Specialja rrëzon kërkesën e ZPS-së për pranimin e dëshmisë me shkrim në vend të dëshmisë së drejtpërdrejtë për një dëshmitar

10 korrik 2023 | 16:26

Trupi gjykues në çështjen ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka vendosur që të rrëzojë kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për pranimin e deklaratave të mëhershme të dëshmitarit 4647 sipas rregullit 154.

Këtë e ka bërë  me dije kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith në seancën e së hënës, duke paraqitur tri arsye, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Së pari, prokuroria nuk ka paraqitur arsye të mjaftueshme që përbëjnë arsye të vlefshme për t’u pajtuar me afatin e 7 shkurtit, për të cilin kishte vendosur trupi gjykues në bazë të rregullës 154 sa u takon 12 dëshmitarëve të parë dhe kjo është në transkriptin e 18 janarit, në faqe 1902”, ka thënë ai.

Në tutje, gjykatësi Smith ka thënë se arsyeja e dytë është se trupi gjykues pajtohet me mbrojtjen se ndryshimi në mënyrën e prezantimit të provave të dëshmisë së 04647 do të cenonte në fakt të pandehurin.

Kurse së treti, ai tha se në kuadër të rëndësisë së dëshmisë së propozuar, trupi gjykues ka vlerësuar se arsyet duhet të ishin paraqitur paraprakisht me shkrim dhe të tilla arsye nuk janë paraqitur.

“Prandaj, trupi gjykues në këtë rast rrëzon kërkesën e prokurorisë për të pranuar dëshminë e dëshmitarit 04647 në bazë të rregullës 154”, ka përfunduar ai urdhrin gojor.

Ndërsa paraprakisht, dëshmitari i dymbëdhjetë me radhë (me kodin 04337) duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit të specializuar James Pace, ka thënë se asnjë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk ia ka mundësuar që të kundërshtonte ndalimin e tij.

“Asnjëherë”, është përgjigj dëshmitari kur është pyetur lidhur me këtë çështje.

Po ashtu, ai është përgjigjur me “jo” në pyetjen nëse pas ose gjatë ndalimit të tij, ndonjë pjesëtar i UÇK-së i kishte dhënë ndonjë dokument që pretendohej se mbi bazën e tij ishte ndaluar i njëjti.

Dëshmitari ka dhënë përgjigjen se “kurrkujt si kam pas borxh, asnjëherë”, kur u pyet nga prokurori Pace nëse pas ose gjatë ndalimit të tij ndonjë pjesëtar i UÇK-së e kishte akuzuar për ndonjë krim konkret që pretendohej se ky dëshmitar e kishte kryer.

Ndërsa, pjesa tjetër me pyetje të tilla ishte me përmbajtje të redaktuar, e që tani po vazhdon seanca ende me dëgjimin e këtij dëshmitari, duke u pyetur nga ana e Prokurorisë në sesion privat.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan, Joe Biden tha sot në Londër, gjatë një…