Spiropali për Osmanin: Forcoi marrëdhëniet e Kosovës me ndërkombëtarët, në veçanti me ShBA-në dhe BE-në (video)

25 shkurt 2026 | 14:44

Kryediplomatja e Shqipërisë, Elisa Spiropali, është takuar të mërkurën në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Spiropali ka vlerësuar lartë punën e presidentes Osmani, duke thënë se si shefe e shtetit ka forcuar marrëdhëniet e Kosovës me ndërkombëtarët veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimin Evropian (BE).

“Pritja nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me vlerësimin për angazhimin e saj në forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me komunitetin ndërkombëtar, në veçanti me partnerët strategjikë, ShBA-në dhe vendet e BE-së. Rikonfirmova mbështetjen e Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës. Pas vendimit për heqjen e masave kufizuese, është momenti që BE të vendosë pa vonesë dhënien e statusit kandidat për Kosovën. Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen aktive për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe do të vijojë angazhimin diplomatik për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe avancimin drejt BE-së e NATO-s”, ka shkruar Spiropali në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nora Cimili-Gagica është zgjedhur sërish në krye të ndërmarrjes publike…