Stabilizimi institucional e politik, parakusht për sigurinë kombëtare

18 prill 2026 | 22:10

Shkruan: Hisen Berisha 

(Kosova nuk përballet vetëm me krizë të brendshme politike, por me një sfidë të kombinuar, ku dobësit e brendshme dhe presionet e jashtëm ndërthuren në mënyrë të rrezikshme.)

Situata aktuale në Kosovë nuk mund të lexohet vetëm përmes zhvillimeve të përditshme politike, por duhet kuptuar si një ndërthurje e krizës institucionale të brendshme dhe një dimensioni të rritur të rrezikut të sigurisë, që lidhet drejtpërdrejt me veprimet dhe strategjinë e Serbisë në territorin e Kosovës.

Në planin politik, Kosova po përballet me një ngërç të zgjatur institucional, i cili po e dobëson kapacitetin e shtetit për të vepruarnë mënyrë koherente dhe të koordinuar.
Moskonstituimi i plotë funksional i institucioneve dhe tensionet ndërmjet pushteteve kanë krijuar një vakuum vendimmarrjeje, që në rrethana normale do të ishte problem serioz, por në kontekstin aktual të sigurisë, shndërrohet në rrezik strategjik.
Një shtet me institucione të bllokuara e ka shumë më të vështirë të reagojë shpejt dhe me autoritet ndaj kërcënimeve hibrideapo incidenteve të sigurisë.

Dobësimi i strukturës së Policisë së Kosovës po bëhet gjithnjë e më i dukshëm, jo vetëm në aspektin operacional, por edhe në dimensionin njerëzor dhe profesional.
Kushtet e shërbimit mbeten të papërshtatshme për nivelin e rrezikut që bart kjo detyrë, me paga që nuk reflektojnë as përgjegjësinë dhe as ekspozimin e vazhdueshëm ndaj rrezikut për jetën.
Mungesa e sigurimeve adekuate shëndetësore dhe jetësore, ngarkesa e lartë në terren dhe mungesa e motivimit institucional po krijojnë një klimë pasigurie dhe demotivimi brenda trupës policore, duke ndikuar drejtpërdrejt në efektivitetin e reagimit në terren.

Ngjashëm, edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës vërehen dobësi serioze në realizimin e objektivave strategjike.
Plani Gjithpërfshirës i Tranzicionitnuk është përmbushur në mënyrë të plotë dhe të qëndrueshme në të gjitha fazat, ndërsa në shumë raste kemi të bëjmë me përmbushje selektive, të orientuara më shumë drejt efektit publik sesa ndërtimit real të kapaciteteve.
Investimet në pajisje të caktuara, si dronët vëzhgues apo sisteme të tjera të kufizuara në numër, nuk përkthehen në ngritje reale të Kapaciteteve të Plota Operacionale, por krijojnë një perceptim të rremë progresi dhe një boshllëk ndërmjet asaj që prezantohet dhe asaj që ekziston në terren.

Paralelisht me këtë dobësi të brendshme, zhvillimet e fundit që lidhen me zbulimin e armatimit në vendbanime serbe në Kosovë përbëjnë një sinjal alarmi që nuk duhet relativizuar.
Këto nuk janë raste të izoluara kriminale apo mbetje të pasluftës, por tregojnë për ekzistencën e strukturave të organizuara, që potencialisht janë të lidhura me rrjete të dirigjuara nga Serbia.

Fakti që armatim i konsiderueshëm gjendet i shpërndarë në zona të banuara nga komuniteti serb tregon për një strategji të mundshme të “parapozicionimit” të kapaciteteve për skenarë destabilizimi.
Kjo nënkupton se këto struktura nuk janë thjesht pasive, por mund të aktivizohen në momente të caktuara politike apo të sigurisë, për të krijuar tensione, incidente të armatosura apo për të sfiduar drejtpërdrejt sovranitetin e Kosovës.

Në këtë kuadër, duhet parë edhe doktrina e sigurisë së Serbisë në raport me Kosovën.
Serbia vazhdon ta trajtojë Kosovën si hapësirë të ndikimit të saj, duke përdorur një kombinim të instrumenteve politike, të inteligjencës dhe të strukturave paralele në terren.
Kjo është pjesë e një qasjeje hibride me veprime asimetrike, ku nuk kemi luftë të hapur, por një gjendje të vazhdueshme presioni dhe destabilizimi potencial.

Rasti i armatimit të zbuluar nuk është vetëm çështje e rendit dhe ligjit, por indikator i një problemi më të thellë të sigurisë kombëtare.
Ai ngre pyetje serioze rreth dilemave, që për studiues nga domeni i fushës së sigurisë dhe mbrojtjes gjithçka është e qartë, se kush i furnizon këto struktura, kush i organizon, dhe mbi të gjitha,për çfarë skenari po përgatiten?
Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje jo vetëm nga institucionet e sigurisë së Kosovës, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë që janë garantues të stabilitetit në vend.

Në planin politik dhe të sigurisë në veri të vendit, narrativa e katër viteve të qeverisjes së Kurtit, se “kurrë nuk ka pasur më shumë shtet” rezulton e paqëndrueshme përballë realitetit aktual.
Në praktikë, në vend të konsolidimit të sovranitetit atje, kemi parë rritje të tensioneve, rikthim të situatës në një dimension më agresiv dhe një varësi më të theksuar nga ndërmjetësimi ndërkombëtar.
Për më tepër, presioni dhe masat ndëshkuese nga BE dhe SHBA kanë dobësuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës, ndërsa qeveria është vënë përballë kërkesave për zbatimin e marrëveshjeve që kontestohen për përputhshmërinë e tyre me rendin kushtetues dhe që rrezikojnë të cenojnë sovranitetin politik dhe integritetin territorial të vendit.

Në këtë kontekst, roli i bashkësisë ndërkombëtare bëhet edhe më kritik.
Çdo tolerim apo minimizim i këtyre zhvillimeve mund të inkurajojë aktorët destabilizues.
Kosova ka nevojë për një koordinim shumë më të ngushtë me partnerët e saj të sigurisë, si në nivel të inteligjencës, ashtu edhe në atë operacional, për të parandaluar eskalimin e situatës.

Duhet theksuar po ashtu, se siguria dhe politika në Kosovë janë sot më të ndërlidhura se kurrë.
Një qeverisje e dobët dhe e përçarë e rrit hapësirën për ndërhyrje të jashtme dhe për aktivizimin e strukturave ilegale. Prandaj, stabilizimi institucional nuk është vetëm çështje politike, por parakusht për sigurinë kombëtare.

Nga këto zhvillime, mesazhi është i qartë, Kosova nuk përballet vetëm me një krizë të brendshme politike, por me një sfidë të kombinuar, ku dobësia e brendshme dhe presioni i jashtëm ndërthuren në mënyrë të rrezikshme.
Përballja me këtë realitet kërkon lidership me vizion të qartë, institucione funksionale dhe një strategji të mirëfilltë të sigurisë nacionale, të mbështetur fuqishëm nga aleatët ndërkombëtarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boksieri i ri, Arian Elezaj ka shënuar fitoren e radhës…