Stoltenberg: NATO-ja do të ofrojë edhe më tej përkrahje për Kosovën

08 shtator 2020 | 17:00

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë me dije se NATO-ja do të ofrojë edhe më tej përkrahje të gjithanshme për Kosovën, për të siguruar një mjedis paqësor dhe një të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët e saj.

Këtë deklaratë Stoltenberg e dha gjatë pritjes që i bëri në Bruksel kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Në këtë takim, në të cilin u bisedua për zhvillimet politike dhe ato të sigurisë në vendin tonë, kryeministri Hoti shprehu falënderimin e tij dhe të popullit të Kosovës për misionin e KFOR-it në Kosovë, duke theksuar se prania e NATO-s/KFOR-it, është e një rëndësie të veçantë për forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës Juglindore.

Hoti e ka falënderuar sekretarin Stoltenberg edhe për ndihmën që u ka dhënë KFOR-i institucioneve të Republikës së Kosovës për menaxhimin e pandemisë Covid-19.

Duke e vlerësuar rolin e Aleancës Veriatlantike për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, kryeministri Hoti theksoi përkushtimin e Kosovës për ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike dhe synimin që Kosova sa më parë të bëhet anëtare e NATO-s.

Në fund të këtij takimi, kryeministri Hoti e ftoi Sekretarin Stoltenberg të vizitojë Kosovën, sa më parë që t’i jepet rasti.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim…