto dosje tek OVLUÇK-ja?
Gucati: Jo. E kemi ftuar edhe Prokurorinë Speciale të Kosovës që ta hetojë rastin dhe ta gjejë se kush është duke bërë një gjë të tillë. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me drejtësinë dhe t’ua japim kamerat tona. Por, ne nuk e dimë se kush po i sjell dosjet në zyrat tona. Këtë le ta zbulojnë organet e drejtësisë që e kanë për obligim.

“Epoka e re”: A po i sjell i njëjti person këto dosje?
Gucati: Me sinqeritetin më të madh po ju them se nuk e dimë se a është njëjti person apo janë personat të ndryshëm.

 “Epoka e re”: Është thënë se këto veprime të OVLUÇK-së janë kundër Kosovës, sepse e dëmtojnë drejtësinë në këtë proces. Jeni të vetëdijshëm për këtë?
Gucati: Ne kemi dhënë shumë për këtë vend dhe nuk duam ta dëmtojnë shtetin tonë. Interesi ynë nuk është që ta dëmtojmë Kosovën, por që ta dëmtojmë  Gjykatën Speciale, sepse kjo gjykatë nuk është e drejtë dhe nuk duhet të ekzistojë.

 “Epoka e re”: Këto dokumente janë vetëm të Speciales apo edhe dokumente të organeve serbe të drejtësisë?
Gucati: Këto janë dokumente kopje të Gjykatës Speciale. Zyrtarët e kësaj gjykate vetë e kanë konfirmuar se janë dokumente të tyre. Ata kanë ardhur dhe i kanë marrë ato në zyrat e OVLUÇK-së. Ka edhe dokumente të Prokurorisë së Serbisë që tregon se ka bashkëpunuar me Gjykatën Speciale.

 “Epoka e re”: Si OVLUÇK, keni ndonjë dyshim se kush mund ta bëjë këtë, se kush është i interesuar t’i nxjerrë këto dosje
Gucati: Nuk e dimë. Nuk kemi ndonjë dyshim se kush mund ta bëjë këtë. Neve na kanë ardhur në zyrë dhe ne i kemi publikuar.

 “Epoka e re”: Frikësoheni se mund të jeni objekt i ndonjë  ndjekje penale për këto veprime?
Gucati: Ne deri më tani nuk besoj se kemi bërë ndonjë shkelje ligjore, sepse nuk kemi publikuar emra apo diçka të tillë. Mendoj se nuk ka bazë për ngritje të ndonjë aktakuze. Ajo edhe mund të ngrehet, por frikën ne nuk ia kemi.

 “Epoka e re”: Mendoni se me nxjerrjen në publik të këtyre dosjeve është dëmtuar kredibiliteti i kësaj gjykate për ta vazhduar punën?
Gucati: Mendoj se Gjykatës Speciale i ka humbur kredibiliteti. Kjo gjykatë s’ka më imazh për të bërë drejtësi. Kjo mund ta vazhdojë punën, por nuk ka aspak kredibilitet. Kësaj gjykate i kanë dalë gjërat nga dora. Ky institucion më nuk mund të vendosë drejtësi. Por, këta janë evropianë, nuk e kanë fort gajle këtë gjë. Këta mund të ngrehin aktakuza, mund ta vazhdojnë punën, por kjo gjykatë më s’ka kredibilitet. Kredibilteti i saj është rrafsh me tokë, sepse i kanë dalë dokumentet nga dora.

 “Epoka e re”: Meqenëse mendoni se kjo gjykatë s’ka më kredibilitet për punë, atëherë çfarë duhet të ndodhë me të?
Gucati: Me pas pak nder, kjo gjykatë do të duhej të thoshte se deri këtu e ka pasur misionin. Është munduar të gjejë prova, por nuk ia ka arritur. Pra, do të duhej që kësaj gjykate t’i vihej një dry i madh dhe të mbyllej.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit sot u nënshkrua një…