Sqarim ndaj shkrimit me titull ‘Shteti u mbetet borxh me mijëra euro të burgosurve’

15 maj 2020 | 13:43

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka dhënë sqarime lidhur me shkrimin e titulluar: “Shteti u mbetet borxh me mijëra euro të burgosurve”, të publikuar në media.

“Pas këtij shkrimi të publikuar, Shërbimi Korrektues i Kosovës, sqaron për opinionin publik se, në bazë të rregullores financiare Nr. 9/2012 dhe procedurës për regjistrimin e pranimeve dhe kthimeve të depozitave të burgosurve, të gjitha parat të cilat dërgohen tek i burgosuri transferohen përmes llogarisë bankare, përfshirë edhe paratë në rast se ka me vete gjatë pranimit. Kjo shumë, në vlerë prej 27,814 € është grumbulluar që nga viti 2005 kur edhe ka filluar pranimi përmes llogarive i parave të të burgosurve. Shuma është grumbulluar, duke filluar nga 0.01 cent, 0.05 cent, 0.10 cent , 0.50 , 1 euro, e deri në 200 euro, të cilat, të burgosurit e liruar nuk janë interesuar që t’i marrin”, thuhet në sqarimin e SHKK-ë.

Sipas këtij institucioni, këto mjete mbeten në llogaritë e burgjeve dhe monitorohen nga Thesari i Shtetit, si dhe janë në dispozicion kurdo që të liruarit kompletojnë dokumentacionin për tërheqje të mjeteve, përmes transfereve bankare apo duke u paraqitur në institucionet korrektuese.

“Për tërë këtë gjendje, ne ju kemi telefonuar të burgosurve që të bëjnë tërheqjen e mjeteve, por nga ana e tyre nuk është shprehur interesim për shkak të shumave të vogla. Lidhur me këtë, SHKK tashmë ka hartuar planin që secilit prej të liruarve deri më tani t’ua dërgojë mjetet në shtëpitë e tyre”, theksohet ndër të tjera në sqarimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa gjatë…