Stacioni i autobusëve në Ferizaj, në gjendje të rëndë financiare

14 dhjetor 2020 | 13:57

Stacioni i Autobusëve në Ferizaj është në gjendje të rëndë financiare. Kështu është bërë me dije të hënën në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa.

Në këtë mbledhje është bërë propozim-vendimi për subvencionimin e Stacionit të Autobusëve për pagesën e pagave të të punësuarve, raporton “Epoka e re”.

Drejtoresha e Financave, Sebahate Ajeti-Sadiku, ka thënë se kjo po bëhet duke u mbështetur në rrethanat të cilat janë krijuar gjatë këtij viti si pasojë e pandemisë globale Covid-19.

Sipas saj, stacioni i autobusëve nuk ka arritur të realizojë të hyra të mjaftueshme për kompensimin e të ardhurave mujore të të punësuarave dhe është në gjendje të rëndë financiare.

“Prandaj në si komunë duhet ta mbështesim me subvencionimin e pagave mujore në vlerë 29.640 për muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 2020”, është shprehur drejtoresha Ajeti-Sadiku.

Anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa, kanë vendosur që raporti vjetor i NPL “Stacioni i Autobusëve” SH.A, raporti vjetor i kompanisë “Ambientit” SH.A si dhe raporti vjetor i KRM ”Pastërtia” për vitin 2019 të diskutohen në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Ferizajt.

Po ashtu në këtë mbledhje u diskutua edhe propozim-vendimi për lirimin-faljen për lokalet në pronësi të komunës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka uruar qytetarët e…