Stoltenberg: NATO nuk dëshiron garë armësh me Rusinë

13 shkurt 2019 | 23:01

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se aleanca ushtarake është duke studiuar “mundësi të shumta” për t’u përballur me shkeljet e supozuara të Rusisë në marrëveshjen për kontrollin e armëve, mirëpo sipas tij aleatët perëndimorë dëshirojnë t’i ikin “garës së re të armëve”.

Stoltenberg ka folur më 13 shkurt në selinë e NATO-s në Bruksel, ku ministrat e Mbrojtjes së aleancës kanë diskutuar se çfarë duhet bërë pasi Uashingtoni dhe Moska kanë braktisur Traktatin për Forca Bërthamore me Rreze të Mesme. “Kjo është shumë serioze. Ne do të shqyrtojmë situatën”, ka thënë Stoltenberg, duke shtuar se përgjigjja e NATO-s “do të jetë e matur dhe se do të ketë qëllim të mbrojtjes, për t’i ikur një gare armësh”. Më 2 shkurt, Shtetet e Bashkuara kanë prezantuar procesin gjashtëmujor të largimit nga ky pakt, pasi Uashingtoni dhe NATO-ja vazhdimisht kanë akuzuar Moskën për shkelje të marrëveshjes, duke zhvilluar raketën, 9M729, të njohur edhe ai SSC-8. Rusia në anën tjetër ka mohuar akuzat, dhe është tërhequr po ashtu nga ky pakt, i cili parasheh zhvillimin, prodhimin dhe pozicionimin e raketave tokë-ajër me rreze nga 500 deri në 5,000 kilometra. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Rusia mund të ruajë paktin duke e zbatuar atë, mirëpo Moska e ka bërë të qartë se nuk e ka në plan të shkatërrojë raketën, 9M729.

Stoltenberg ka thënë se NATO-ja ka “një varg mundësish” mirëpo nuk ka ofruar detaje tjera. Ai po ashtu ka theksuar se aleatët e aleancës “nuk kanë qëllim që të pozicionojnë ndonjë sistem bërthamor në Evropë”. Më 12 shkurt, shefi i NATO-s ka thënë se Moska “vazhdon të zhvillojë dhe pozicionojë disa batalione të raketave SSC-8”. Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, nuk e ka hedhur poshtë ndonjë formë të kapacitetit mbrojtës, duke përfshirë armët bërthamore, si përgjigje ndaj raketave me kapacitet bërthamor të Rusisë. “Pikërisht pse jemi në fillim të diskutimit, është e rëndësishme që ne të mos fillojmë me krijimin e hierarkisë, apo që të kemi qëndrime individuale, mirëpo që të diskutojmë në tavolinë”, ka thënë der Leyen para nisjes së negociatave me homologë të NATO-s./REL

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë mbyllur dhe dy takimet e sotme të fazës së…