Strategjia e shërbimit sekret serb për ta shkatërruar strukturën e UÇK-së pas vitit 2000 e këndej (5)

18 maj 2021 | 11:15

Faton B. MEHMETAJ

Pjesëtarët e “Klanit të Zemunit” të prirë nga Milorad Llukiq-(Legia), organizuan vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiq, kanë qenë të pajisur me pasaporta diplomatike dhe kohë pas kohe kishin udhëtuar në Kolumbi, Federatën Ruse, Kinë dhe Shqipëri. Pjesëtarët e këtij grupi kishin status diplomatik. “Klani i Zemunit” pos vrasjeve qe i kanë kryer në Serbi dhe Kosovë kanë krye vrasje edhe në Shqipëri. Legia për krimet e bëra gëzonte privilegje, siç janë tregtia e lirë më drogë dhe me njerëz si dhe likuidimi i të gjithë atyre, të cilët ia zinin rrugën për çfarëdo arsye. Legia kishte kontakte edhe me Tribunalin e Hagës. Nuk duhet harruar se Milorad Llukiqin-(Legia) e kishte angazhuar në njësinë e “Beretave të Kuqe” vet shefi i shërbimit sekret serb Jovica Stanishiq. Legia një kohë ishte zëvendës i Frenki Simatoviqit i cili ishte komandant i Njësisë për Operacione Speciale. Milorad Llukiq-(Legia) edhe pasi u largua Stanishiqi nga puna, u lidh më shefin e ri të shërbimit sekret serb Radomir Markoviqin i cili e përparojë në gradë atë. Legia ishte takuar me 4 tetor 2000, me Gjingjiqin, që i bije një ditë para se Millosheviqi të rrëzohej nga pozita. Ai ishte marrë vesh me Gjingjiqin që të mos intervenonte kundër protestuesve në protestat që ishin organizuar kundër falsifikimit të zgjedhjeve në Serbi, dhe ashtu doli. Takimi në fjalë mes Gjingjiqit dhe Legias ishte sinjal i qartë se ngjarjet e tetorit të vitit 2000, nuk ishin kurrfarë revolucioni demokratik, veçse një dorëzim i shtabit të Millosheviqit në gjirin e opozitës, që atëherë drejtohej nga Gjingjiqi, Koshtunica dhe nxënësi i zellshëm i Millosheviqit, ish-prefekti i Beogradit Nebojsha Çoviq. Në kuadër të hetimeve për të gjetur dhe për të arrestuar vrasësit e Zoran Gjingjiqit i cili u vra pse ishte marrë vesh me qarqet ndërkombëtare për ta dorëzuar Millosheviqin në Hagë, policia serbe lidhur me organizimin e kësaj vrasje e kishte marrë në bisedë informative edhe ish-shefin e shtabit të përgjithshëm të “UJ” Nebojsha Pavkoviqin. Sepse vrasja e Gjingjiqit ishte një komplot i organizuar nga forcat e ashtuquajtura patriotike të Serbisë të udhëhequra nga kriminelet e luftës, përfituesit e luftës, patronazhët dhe iniciatorët e krimeve politike nga radhët e regjimit të Millosheviqit. Diçka ngjashëm me këto që po i them unë ishte shkruar edhe komunikata e MPBS së Serbisë rreth vrasjes së Gjingjiqit. Legia bashkë me Zhelko Azhnjatoviqin (Arkanin dhe Radovan Stojçiqin (Baxha), organizuan agresionin serb në Kroaci, por edhe në Kosovë. Madje Legia i kishte trajnuar njësitet e paramilitarët serb dhe “tigrat” e Arkanit në bazën e paramilitarëve në Erdut të Sllovenisë Lindore, të cilët në Kroaci, Bosnje, Kosovë e vende tjera të ish-Jugosllavisë, kanë vrarë mijëra civil dhe kanë plaçkitur çfarë kanë dashur. Këto struktura në bashkëpunim me shërbimet sekrete serbe organizuan mjeshtërisht trazirat e marsit të vitit 2004, ku pos tjerash u dogjën edhe disa kisha serbe të ndërtuara me qëllime politike gjatë periudhës së viteve 90-ta, ku shërbimi sekret serb i ndihmuar edhe nga mediumet e propaganda serbe e hodhi fajin mbi UÇK-në. Por për trazirat e marsit 2004 bota e qytetëruar e mori vesh shpejt se këto janë pjellë e shërbimit sekret serb dhe i gjithë procesi kaloj në heshtje dhe u mbyll pa zhurmë të madhe. I tregova këto ngjarje sepse drejtuesit e tyre me theks të veçantë që nga viti 1990 e këndej janë promotorët e të gjitha problemeve që i shkaktoj Serbia dhe aparatura e Millosheviqit në Kosovë. Nga kjo kohë shërbimi sekret serb i kishte aktivizuar njësitë agjenturore nga radhët e shqiptarëve në Kosovë dhe diasporë për të lansuar sa më shumë dezinformata e thashetheme për ta mbajtur aktive maksimën e vjetër përçaj e sundo, metodë kjo që u përdor nga këto shërbime për ta nxitur vëllavrasjen dhe pakënaqësi tjera. Madje mbi këtë bazë u ngritën dhjetëra e dhjetëra gjyqe nga gjyqësia kosovare e ndihmuar nga ajo e UNMIK-ut dhe EULEX-it në Kosovë kundër pjesëtarëve të UÇK-së. Të gjitha këto struktura bashkë gradualisht instaluan padukshëm në disa segmente të administratës në Kosovë, strukturën e vet, përmes të cilëve e sabotonin ngadalë dhe pahetueshëm ç’do gjë që lidhej më UCK-në. Kuptohet në këto mekanizma që i ka kombinuar dhe përdor shërbimi sekret serb kundër UÇK-së janë të gjithanshëm dhe në to janë të angazhuar të gjitha profilet prej bujkut e deri tek popi e intelektuali i profilit akademik. Për ti arritur këto qëllim dhe për të pasur sukses në realizimin e këtyre qëllimeve shërbimet serbe dhe Serbia kishin vënë në dispozicion mjete financiare dhe shuma marramendëse, për ata që ishin pjesë e këtyre projekteve. Të njëjtit në vitin 2001, dizajnuan projektin afatgjatë të hakmarrjes ndaj strukturave të UÇK-së, duke i përdorur të gjitha mjetet dhe mundësitë e shtetit serb, miqve të Serbisë dhe Rusisë për ti arritur qëllimet rreth realizimit të këtij projekti. Njësitë e “Beretave të Kuqe” të njohura edhe si njësitë e JSO-s apo “Frenkie Boys”, thirreshin në emër të Frenki Simatoviqit që ishte themelues i kësaj njësie, erdhe në Kosovë në fillim të vitit 1998. Po ashtu edhe këta të involvuar në vrasjen e Gjingjiqit. Në organizimin e vrasjeve të pasluftës u zunë nga policia e Kosovës dhe KFOR-i edhe disa vrasës më pagesë disa prej të cilëve janë dënuar me burgim për veprat e kryera e qe nuk lidhen me strukturat e UÇK-së. BE-ja, KFOR-i, EULEX-i por edhe instancat tjera të sigurisë ndërkombëtare por edhe vendore duhet të merren me këto problematika të cilat e përbëjnë thelbin e të gjitha problemeve në Kosovë që kanë ndodhur para luftës në Kosovë, gjatë luftës dhe pas mbarimit të saj duke e përfshirë edhe kohën e ngjarjeve, e deri në ditët tona. Gjerë më tani prej të gjithëve u abuzua me fjalën “askush mbi ligjin”, kjo maksimë shërbeu për ta shtypur e degraduar vetëm strukturën e UÇK-së. Edhe sot ka njerëz në misionin për sundimin e ligjit që punojnë në Kosovë që janë me mentalitetin e UNMIK-ut të cilët vazhdojnë ta shohin Kosovën jo si shtet të pavarur por si protektorat të UNMIK-ut. Kjo shtresë administrative e shfrytëzoj rastin ta shkatërron çdo zë të pavarur që pat guxim për ta ngritur zërin e për të kritikuar. Për shkak të aktiviteteve të shtuara të shërbimit sekret serb, të cilët organizuan një fushatë të egër propaganduese kundër UÇK-së brenda dhe jashtë Kosovës, që nga viti 2000, Organizatat e ndryshme ndërkombëtare që merreshin me problemet e ndryshme botërore duke filluar nga ajo e Grupit Ndërkombëtar të Krizave (International Crisis Group-ICG), OSBE-ja, e organizata tjera ndërkombëtare por edhe rajonale, për një kohë bukur të gjatë, pjesë e raporteve të tyre ishte veprimtaria e pjesëtarëve të UÇK-së. U shkatërruan në start pothuajse çdo iniciativë që buronte nga vendorët dhe i shërbente vendit. Sikurse UNMIK-u edhe EULEX-i u tregua i njëanshëm ndaj strukturës së UÇK-së, kjo ishte vërejtur që në fillim të mandatit të këtij misioni. Madje rreth këtyre shkeljeve ky mision pati shumë afera të cilat u bënë edhe mediatike. Nuk u ndal për asnjë çast veprimtaria e strukturave paralele serbe në Kosovë, kontrabanda me derivate e mallra tjera në veri vazhdon që 20 vite, mafia serbe nga kjo kontrabandë i fiton 5 deri 10 milion euro ç’do vit, gjithandej nëpër Kosovë kanë vepruar e veprojnë operatorët ilegal të telefonisë serbe, në më shumë se 30% të territorit të Kosovës nuk ka liri të lëvizjes dhe siguri për qytetarët e Kosovës, në shumë vende të Kosovës bëhet tregti më dinarë (valutë serbe). Mitrovica është e ndarë me rampë, në pjesën veriore qeveritë e Kosovës nuk kanë passu qasje asnjëherë, eksterritorialiteti është territor i uzurpuar dhe i kontrolluar në të shumtën e rasteve nga qeveria serbe. Qytetarët e Kosovës edhe sot janë të paisur më dy parë tabela në vetura KS dhe RKS, pra ato që kanë të drejtë të dalin në Serbi dhe në ato që nuk kanë të drejt. Serbia përmes listës serbe, vazhdimisht e ka cenuar sovranitetin e Kosovës por edhe sigurinë e brendshme. Kësaj situate që është në disfavor të Kosovës i ka ndihmuar edhe fakti i mosshuarjes së strukturave paralele të cilat janë bërë pjesë kancerogjene për zhvillimin e Kosovës. Kosova furnizohet në 70% të rasteve nga mallrat serbe. Mbi 30 mijë shqiptarë janë të pajisur më dokumente e shtetësi të Serbisë, mbi 10 mijë të tjerë për shkaqe të punësimit e të rregullimit të dokumentacionit janë detyruar ta mohojnë shtetësinë e Kosovës. Këto fenomene të cilat e dëmtojnë Kosovën askush nuk i sheh, e askush nuk i ndalon, por që herët a vonë kërkojnë zgjidhje, në të kundërtën Kosova nuk ka progres. Është pa dhe është bërë tashmë e ditur se struktura e UÇK-së u goditë nga shërbimi sekret serb, rus dhe u ndihmua nga shtetet mike të Serbisë dhe Rusisë për ta shtrirë ndikimin e tyre papengueshëm sepse këta ishin pengesa kryesore. Edhe përkundër këtyre pengesave, dhe tejzgjatjes së bisedimeve prej të cilave Serbia bleu kohë të mjaftueshme për ti goditur e shkatërruar kundërshtarët e vet në Kosovë, shteti i Kosovës do të mbetet ndër shtetet e forta të ish-Jugosllavisë dhe të Evropës Perëndimore, me perspektivë për t’u integruar me Shqipërinë, shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi e të Kosovës Lindore. Kosova ka miq të fuqishëm ndërkombëtar dhe ka kapacitete intelektuale e politike për ti zgjidhur problemet që i ka krijuar Serbia në bashkëpunim me Rusinë dhe përkrahësit tjerë. (Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtarët e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, të…