Spitali i Mitrovicës ofron të gjitha shërbimet ortopedike

10 prill 2019 | 17:28

Në spitalin e përgjithshëm të Mitrovicës, konkretisht në Repartin e Ortopedisë janë duke u trajtuar disa raste të ndërlikuara të lëndimeve në gju, të cilat më herët janë kryer vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Përveç ndërhyrjeve për vendosjen e protezës totale, mjekët janë duke realizuar edhe një operacion tjetër si, ligamento-plastika në ligamentin kryesor të përparmë të gjurit.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit në spitalin e përgjithshëm të Mitrovicës, Enis Istrefi, e ka vlerësuar lart punën e mjekëve specialistë, derisa ka thënë se qytetarët e Mitrovicës dhe qyteteve përreth nuk kanë nevojë më t’i drejtohen QKUK-së për të tilla shërbime ortopedike.

“Spitali i përgjithshëm i Mitrovicës ka mbështetur dhe do të mbështesë në vazhdimësi Repartin e Ortopedisë për punën që po bëjnë. Qytetarët e Mitrovicës dhe regjionit të Mitrovicës, tash e tutje, mund t’i drejtohen në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë për ato lloj të operacioneve dhe nuk kanë nevojë të shkojnë në QKUK, pasi që ato kryhen edhe tek ne”, ka thënë Istrefi.

Ndërsa, shefi i Repartit të Ortopedisë, Afrim Ngucati, ka thënë se aktivizimi i shërbimeve për problemet e pjesës ortopedike ndihmon shumë edhe QKUK-në.

“Qëllimi ynë është që të shkarkohet edhe Qendra Klinike Universitare, ku dihet që është një fluks shumë i madh i pacientëve”, ka thënë Ngucati.

Në anën tjetër, ortopedi Amir Veseli, ka folur për numrin e operacioneve që janë duke u kryer në baza javore, derisa ka theksuar nevojën për hapjen edhe të një salle të re, në mënyrë që të mbulohen të gjitha kërkesat me kohë.

“Numri i operacioneve mund të shkojë deri në 10 brenda javës, duke përfshirë gjithë patologjinë e pjesës ortopedike”, është shprehur Veseli.

Në këtë spital, shërbime mjekësore për problemet që ndërlidhen me ortopedinë, janë duke marrë edhe pacientët nga Vushtrria dhe Skenderaj.

Pacienti Bujar Kerolli, i shtrirë në Repartin e Ortopedisë, pas operacionit, ka thënë se trajtimi ka qenë në nivelin e duhur. Kerolli nuk ka besuar se pa pritur gjatë do të operohej.

“S’kanë nevojë me shku në privat. S’kanë nevojë me shku as në Shqipëri. Sa i përket Repartit të Ortopedisë është më shumë se perfekt”, ka thënë Kerolli.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe…