Studimi shkencor: Vendet që e kanë obligativ vaksinimin kundër tuberkulozit kanë më pak vdekje nga Covid-19

07 prill 2020 | 13:32

Pse Spanja i ka mbi 13 mijë vdekje nga pandemia e koronavirusit, ndërsa Portugalia rreth 300?

Një dallim i tillë në shifra në Gadishullin Iberik është misterioz, por pjesërisht do të mund të shpjegohej me dy mënyrat e ndryshme të përdorimit të vaksinave në këto vende. Jo përdorimi i vaksinës kundër koronavirusit, sepse ajo ende nuk ekziston, por përdorimi i vaksinës kundër tuberkulozit, e cila ekziston qe disa dekada, duhet se e ofron një shpjegim për këtë.

Në një studim të ri shkencor është zbuluar lidhja e mundshme mes shteteve ku vaksinimi kundër tuberkulozit është i obligueshëm dhe ndikimit të koronavirusit të ri.

“Kemi zbuluar se shtetet pa politika të përgjithshme për vaksinën BCG (Bacillus Calmette-Guerin), siç janë Italia, Holanda dhe Shtetet e Bashkuara, janë prekur më shumë në krahasim me shtetet që kanë politika universale dhe afatgjate për vaksinën BCG”, është thënë në këtë studim.

“Ka pasur raportime se vaksina BCG mund të ofrojë mbrojtje të gjerë kundër infeksioneve të organeve të frymëmarrjes”, ka thënë Gonzalo Otazu, hulumtues në Institutin e Nju Jorkut për Teknologji dhe njëri nga autorët e studimit.

“I shikuam të dhënat. Shtetet që kurrë nuk kishin zbatuar politika universale për vaksinën BCG po prekeshin më shumë nga koronavirusi dhe kishin numër më të lartë të të vdekurve për kokë banori”, ka theksuar ai.

Otazu ka krahasuar politikat në shtetet ku vaksinimi kundër tuberkulozit është zbatuar në mënyrë universale dhe shtetet ku një gjë e tillë nuk është zbatuar.

Italia, shteti me më së shumti viktima të koronavirusit, kurrë nuk e ka zbatuar vaksinimin universal kundër tuberkulozit.

Japonia, e cila ka numër shumë më të vogël të rasteve fatale dhe që ka marrë masa më të buta të izolimit, e ka një politikë të vaksinimit universal kundër tuberkulozit.

Hulumtuesit gjithashtu e krahasuan Japoninë me Iranin. Të dyja këto vende e kanë zbatuar vaksinimin universal me BCG, por në kohë të ndryshme.

Japonia e ka filluar përdorimin e kësaj vaksine në mënyrë universale në vitin 1947, ndërsa Irani në vitin 1984. Japonia i ka rreth 100 vdekje më pak për një milion banorë sesa Irani.

“Shtetet që e kanë filluar përdorimin universal të vaksinës BCG më vonë kanë pasur shkallë më të lartë të vdekjeve”, kanë thënë hulumtuesit.

Në këtë hulumtim,  gjithashtu është shpjeguar dallimi mes ndikimit të koronavirusit në Evropën Perëndimore dhe në Evropën Lindore, sepse politikat për vaksinim universal kundër tuberkulozit kanë qenë më të përhapura në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Rajonet lindore të Gjermanisë, të cilat kanë qenë pjesë e Gjermanisë Lindore deri në vitin 1989, kanë numër më të vogël të rasteve të koronavirusit për 100 mijë banorë, sipas të dhënave të institutit “Robert Koch”.

Shkencëtarët francezë e kishin nisur zbulimin e vaksinës BCG në vitin 1908, ndërsa testimi i parë në njerëz kishte filluar më 1921.  Emrin BCG ose Bacillus Calmette-Guerin vaksina e ka marrë nga mbiemrat e shkencëtarëve Albert Calmette dhe Camille Guerin.

Vaksina BCG është pjesë e protokollit të vaksinimit edhe në Kosovë. Kjo vaksinë u jepet foshnjave në ditët e para të lindjes dhe pastaj përsëri në moshën 6 ose 7-vjeçare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bhasha bukuroshja e kurorëzuar si ‘Miss Anglia 2019’ është rikthyer…